Strategjitë për të cilat nuk dëgjuan akterët përgjegjës për zbatimin e tyre

Përveç që në Kushtetutën e Republikës së Kosovës qëndron se vizioni i Republikës së Kosovës është që Kosova të jetë një shoqëri që siguron të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe i përmbushë standardet më të larta të respektimit të të drejtave të njeriut, kjo përcaktohet edhe në konventat ndërkombëtare relevante. Me këtë, shteti i Kosovës merr për obligim të promovojë dhe të sigurojë realizimin efektiv të të drejtave të komuniteteve, me qëllim të përfshirjes së tyre të plotë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore në Kosovë. Ky, në fakt, është edhe misioni i secilës prej Strategjive për Integrimin e Komuniteteve Rome. Deri më sot, në periudha të ndryshme janë hartuar tre strategji të ndryshme për integrimin e komunitetit Rome. E para përfshin periudhën 2009-2015, e dyta 2017-2021 (ku është hequr komuniteti egjiptian) ndërsa tani është aprovuar Strategjia e re që përfshin periudhën 2022-2026. Por, çka janë Strategjitë për Integrimin të Komuniteteve Rome? Sa janë efektive këto strategji? Edhe sa strategji dhe plane të veprimit duhen për të evidentuar gjendjen e mjerueshme të këtij komuniteti dhe që të fillohet të punohet në përmirësimin e saj?