Foto: Suer Celina

Cilat janë problemet kryesore me të cilat ballafaqohen PAK në Prizren?

Ka probleme të shumta me të cilat ballafaqohen komuniteti PAK, sepse kërkesat e tyre nuk trajtohen me prioritet nga niveli politik. Ndërkaq, sfidat kryesore të PAK janë mungesa e qendrave të vogla rehabilituese (qendrave ditore), që do të ofronin kujdes profesional për këta persona; mungesa e mbështetjes financiare; infrastruktura e paqasshme në qytet etj. Shumë institucione mjekësore janë pa qasje, mjekët dhe personeli mjekësor nuk janë të informuar mirë dhe nuk kanë mjaft njohuri për gjendjen e PAK, veçanërisht në qendrat shëndetësore. Përtej kësaj, ka probleme të shumta për qasjen e PAK në qytet. Rampat e ndërtuara për PAK në Prizren – janë kryesisht pa standarde. Për shembull, rampa që është ndërtuar në Kej, dhe që pastaj është  prezantuar si një sukses i komunës, nuk është fare e përdorshme nga PAK. Në përgjithësi, komunitetit PAK nuk konsultohet nga zyrtarët komunal gjatë ndërtimit të rampave, ashtu siç edhe nuk janë konsultuar kur është bërë rampa në Kej. Pra, kjo tregon neglizhencën e institucioneve publike ndaj nevojave të komunitetit PAK. 

Foto: Suer Celina

Cilat janë kërkesat kryesore që janë drejtuar në nivelin komuna?

Janë bërë disa kërkesa në nivelin komunal, siç është krijimi i qendrave të vogla rehabilituese për PAK – për të ofruar shërbime primare për këtë komunitet – veçanërisht për ushtrime fizikale që do të ofroheshin nga profesionistët/et shëndetësor. Po ashtu, janë bërë kërkesa të vazhdueshme për blerjen e shtretërve hidraulik që do të shërbenin për ekzaminime gjinekologjike të grave me aftësi të kufizuara. Kërkesa tjetër ka qenë punësimi i së paku dy personave me aftësi të kufizuara në Zyrën në Barazi Gjinore në Komunën e Prizrenit. Dhe, së fundi kemi kërkuar vendosjen e ashensorëve në ndërtesat që janë më të larta se dy kate. 

E cekët mungesën e ashensorit, a mundeni me na tregu më shumë për këtë problem?

Mungesa e ashensorit në ndërtesat më të larta se dy kate, ka shkaktuar që PAK të jenë tërësisht të varur nga personat tjerë, dhe të jenë të mbyllur në “burgun shtëpiak”. Ka shumë raste kur PAK janë detyruar ta shesin banesën e tyre dhe të vendosen në zonat rurale. Madje, mungesa e ashensorit nuk paraqet problem vetëm për PAK, por edhe për të moshuarit, gratë shtatzëna dhe për persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Janë të paktën pesë persona nga komuna e Prizrenit që janë detyruar ta shesin banesën e tyre dhe të largohen me banim në zonat rurale, për shkak të mungesës së ashensorit. Edhe pse janë bërë kërkesa të vazhdueshme për këtë problem, nuk ka pasur ndonjë përgjigje pozitive nga niveli komuna. 

Si është gjendja e punësimit të PAK?

“Muaji i Mundësive të Barabarta,” është një aktivitet që po zhvillohet tani e disa vite. Qëllimi i këtij muaji është që të sigurojë punësimin/ angazhimin e komunitetit PAK për periudha të caktuara në reparte të ndryshme të komunës. Ndërsa kërkesa e vazhdueshme e OPDMK-së ka qenë që së paku një person nga ky komunitet të mbetet në të njëjtin vend të punës, pa u detyruar që të ndërrojë repartin. Por duhet të ceket që punësimi i PAK është shumë i vështirë në Kosovë. Edhe pse ekziston ligji për punësimin e PAK, sektori publik dhe ai privat nuk po e zbatojnë ligjin. Deri më tani, nga të gjitha komunat në Kosovë, vetëm komuna e Ferizajt ka arritur të punësojë gjashtë persona duke e zbatuar ligjin. Sidoqoftë, shumica e vendeve të punës nuk i plotësojnë kushtet bazë për punësimin e PAK. Mirëpo edhe kur të punësohen dhe sigurohen kushtet e nevojshme të punës, duhet patjetër të angazhohet një familjar/e për ta shoqëruar deri në vendin e punës, pasi që qyteti dhe objektet janë të paqasshëm për PAK. 

Sa kanë mbështetje kujdestarët apo familjarët e PAK? 

Nevojat e familjarëve të PAK janë të shumta, por që nuk po trajtohen nga askush dhe mundem me thanë që janë më të diskriminuarat. Po them të diskriminuarat sepse në shumicën e rasteve janë nënat edhe motrat që kujdesen për këta persona. Pra, gratë e kanë barrën më të madhe për t’u kujdesur për PAK. Në bazë të një hulumtimi që është realizuara me nënat e PAK, rezulton se ato detyrohen të kalojnë 24 orë me fëmijët e tyre, duke mos marrë asnjë ndihmë nga anëtarët e tjerë të familjes. Hulumtimi po ashtu ka treguar që nënat janë të interesuara që të certifikohen si kujdestare për PAK, duke marr trajnime të duhur se si duhet të ofrojnë kujdes profesional për PAK. Por, mendoj që roli i kujdestares në Kosovë duhet të diskutohet në nivelin politik dhe të hartohen politika të veçanta për këta persona.

Pasi qe jemi duke fol edhe për rolet gjinore, a mendoni që po trajtohen mjaftueshëm problemet me të cilat ballafaqohen gratë me aftësi të kufizuara? 

Gratë me aftësi të kufizuara ballafaqohen me paragjykime të ndryshme, por fatkeqësisht këto probleme nuk fliten në publik. Ende shihet si tabu edhe nga vetë familjarët, që gratë me aftësi të kufizuara të kenë vizita tek gjinekologu/ja apo të bëjnë kontroll për kancer të gjirit. E ceka edhe më herët që punësimi i PAK është problem i theksuar në Kosovë, mirëpo punësimi i grave me aftësi të kufizuara është pothuajse e pamundshme. Po ashtu, krijimi i familjes shihet si një e drejtë krejtësisht e mohuar për këto gratë. Prandaj, ne si OPDMK prej vitesh jemi angazhuar t’i diskutojnë këto tema që konsiderohen si tabu, sidomos kur bëhet fjalë për gratë me aftësi të kufizuara.

Intervistë: Adelina Hasani

©PRIZMA MEDIUM