Foto: Kreni Pomeni/Facebook

✎ Esin Muzbeg

Në thelb të protestave që po vazhdojnë prej një kohe në Serbi është bërë kërkesa për ta mbrojtur mjedisin, natyrën, kafshët dhe sigurisht shëndetin e njerëzve. Kjo është arsyeja pse mijëra njerëz po protestojnë kundër qeverisë. Ky veprim mjedisor mban edhe shenjat e një transformimi drejt një blloku opozitar në Serbi. Megjithatë, është ende larg nga një bashkim total.

Një nga kompanitë më të mëdha të minierave në botë Rio Tinto, për shumë vite po bën hulumtime për nxjerrjen e minierave si litium dhe bori në Serbi. Zhvillimi i politikave të qeverisë serbe të cilat shpërfillin çështjet mjedisore për të lehtësuar investimet, shkaktuan kundërshtime të forta nga organizatat joqeveritare. Me ftesë të OJQ- ve “Kryengritja Ekologjike” dhe “Kalo në Veprim – Ndrysho”, si dhe me mbështetjen e shumë organizatave të tjera të shoqërisë civile, të shtunave për dy orë u mbajtën aksione për bllokimin e rrugëve dhe urëve në 50 vende të ndryshme në Serbi. Ndër kërkesat kryesore të protestuesve që dolën në rrugë është tërheqja e ligjit të shpronësimit dhe ligjit të referendumit.

Reagimet funksionuan, por…

Nga reagimet e ashpra që vazhduan për disa javë, presidenti serb Aleksandar Vućić vendosi të kthejë ligjin e shpronësimit në Kuvend. Mirëpo, lideri i OJQ ‘Kryengritja Ekologjike’, Aleksandar Jovanović Cuta, deklaroi se kjo nuk është fitore dhe tha se do të vazhdojnë të mblidhen në sheshe, të bllokojnë rrugët apo të protestojnë në çfarëdo forme tjetër deri sa të dëbojnë tërësisht kompaninë Rio Tinto. Nga ana tjetër, Savo Manojlović nga iniciativa ‘Kalo në Veprim – Ndrysho’, deklaroi se askush nuk ka monopolin mbi të drejtën e protestës dhe tha se “Çdokush ka të drejtë t’i bëjë thirrje njerëzve dhe t’i organizojë ata”.

Rrjedhja e protestave

Organizatat mediatike si përkrahëse të qeverisë preferuan që fillimisht t’i injoronin protestat dhe t’i shfaqnin ato me pjesëmarrje të ulët. Pavarësisht pjesëmarrjes së më shumë se 10 mijë personave në bllokadat e rrugëve në Beograd, këto media e minimizuan atë në 200. Megjithatë, zgjerimi i protestave dhe arritja në dhjetëra mijëra bëri që forcat qeveritare të hedhin një hap prapa. 

Pavarësisht se ligji i shpronësimit është rikthyer në Kuvend, organizatorët po përpiqen që popullin ta mbajnë në këmbë dhe të ndërgjegjshëm me anë të llojeve të ndryshme të metodave. Situata vijon ta afrojë bllokun opozitar me qeverinë pavarësisht qëndrimeve të ndryshme.

Drejt kontrollit shtetëror 

Ndërsa protestat u zgjeruan në Serbi me kërkesën për të drejta demokratike, u rritën edhe kërkesat e qeverisë për mjetet e shtypjes. Në një takim mes zyrtarëve të sigurisë serbe dhe ruse në Moskë më 14 maj, doli se kishte një marrëveshje për krijimin e grupeve të punës për luftën kundër “revolucioneve me ngjyra”, të cilat cilësohen si demokratike. Sipas lajmeve të gazetës Danas, qeveria ka vënë në dukje protestat mjedisore në vend dhe pretendon se aksionet e “revolucionit me ngjyra” kanë ndodhur në Serbi. Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, theksohet se gjatë takimit të ministrit të Brendshëm Aleksandar Vulin dhe sekretarit të Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolaj Petrosev në Moskë më 3 dhjetor, janë diskutuar çështjet e bashkëpunimit. Në vlerësimin dypalësh u tha se lëvizjet e “revolucionit me ngjyra” janë kthyer në një mjet tradicional të grupeve të caktuara të pushtetit dhe se këto lëvizje synojnë të shkatërrojnë pushtetin dhe sovranitetin e shtetësisë nën emrin e demokratizimit. Në këtë kontekst, qeveria serbe kërkoi mbështetje teknike nga Rusia për të gjurmuar “njerëzit e dyshimtë” dhe për të luftuar efektet negative të organizatave joqeveritare.

 A do të ketë një transformim drejt bllokut opozitar? 

Përderisa lëvizjet qytetare vazhdojnë të rriten në Serbi, kontrolli shtetëror tregon mjetet e represionit. Ky tension është joefektiv në bllokun opozitar në Serbi. Protestat e zhvilluara të shtunën e 4 dhjetorit arritën kulmin dhe bënë që qeveria të hidhte një hap prapa. Por organizatorët e protestës thonë se kthimi i ligjit në Parlament nuk është fitore dhe se kompania duhet të largohet gjithashtu nga Serbia. Është interesante se sipas një sondazhi publik të kryer nga Demostat në Serbi, 14% e votuesve që mbështesin partinë në pushtet gjithashtu mbështesin protestat. Megjithatë, këto veprime, të cilat kanë në fokus çështjet mjedisore, duken ende të dobëta në krijimin e një vale të kundërshtimit total.

Cila është marrëveshja me kompaninë Rio Tinto?

Kompania Rio Tinto, një nga kompanitë më të mëdha të minierave në botë, ka një kapital mbi 100 miliardë dollarë. Rio Tinto, e cila shfaqet si një kompani britanike dhe australiane, ka selitë e saj në Londër dhe Sidnei. Megjithatë, për shkak të aksioneve të tregtuara në bursa, nuk mund të thuhet asgjë e qartë se cilët janë pronarët e vërtetë.

11% e aksioneve janë në pronësi të kompanisë shtetërore kineze Chinalco, e cila operon me alumin. Pas kërkimeve të bëra për Serbi, kompania Rio Tinto po kërkon leje për të nxjerrë minierën e litiumit. Kjo vë në pah gjithashtu edhe çështjen mjedisore. Kompania pretendon se ka investuar rreth 200 milionë dollarë në Serbi si pjesë e përpjekjeve të saj të kërkimit, që do të thotë se nëse nuk jepet leja, Serbia do të dënohet me një dëmshpërblim prej 300 milionë dollarësh. Presidenti serb, Aleksandar Vućić, nga ana tjetër, deklaroi se investimi në fjalë do t’i sjellë Serbisë 1.5 miliardë euro të ardhura çdo vit dhe ka ofruar mbështetje për procedurat e nevojshme ligjore për lehtësimin e kësaj pune. Në këtë kontekst, u iniciuan përpjekje për ndryshimin e ligjit të shpronësimit për të lehtësuar punën në terren. Por, pas reagimit të ashpër, ligji për momentin është rikthyer në Kuvend. Mirëpo, kompania vazhdon të blejë toka nga pronarë privatë. Ashtu si protestat e aktivistëve… protestuesit me ftesë të OJQ ‘Kryengritja Ekologjike’, këtë të shtunë (11.12.2021) kanë vazhduar bllokimet e rrugëve në 50 qytete të ndryshme për një orë.

© PRIZMA MEDIUM