✎ Şeyma Celina Suroy

Shumë nga shqetësimet fillestare rreth variantit Omicron janë konfirmuar. Virusi, ashtu si në Afrikën e Jugut, vazhdon të përhapet me shpejtësi në shumë vende. Është e qartë se Omicron ka një avantazh më të madh të përhapjes, nëse e krahasojmë me variantin Delta. Ai është gjithashtu shumë më i suksesshëm se variantet e mëparshme në infektimin e njerëzve që janë vaksinuar dhe janë shëruar.

Mirëpo, derisa virusi përhapet, disa të dhëna premtuese po vijnë. Deri më tani, kemi parë më pak hospitalizime sesa në valët e mëparshme. Bazuar në natyrën e virusit, janë publikuar shumë të dhëna paraprake që sugjerojnë se ky virus *mund* të jetë më i lehtë. Krahas kësaj janë publikuar edhe analiza shumë interesante që mund të shpjegojnë përhapjen më të shpejtë të variantit. Sipas një studimi të ri laboratorik Omicron është treguar se shumëfishohet në bronke rreth 70 herë më shpejtë se Delta, 24 orë pas infektimit; por jo në mushkëri! Është interesante fakti që varianti është shumuar me 10 fish më pak efikasitet në indet e mushkërive. Një studim tjetër i mbështet këto rezultate. Në këtë studim laboratorik me pseudo viruse, varianti Omicron, përfshirë edhe Delta-n, është më i aftë t’i infektojë qelizat se çdo variant tjetër. 

Vlen të theksohet se studimi i parë i përmendur më lartë ishte një studim “ex vivo”, që do të thotë se për të parë shumimin e virusit, janë përdorur indet njerëzore në laborator. Rrjedhimisht, të dhënat nga ky studim nuk janë një gjetje “përfundimtare”, por “mbështetëse” dhe duhet të konfirmohen nga të dhënat klinike, pasi nuk ka përgjigje imune njerëzore në këto studime.

Në përmbledhje, këto rezultate tregojnë se Omicron ka një avantazh më të madh të ngjitjes dhe përhapjes në krahasim me Delta-n.Gjithashtu, kjo shpjegon pse u përhap kaq shpejt në Afrikën e Jugut dhe ka tejkaluar prej kohësh variantin dominues, Delta.

Të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka dhe Afrika e Jugut tregojnë se në krahasim me rastet e Delta-s, shumica e njerëzve të infektuar me variantin Omicron kanë më pak gjasa të kërkojnë hospitalizimin, ku shihet se ashpërsia e infeksionit është zvogëluar. Derisa këto të dhëna fillestare janë premtuese, studiuesit paralajmëruan se ngjitshmëria e lartë e Omicron ende mund ta vështirësojë kujdesin shëndetësor. Në fakt, kjo ulje e ashpërsisë së infeksionit, në krahasim me variantet e tjera është për shkak të tendencës së Omicron për t’i infektuar njerëzit që janë vaksinuar ose të infektuar më parë.

Në një studim të kryer nga studiuesit në Imperial College mbi të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar, është treguar se Omicron ka më pak se 11% gjasa të shkaktojë infeksion të rëndë. Në nivel popullsie, varianti Omicron në krahasim me Delta shndërrohet në një ulje prej 25% të rrezikut të hospitalizimit. Kjo rënie e theksuar është për shkak të faktit se varianti Omicron është në mesin e njerëzve që janë infektuar ose vaksinuar më parë, duke siguruar mbrojtje të konsiderueshme kundër infeksionit të rëndë.

Përveç kësaj, të dhënat nga Danimarka ndërmjet 22 nëntorit dhe 15 dhjetorit tregojnë se rastet e Omicron në mesin e njerëzve që rezultuan pozitivë kishin tre herë më pak gjasa për t’u shtruar në spital në krahasim me variantet e tjera. Por, ekspertët paralajmëruan se intensiteti i shpërthimit të Omicron midis grupeve më të reja mund t’i rrëzojnë këto të dhëna. 

Të dhënat paraprake nga të gjitha këto studime dhe analiza tregojnë se;

  • Omicron është dukshëm më infektues se Delta.
  • Riprodhimi më i vogël i variantit në mushkëri mund të rezultojë në një infeksion më pak të rëndë. (Megjithatë, ashpërsia e infeksionit përcaktohet jo vetëm nga riprodhimi i virusit, por edhe nga përgjigja imune e njeriut.)

Për ata që pyesin nëse kjo është mirë apo keq, përgjigjja e thjeshtë është: Nuk e dimë ende. Ndërsa Omicroni mund të infektojë qelizat e mushkërive me më pak efektivitet, ai mund të përkeqësojë përgjigjen imune duke shkaktuar një ngarkesë më të lartë virale. E vetmja gjë e sigurt është se Omicroni do të përhapet aq shpejt në popullatë sa do të jetë e pamundur të përmbahet edhe me masat më të rrepta. Andaj, merrni të dy vaksinat tuaja e po ashtu edhe dozën e tretë përforcuese.

Varianti Omicron është zbuluar në 119 vende në mbarë botën. Burimi: BNO News/NEWSNODES, 28 Dhjetor.

Nëse e shikojmë në nivel global, në shumë shtete Omikroni përbën shumicën e rasteve me Covid-19.

Ndërsa rritja e numrit të rasteve me Omicron vazhdon, vendet kanë filluar të marrin masa urgjente. Vendet evropiane po përballen me valën e re të krijuar nga Omicron. Ndërkohë që Franca kapërceu kufirin e 100 mijë rasteve në ditë për herë të parë që nga fillimi i epidemisë, edhe Italia pa nivele rekord rastesh radhazi. Një numër vendesh, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë shtrënguar masat kundër Covid-19 dhe kanë vendosur kufizime udhëtimi për të ndaluar përhapjen e variantit të ri. Danimarka ka futur një sërë masash për të frenuar përhapjen e Omicron, duke përfshirë mbylljen e teatrove dhe muzeve e duke kufizuar kapacitetet në bare, restorante dhe qendra tregtare. Holanda, duke nënshkruar një vendim të rëndësishëm, bëri të ditur se ka vendosur mbylljen deri më 14 janar, për shkak të variantit Omicron. Kurse në Austri, vazhdojnë kufizimet e lëvizjes, për ata që refuzojnë të vaksinohen. Në Angli – vendi më i prekur nga varianti Omicron, numri i rasteve vazhdon të rritet dita-ditës, ndërkohë që qeveria ka nisur të përshpejtojë dozën përforcuese të vaksinave. E në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi më 26 dhjetor se 9 nga 22 mostrat që rezultuan pozitive ishin raste të variantit Omicron. SHBA, Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut dhe shumë vende të tjera kanë një situatë të ngjashme me vendet evropiane dhe qeveritë kanë filluar të marrin një sërë masash.

© PRIZMA MEDIUM