Ekofeminizmi: Mbi të përbashkëtat e padrejtësive shoqërore e ekologjike
Shkatërrimi i natyrës dhe padrejtësia sociale e kanë një shkaktar të përbashkët - mendimin hierarkik. Ne kemi tendencë t`i zbërthejmë diferencat në një hierarki vlerash - t`i vendosim disa kategori "lart" dhe të mendojmë për to si superiore dhe disa kategori tjera "poshtë" e t`i shohim si inferiore. Kështu i kthehemi idesë që një kategori duhet të dominojë një tjetër: qeniet njerëzore që e dominojnë dhe eksploatojnë botën jo-njerëzore, burrat që dominojnë gratë – është ky problemi që çon tek të dyja, tek padrejtësia sociale dhe shkatërrimi i natyrës. Andaj, në mënyrë që ta adresojmë shkatërrimin e mjedisit, neve na duhet të sfidojmë mënyrën hierarkike të të menduarit. Feministet ambientaliste argumentojnë se ne nuk mund të eliminojmë seksizmin dhe dominimin e një kategorie të njerëzve mbi një kategori tjetër pa përpjekjen për t’i eliminuar të gjitha format e dominimit, duke përfshirë dominimin e njerëzve mbi natyrën.