Foto: Ferdi Limani

✎ Hadis Abdula

Kalaja e Prizrenit, e cila ka një rol të rëndësishëm në memorien kolektive të Prizrenit, pra në memorien urbane, përveç që është një referencë e rëndësishme e historisë së pasur të qytetit, është edhe një hapësirë ​​urbane që është adoptuar nga qytetarët, duke iu dhënë atyre ndjenjën e përkatësisë. Me fjalë të tjera, kalaja është i vetmi artefakt historik që në sytë e qytetarëve nuk përfaqëson asnjë identitet apo ideologji në qytetin e Prizrenit.

Për këtë arsye, është shumë i rëndësishëm hulumtimi, restaurimi dhe përfshirja e kalasë në jetën e përditshme, e cila ka një vend të tillë në kujtime dhe zë një vend të rëndësishëm në nxjerrjen në pah të qytetit. Në këtë pikë, çfarë informacioni zbulojnë të dhënat e marra si rezultat i hulumtimit të kalasë, çfarë strategjish janë miratuar për ndarjen e këtij informacioni me qytetarët dhe pyetje të tjera, të tilla: si planifikohen dhe zbatohen punimet përmirësuese dhe restauruese të kalasë, e cila mund të përkufizohet si një nga vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore; çfarë hapash ndërmerren për integrimin e kalasë në jetën e përditshme etj., janë çështje të rëndësishme të cilat duhet të ngriten, të vihen në tryezë dhe të diskutohen. Për të gjetur përgjigje për këto pyetje, së pari duhet të fokusohemi në rëndësinë historike të kalasë dhe në procesin e restaurimit, e më pas edhe tek studimet dhe përdorimin aktual.

Kalaja, e cila bart historinë e qytetit në parahistori dhe i jep formë imazhit dominues të qytetit me fisnikërinë e saj, mbeti e izoluar dhe pasive nga përditshmëria e qytetit të Prizrenit për rreth një shekull, para se të bëheshin restaurimet aktuale. Ky proces, siç u theksua më parë, shkaktoi shkatërrimin e kalasë dhe shembjen e pjesshme të saj. Megjithatë, një nga çështjet e rëndësishme që nuk duhet harruar është se në shkatërrimin e kalasë, përveç faktorëve natyrorë, ka luajtur rol edhe vetë dora e njeriut.

Në këtë kontekst, mund të thuhet se Kalaja e Prizrenit, e cila ka qenë shtëpi e qytetërimeve të ndryshme ndër shekuj, duke ndryshuar vazhdimisht dhe duke shtuar struktura të reja, me disa pjesë të shembura dhe të transformuara, filloi të humbasë identitetin e saj si me ngjarjet e plaçkitjeve ashtu edhe me restaurimin. Në këtë pikë, dora e njeriut dhe disa ndërhyrje (rinovimi-restaurimi) janë përgjegjëse për humbjen e identitetit të kalasë. Qasja e Victor Hugo në veprën ’’Katedralja e Parisit’’ (The Hunchback of Notre-Dame), mund të merret si shembull për të kuptuar më mirë rëndësinë e një ndërtese monumentale si dhe shkatërrimet fizike e semantike të shkaktuara nga faktorët. Katedralja e Notre-Dame, e cila ishte në prag të rrënimit në fillim të shekullit të 19-të si pasojë e neglizhencës dhe ndërhyrjeve të gabuara, si dhe nga dëmtimet që mori gjatë Revolucionit Francez, mund të thuhet se u shpëtua nga shkatërrimi me përpjekjet e Victor Hugo. Në libër, tema e nënvizuar nga Victor Hugo është se kjo strukturë monumentale ka vend në kujtesën sociale dhe duhet ruajtur pa iu nënshtruar asnjë manipulimi. Fjalët e mëposhtme në libër janë të mjaftueshme për të reflektuar mendimet e Hugos shumë qartë: 

“Tempus edax, homo edacior”  

Koha e konsumon, njeriu edhe më shumë- Victor Hugo

Ndërsa Victor Hugo pranon se koha dhe natyra luajnë një rol të rëndësishëm në shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë, ai argumenton se fajtorët e vërtetë janë arkitektët dhe moda. Nga ana tjetër, përpjekja dhe qëndrimi i Hugos për të mbajtur një ndërtesë kaq të rëndësishme, e cila shërben si urë lidhëse midis së shkuarës dhe së ardhmes, kontribuoi në zhvillimin e teorisë së konservimit në arkitekturë. Në këtë kontekst, duke u ndalur në shembullin e Kalasë së Prizrenit, marrë për bazë shembulli i Notre-Dame, duhet theksuar se Kalaja e Prizrenit është të paktën po aq e rëndësishme për qytetin e Prizrenit, sa ishte Katedralja e Notre-Dame. Përveç kësaj, kalaja është shkatërruar gjithashtu nga njerëzit, si dhe nga faktorë natyrorë dhe të përkohshëm, sikur Katedralja Notre-Dame. Gjithashtu ajo është restauruar pasi ka një rëndësi të madhe në kontekstin e kujtesës urbane. Megjithëse procesi i restaurimit është një punë e rëndësishme për ruajtjen e kalasë dhe transferimin e saj tek brezat e ardhshëm, është e nevojshme të diskutohet për mënyrën e trajtimit të restaurimit dhe procesin e aplikimit.

Foto: Ferdi Limani

Problemi i qasjes në kala

Para së gjithash, një problem i rëndësishëm është se rruga që fillon nga qyteti duke kaluar nëpër shtëpitë që gjenden nëpër nënkala, është e pashëndetshme dhe e lënë pas dore. Sepse, në punimet e rinovimit duhet të merren parasysh rrugët që të çojnë në të, po aq sa vetë kalaja. Nga ana tjetër, edhe rruga që kalon në zonën pyjore pas kalasë, ka nevojë për mirëmbajtje. Rregullimi i këtyre rrugëve dhe lehtësimi i transportit janë ndër hapat më të rëndësishëm që duhen ndërmarrë për ta bërë kalanë më të qasshme. Një tjetër temë në diskutimet për punimet e transportit për në  kala janë projektet e teleferikut, që kanë qenë në rendin e ditës vitet e fundit dhe rekomandohen për qasje në të. Në këtë pikë, së pari duhet të vihet në dyshim domosdoshmëria e projektit të teleferikut dhe më pas, nëse është e nevojshme, të diskutohet se çfarë metode duhet ndjekur. Ideja e ndërtimit të teleferikut për në kala, e cila është një nga pikat që del më së shumti në pah, në qytetin e Prizrenit dhe një nga pikat më të mira të pamjes së qytetit, në thelb nuk paraqet ndonjë problem. Projekti i teleferikut ka potencialin të jetë një hap i rëndësishëm për t’u ndërmarrë për personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit për të arritur në kala, veçanërisht kur ka një strukturë miqësore për personat me aftësi të kufizuara brenda saj. Përveç kësaj, është e qartë se është një propozim funksional si për integrimin e kalasë në jetën e përditshme, ashtu edhe për ringjalljen e turizmit. Nga ana tjetër, çështja se si do të realizohet ky projekt është pika më e rëndësishme. Së pari, problem do të jetë propozimi i një sistemi që do të shtrembërojë siluetën brenda qytetit. Së dyti, projekti i teleferikut nuk duhet të dëmtojë as strukturën fizike dhe as semantike të kalasë. Gjithashtu, sistemi që do të ndërtohet duhet të projektohet sa më i thjeshtë dhe jo i dukshëm, të jetë i fshehur brenda strukturës natyrore në mënyrë që të mos arrijë deri te muret e kalasë. Në këtë kuptim, një alternativë tjetër që mund të merret në konsideratë për projektin e teleferikut është aplikimi i sistemit të teleferikut të biçikletave në kala. Ky sistem, i cili u projektua për herë të parë në Norvegji në vitin 1993 për çiklistët duke iu ndihmuar të kapërcejnë shpatet e larta, ka potencialin të jetë një zgjidhje që do të inkurajojë përdorimin e biçikletave. Gjithashtu do të jetë pjesë e një sistemi që edhe do të punojë me shtigjet e tjera të biçikletave që do të krijohen edhe do të jetë një zgjidhje që mund t’i shtohet kalasë në atë mënyrë që kërkon ndërhyrje minimale në mjedis. Sidoqoftë, pavarësisht se cili sistem përdoret për transport në kala, çështja më e rëndësishme është që zgjidhja që do të realizohet duhet të forcojë lidhjen ne mes të kalasë dhe qytetit, duke siguruar që të mos dëmtojë në asnjë mënyrë as qendrën e qytetit e as vetë kalanë.

Si përfundim, megjithëse ka disa pika problematike në procesin e restaurimit të kalasë, duhet thënë se kalaja ka filluar të marrë një rol më aktiv në jetën e përditshme dhe ka një potencial të rëndësishëm për të ardhmen. Nuk duhet harruar se përfshirja e kalasë në jetën e përditshme qytetit është një nga kërkesat bazë që do të sigurojë mbrojtje më të mirë të kalasë. Sepse ruajtja e objekteve historike mund të arrihet jo duke i izoluar nga jeta urbane, por duke ruajtur funksionalitetin e tyre. Po ashtu, festivalet Dokufest dhe Ngom që mbahen në zonat e krijuara për aktivitete në kala, kanë një rëndësi të madhe për kalanë. Në të ardhmen duhet punuar që kalaja të përfshihet më shumë në jetën e përditshme me skenarë dhe aktivitete të ndryshme përdorimi. Përdorimi i skenës së krijuar dhe amfiteatrit për shfaqje teatrale, si dhe organizimi i ekspozitave të hapura ose gjysmë të hapura në zonat e lejuara nga struktura e kalasë mund të jenë disa nga sugjerimet kryesore. Sidomos me pasurimin e rrugëve që të çojnë në kala, me shtigje vrapimi dhe çiklizmi, kalaja mund të marrë një strukturë më të arritshme, ku qytetarët kalojnë më shumë kohë. Nga ana tjetër, është thelbësore të ndërmerren hapa të ndryshëm në mënyrë që qytetarët të informohen më shumë për rëndësinë historike të kalasë dhe elementët e kujtesës që ajo përmban, duke iu sjellë opsione që i lejon ata të kalojnë më shumë kohë në kala. Këto përfshijnë vendosjen e më shumë tabelave informuese, pikat e vëzhgimit interaktiv me kohë të plotë përmes teknologjisë së realitetit të shtuar (Augmented Reality – AR) në kala, zgjatjen e orarit të vizitës me një sistem ndriçimi më të mirë, pasurimin e kalasë me mobilje të ndryshme urbane dhe pyllëzimin e zonave të caktuara. Një nga çështjet më të rëndësishme në drejtim të ruajtjes së kalasë dhe transferimit të strukturës së saj origjinale tek brezat e ardhshëm është të sigurohet që struktura e kalasë të mos dëmtohet në asnjë mënyrë gjatë ngjarjeve të organizuara dhe të ndalohen ndërtimet e mëtejshme brenda saj.

© PRIZMA MEDIUM

Kjo përmbajtje është përgatitur me mbështetjen financiare të  CHwB Kosova dhe platformës GërrGërr. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrime të CHwB Kosova dhe platformës GerrGerr.