✎ Esin Muzbeg

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës krijoi një re të tillë pluhuri. Teksa bëhej më e vështirë arritja e fakteve; paragjykimet, iluzionet dhe lajmet e rreme u bënë më të zakonshme në përmbajtjen mediatike. Nëse kërkojmë një të vërtetë të thjeshtë me një kuptim shumë të përgjithshëm, tashmë është e qartë se: ndërhyrja ruse është kundër rendit dhe ligjit ndërkombëtar të  vendosur deri më tani. Asgjë nuk mund të justifikojë një luftë të tillë.  Asnjë luftë nuk mund të ketë justifikim. Megjithatë, vetëm për shkak se kjo luftë po zhvillohet në Evropë, luftërat në vende të tjera të botës nuk duhen të nënvlerësohen. 

Për një kohë shumë të shkurtër, u krijua aq shumë material  rreth fakteve mediatike lidhur me luftën në Ukrainë, saqë për shkencëtarët e komunikimit  u bë primare shqyrtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me krizat themelore të rendit botëror.  Duke u nisur nga etika e gazetarisë e deri tek racizmi dhe diskriminimi, të gjitha këto çështje shtruan nevojën e shqyrtimit. Perëndimi me të drejtë ka mbajtur një qëndrim pro-ukrainas, ku edhe Kosova u rreshtua përkah tyre. Megjithatë, një re e madhe pluhuri vazhdon ende.  Tek kjo re pluhuri përfshihet edhe një propagandë mjaft e dukshme.  Çdo gjë që fsheh të vërtetën e dëmton edhe të vërtetën e thjeshtë të cilën e kemi përmendur më lartë.

Diskursi i krahasimit të refugjatëve (refugjati juaj është i keq, refugjati ynë është i mirë) është një retorikë raciste dhe nuk i sjell dobi çështjes së Ukrainës.  Në anën tjetër, edhe pse lajme të rreme të suksesit në front, po përdoren si strategji propagandistike politike dhe ushtarake nuk po kontribuojnë as për të vërtetën, as për fitoren e mundshme përfundimtare. Zbarkimi i ushtarëve me parashuta, përshëndetja e fëmijëve për ushtarët dhe fytyrat e tyre të lumtura, fotografia e gruas së plagosur e cila tashmë është bërë ikonë e luftës, momenti i bombardimit me dronë luftarak, nëse nuk janë të vërteta nuk i shërbejnë një çështjeje të vërtetë.  Shumë llogari të rreme ruse në media sociale dhe shumë media online pretenduan se gruaja e plagosur ishte një ‘aktore krize’. Në anën tjetër, Ukrainasja u plagos në këtë luftë dhe ishte e vërtetë.  Jo vetëm llogaritë e rreme, por edhe llogaritë e verifikuara mund të postojnë përmbajtje të pakonfirmuara ose postime mashtruese në kohë lufte. Për shembull, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ndau një imazh nga një lojë kompjuterike lidhur me pamjet e aeroplanit të rrëzuar rus. Përpjekjet dhe punimet kundër manipulimeve në rritje, informacioneve mashtruese dhe lajmeve të rreme u rritën gjithashtu. Megjithatë, pavarësisht kësaj, shumë përmbajtje mashtruese ende vazhdojnë  të përhapen nëpër media. Edhe pse përmbledhja e BBC-së lidhur me këtë temë është e kufizuar, ajo ka realizuar një studim të jashtëzakonshëm.

Burimi: BBC

Mediat duhet të japin gjithmonë lajme të sakta; të jenë të paanshme dhe objektive. Ky është një nga parimet më themelore të gazetarisë; kjo është çështje etike dhe morale gazetareske. Edhe nëse,  më shumë vlerësime, më shumë pëlqime, më shumë ndjekës, më shumë shikueshmëri, më shumë klikime, janë një objektiv për çdo media dhe çdo medium (individët mund të jenë edhe një medium sot), kjo nuk duhet të jetë në kundërshtim me parimet bazë të gazetarisë. Mendimi se çdo rrugë drejt fitores (suksesit) është e lejueshme është imorale (nëse shprehemi butësisht). Ata që e kanë këtë qasje mund ta mbajnë për vete imoralitetin e tyre, por kjo situatë kur përhapet në shoqëri në mënyrë strukturore çon në fashizëm. Si rezultat, kjo është  shumë  destruktive për të gjithë.

Megjithatë, disa media, disa gazetarë, ata që shpërndajnë lajme nga fushat e betejës dhe individë që tregojnë shembullin e gazetarisë qytetare, njerëz politikë apo dinjitarë, artistë dhe  ‘influencerat’ mund të jenë duke e shkelur këtë parim bazë me vetëdije ose pa vetëdije. Edhe në raste të tilla, jo të gjitha mediat mund të konsiderohen manipuluese sepse pavarësisht nga të gjitha këto, në natyrën e profesionit ekziston një qëndrim etik dhe një luftë e fortë.

Shoqëria është një masë e madhe me të përbashkëta minimale. Në kohën e polarizimit politik, bëhet e vështirë për shoqërinë të mbrojë të përbashkëtat e tyre minimale. Në kohë lufte, bëhet pothuajse e pamundur. Sepse lufta shkon përtej polarizimit dhe i detyron të gjithë të mbajnë anën. Puna tashmë e vështirë e gazetarëve këtu bëhet edhe më e vështirë. Gazetaria e lidhur në një tank sigurisht që do të jetë e njëanshme. Qëndrimi i paanshëm në mes të luftës e vë gazetarin në shënjestër.  Gazetaria është aq e vështirë sikurse të jesh në shënjestër në luftë dhe të mos goditesh.

Si rezultat, përmbajtjet manipuluese mund të shpërndahen me vetëdije ose pa vetëdije nga institucionet, profesionistët e medias, mjetet e propagandës ose qytetarët. Përgjegjësia më e madhe këtu, natyrisht, është e atyre që përhapin përmbajtje false. Megjithatë, përmbajtja ka edhe një dimension leximi. Këtu, detyra e lexuesit është t’a kalojë çdo përmbajtje nga filtri i leximit kritik. Këtë filtër shkurtimisht  e quajmë shkrim-leximi mediatik. Kjo është një aftësi që çdo qytetar duhet ta ketë.

© PRIZMA MEDIUM