Imzhë: Anya Berkut

Iniciativa për të dhënat e hapura në Kosovë për shumë vite me radhë është duke u promovuar nga përfaqësues të shoqërisë civile në mënyrë aktive. Ndërsa në anën tjetër Qeveria ka iniciuar hapa të rëndësishme për zhvillimin e aktiviteteve të reja bazuar në të Dhëna të Hapura. Më 29 korrik 2013, Qeveria e Kosovës miratoi Letrën e Synimit për t’iu bashkuar Partneritetit të Qeverisë së Hapur (PQH) dhe si rezultat i kësaj në prill të vitit 2014 u miratua Plani Kombëtar i Veprimit për PHQ 2014-2016, i cili është një dokument i udhëhequr nga Ministria e Integrimit Evropian dhe Lëvizja FOL (OJQ). Në vitin 2016, çështjet politike në lidhje me statusin e Kosovës, kanë shkaktuar pengesë që kërkesa e vendit për anëtarësim është refuzuar zyrtarisht nga Komiteti Drejtues i PHQ-së.

Përkundër këtyre zhvillimeve Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e Ministrisë së Administratës Publike ka vendosur që të vazhdoj me miratimin e Kartës për të Dhënat e Hapura në maj të vitit 2016, duke lansuar edhe portalin e parë kombëtar për Hapjen e të Dhënave në Kosovë. Ky portal ofron një gamë të të dhënave të hapura publike nga dymbëdhjetë kategori si: Qeveria dhe sektori publik, arsimi dhe kultura, shëndetësi, bujqësi, ekonomi dhe financa, drejtësia dhe siguria, prokurimi, popullsia dhe shoqëria, ambienti, transporti dhe infrastruktura, shkencë dhe teknologji, politikë. 

Portali Kombëtar për Hapjen e të Dhënave aktualisht ka 205 data sete nga 14 organizata/institucione. Të gjitha të dhënat e publikuara në portal janë në format të lexueshëm për kompjuterët (Excel, CSV), si dhe sipas licencës Creative Commons Attribution 4.0 International (CC BY 4.0).  Sigurisht që ky numër i data seteve nuk është i mjaftueshëm dhe ekziston nevoja që ky portal të zhvillohet më tej. 

Në shtator të vitit 2018 është realizuar Raporti i Vlerësimit të Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave- ODRA për Kosovën. Raport ky i cili bazohet në metodologjinë e Bankës Botërore dhe paraqet një vlerësim të kuadrit ligjor, strukturave institucionale, politikave për menaxhimin e të dhënave të hapura, infrastrukturës teknologjike etj. Po ashtu në përputhje me rekomandimet e Raportit për Vlerësimin e Gatishmërisë për Hapjen e të Dhënave (ODRA) dhe Kartën për të Dhëna të Hapura, Qeveria e Kosovës ka miratuat vendimin për Organizimin dhe Funksionimin e Strukturave Institucionale për të Dhëna të Hapura.

Nga data 04 korrik 2019, ka hyrë në fuqi Ligji nr.06/L-081, për Qasje në Dokumente Publike, i cili përmban një kapitull të veçantë për të Dhënat e Hapura. Bazuar në këtë ligj të gjitha institucionet obligohen që të dhënat e hapura ti publikojnë në një portal qendror për të dhëna të hapura, në format të hapur, i cili mundëson leximin dhe modifikimin e tyre pa barriera teknologjike, të cilat mund të lexohen nga pajisjet teknologjike dhe njerëzit. 

Aktualisht Qeveria e Kosovës gjegjësisht Agjencia e Shoqërisë së Informacionit e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme është bartësi i procesit të Hapjes së të Dhënave në Kosovë. Portali kombëtar tashmë është duke u rishikuar, dhe ri-dizajnuar dhe pritet që versioni i ri i tij do të rrisë transparencën, do të maksimizojë përparësitë shoqërore, përfshirjen qytetare  të cilat do të mundësohen përmes këtij portali. Shoqëria civile në Kosovë ka një rol aktive në fushën e “Hapjes së të Dhënave” ku sërish janë duke bërë përpjekje për të rifilluar procesin e aplikimit për anëtarësim në Partneritetin e Qeverive të Hapura (Open Government Partnenrship- OGP).

Në kuadër të organizatës ODK (Open Data Kosovo) janë implementuar projekte të shumta të cilat kanë shërbyer për promovimin e hapjes së të dhënave dhe transparencës në vendin tonë. Platforma “Pritja Kufitare” është një projekt e zhvilluar në bashkëpunim mes ODK-së dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Girls Coding Kosovo, ku qytetarët mund të mësojnë rreth nivelin e komunikacionit në të gjitha vendkalimet kufitare dhe në këtë mënyrë ua është mundësuar planifikimi i udhëtimeve, kursimi i kohës dhe pritjet në pikat kufitare. Së fundi ODK-ja është duke e zbatuar projektin “Nxitja e Qeverisjes së Mirë” e cila është një platformë gjithëpërfshirëse (e-participimit) e që synon angazhimin e qytetarëve në vendimmarrje dhe ofrimin e shërbimeve publike lidhur me aktivitetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Për më tepër kjo platformë ofron paraqitjen e drejtpërdrejt duke dorëzuar formularët elektronike dedikuar deputeteve/ëve për çështje të veçanta. Përmes kësaj platforme që shumë shpejtë pritët të lansohet qytetarët mund të adresojnë një problem apo një çështje specifike duke përdorur formularin elektronik. Një platformë e tillë sigurisht që do të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin e qeverisjes së mirë, ofrimin e shërbimeve publike, transparencën dhe llogaridhënien në tërësi. 

Çfarë janë të dhënat e hapura?

Në botën e sotme digjitale, rëndësia e të dhënave është rritur dukshëm dhe po ashtu nevoja për të kuptuar funksionimin e të dhënave se si të dhënat zbatohen në fusha të ndryshme në jetën tonë të përditshme është rritur po ashtu.

Qasja e të Dhënave të Hapura për herë të parë u ngrit në vitin 2009 në vende si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Zelanda e Re si një iniciativë e re për të hapur të dhënat e caktuara publike për përdorim të përgjithshëm. Kjo nismë  është përhapur shumë shpejt edhe në shumë shtete tjera të ndryshme për të siguruar qasje publike në informacion.

Të dhënat e hapura përkufizohen si të dhëna të lexueshme nga makina, të shpërndara në mënyrë të lirë, të përdorura dhe të ri përdorura. Ideja e të Dhënave të Hapura është shumë e thjeshtë, pra të dhënat duhet të jenë lehtë e qasshme në mënyrë që ato mund të përdorën nga kushdo, në kohë reale dhe pa nevojë të patentit apo kufizimeve tjera. Me fjalë të tjera, të dhënat e hapura janë të dhëna që mund të përdorën nga të gjithë dhe shpërndahen falas, pa pengesa ligjore, financiare dhe teknologjike. 

Rasti i Estonisë

Në mbarë botën kanë filluar të zbatojnë procese të digjitalizuar në ofrimin e shërbimeve të ndryshme duke synuar rritjen e efikasitetit dhe zgjerimin e shërbimeve që ata ofrojnë. Estonia me 1.3 milionë banor, është një shembull frymëzues për procesin e digjitalizimit. Estonia ka mundësuar që qytetarët të saj të edukohen mbi informacione të proceseve administrative, mbi buxhetin e shtetit dhe mbi shumë tema të ndryshme sociale. Portali i të dhënave të Hapura së Qeverisë Estoneze ofron qasje në të dhënat e sektorit publik, të cilat mund të ripërdorën dhe shpërndahen. Vetëm nga muaji qershor të vitit 2020 në këtë portal janë publikuar më shumë se 700 data sete, disa prej të cilave përmbajnë edhe të dhëna hapësinore që kanë rëndësi të veçantë për hulumtime të ndryshme. Estonia është në rrugën e saj drejt digjitalizimit ka ndërtuar kombin digjital duke u shndërruar kështu si një nga vendet më të avancuar nga aspekti i digjitalizimit në botë. Është e domosdoshme të rritet niveli i ndërgjegjësimit për të Dhënat e Hapura dhe të zgjerohet përdorimi i saj. Ideja këtu nuk është vetëm hapja e të dhënave por edhe përditësimi i saj në mënyrë aktive dhe në kohë reale.

Si përfundim: Pse është e rëndësishme hapja e të dhënave?

Ka një gamë të gjerë dhe përfitime të shumta ndër sektoriale. Të dhënat e hapura përfitojnë nga performanca e qeverisë, zhvillimit ekonomik, rritjes sociale, inovacionit, e afron qeverinë me qytetarët dhe forcon demokracinë. Hapja e dhënave krijon një mjedis të përshtatshëm për qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, sektorin e biznesit dhe qeverinë për të punuar në mënyrë të bashkuar në adresimin e sfidave të rëndësishme duke përdorur metodat inovative. 

Të dhënat e hapura mund të ndihmojnë qeverinë të reduktojë kostot dhe të përmirësojë ofrimin e shërbimeve publike duke identifikuar mospërputhjet dhe mangësitë në politikat dhe programet ekzistuese. 

Një nga prioritetet kryesore të procesit të reformës së administratës publike në Kosovë është digjitalizimi i shërbimeve publike. Kjo është një nismë shumë e rëndësishme sepse do të kursejë uljen e kostove të qeverisë dhe do të kursejë paranë publike.

Të dhënat e hapura gjithashtu mund të ndihmojnë qeverinë të racionalizojë proceset administrative dhe mundëson një proces politikë bërjeje të bazuar në fakte.

✎ Ebru Zborça Spahi

© PRIZMA MEDIUM

Ebru Zborça Spahi- Aktualisht është eksperte në kuadër të Projektit: Mbështetje për Promovimin dhe Zbatimin e Agjendës së Modernizimit të Administratës Publike (SPIPAMA) e cila ofron mbështetje të drejtpërdrejte për Departamentin e Reformës së Administratës Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme për zbatimin e reformave thelbësore të modernizimit në Administratën Publike. Ajo ofron përkrahje për DRAP me koordinimin e përgjithshme të Agjendës së Reformës së Administratës Publike. Po ashtu është e involvuar në Hapjen e të Dhënave. Gjatë periudhës 2015-2020 ajo ka punuar si këshilltare për Integrime Evropiane dhe marrëdhënie me publikun për Ministrin e Administratës Publike ku ka qenë e angazhuar edhe për promovimin e Iniciativës së Dhënave të Hapura e kryesuar nga kjo Ministri.