Foto: UNDP/Facebook

UNDP ka publikuar gjashtëmujorin e Pulsit Publik që ofron një pasqyrë të dhjetë treguesve kyç të nxjerrë nga anketat përkatëse të opinionit, me të anketuar mbi moshën 18 në Kosovë. Përmbledhja e Pulsit Publik bazohet në anketën e opinionit të realizuar nga 6 deri më 24 prill 2022, me 1,306 të anketuar nga të gjitha komunitetet etnike në Kosovë. Të dhënat dhe treguesit nga anketa e opinionit zbërthehen sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë në mënyrë që të sigurohen informata të detajuara mbi dallimet në perceptimet për problemet zhvillimore me të cilat përballen qytetarët në Kosovë. 

Sipas Pulsit Publik, papunësia (36.4%), varfëria (21.1%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (7.7%) janë raportuar si çështje më madhore me të cilat përballet Kosova për momentin. Në anën tjetër, kujdesi shëndetësor (5.7%) dhe korrupsioni (5%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara nga të anketuarit. Ndërkaq, në vjeshtën e vitit 2021,  papunësia, varfëria dhe mjedisi ishin tri shqetësimet kryesore të qytetarëve në Kosovë. Kriza në Ukrainë duket se ka rritur shqetësimin e qytetarëve për rritjen e çmimeve për furnizimet esenciale, ku nuk u paraqit si problem madhor në sondazhin e vjeshtës 2021.

Vlen të theksohet se krahasuar me vjeshtën e vitit 2021 (9.3%), shkalla e atyre që e konsideronin korrupsionin si problem madhor ka rënë për 4.3 pikë përqindjeje. 

Serbët e Kosovës e konsiderojnë papunësinë (20.5%), çmimet e shërbimeve komunale (14.8%) dhe furnizimin me energji elektrike (11.4%) si tri çështjet më madhore, ndërsa për komunitetet e tjera të Kosovës problemi më i madh është papunësia (48%), pasuar nga varfëria (20.5%) dhe problemet me hapësirat urbane (13%). Për shqiptarët e Kosovës, papunësia (36.5%), varfëria (21.9%) dhe çmimet e furnizimeve esenciale (8.1%) ishin tri problemet më madhore në Kosovë.

Burrat dhe gratë janë kryesisht të shqetësuar për papunësinë, varfërinë dhe çmimet e furnizimeve esenciale. Ngjashëm me anketën e fundit të opinionit, gratë ishin më të shqetësuara për papunësinë (40%) sesa burrat (32.6%). Si gratë (20.2%) ashtu edhe burrat (21.8%) duket se janë njëlloj të shqetësuar për varfërinë. Megjithatë, burrat  ishin më të shqetësuar për çmimet e furnizimeve esenciale (9.1%) sesa gratë (6.4%).

Përqindja e të anketuarve që janë shumë të kënaqur dhe të kënaqur me drejtimin politik të Kosovës, ka rënë për 7.5 pikë përqindjeje (23.2%) krahasuar me vjeshtën 2021 (30.7%), kur kapi nivelin më të lartë të kënaqshmërisë të regjistruar ndonjëherë nga anketat e opinionit të Pulsit Publik. Rrjedhimisht, është rritur numri i të anketuarve shumë të pakënaqur dhe të pakënaqur me drejtimin politik të Kosovës dhe shkalla e pakënaqshmërisë ka arritur në 42.6%. Kjo ishte një rritje prej 9.4 pikë përqindjeje e shkallës së pakënaqshmërisë krahasuar me vjeshtën 2021 (33.2%), kur u regjistrua niveli më i ulët i pakënaqshmërisë nga anketat e opinionit të Pulsit Publik. Ndërkaq të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë që 23.9% e burrave dhe 22.3% e grave janë shumë të kënaqur/a dhe të kënaqur/a me drejtimin politik të Kosovës. Megjithatë, (34.1%) e grave janë më të pakënaqura në krahasim me burrat (31.2%) me drejtimin politik të Kosovës. 

Mesatarisht, 22.2% e të anketuarve pohojnë se perceptojnë që korrupsioni në shkallë të gjerë është i pranishëm në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovë. Kjo vlerë paraqet rënie prej 1.2 pikë përqindje nga vjeshta 2021 (23.4%), 2.8 pikë përqindje nga maji 2021 (25%), 5.8 pikë përqindje nga dhjetori 2020 (28%). Ky rezultat tregon një trend të qëndrueshëm pozitiv në perceptimin për korrupsionin në shkallë të gjerë krahasuar me vitet e mëparshme.

Shumica e të anketuarve (69.4%) kanë pohuar se opinionet e tyre për praninë e korrupsionit në shkallë të gjerë në institucionet publike dhe ndërkombëtare në Kosovo, kanë formuar përmes mediave të shkruara dhe elektronike dhe 27.2% nga bisedat me të afërmit dhe miqtë. Ndërsa 3.4% e të anketuarve kanë pohuar se në opinionet e tyre kanë ndikuar përvojat personale, kur atyre iu janë kërkuar para, dhurata, etj. 

Është regjistruar një rritje në Indeksin e Demokratizimit (ID). ID aktual u rrit për 0.07 pikë (1.66) nga vjeshta 2021, kur kjo vlerë ishte 1.59 pikë. Kjo shifër sugjeron se më shumë se gjysma e qytetarëve në Kosovë kanë pikëpamje pozitive për proceset demokratike në Kosovë.

Ndërsa rreth njohurive të tyre në lidhje me të drejtën për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, 15.3% prej të anketuarve thanë se kanë shumë njohuri për këtë temë, 25.5% pohuan se kanë njohuri mesatare, kurse 40.7% e të anketuarve thanë se dijnë pak për këtë temë. Gjithsej 18.5% (27.5% në vjeshtën 2021 dhe 15.2% në maj 2021) thanë se nuk kanë njohuri për të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm.

Anketa e opinionit e Pulsit Publik e prillit 2022 shqyrtoi edhe vetëdijesimin e të anketuarve rreth kërcënimeve të mundshme mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe të familjeve të tyre. Teksa 9% e të anketuarve deklaruan se ishin plotësisht të vetëdijshëm rreth kërcënimeve të mundshme mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe familjeve të tyre, 73.9% e të anketuarve deklaruan se kishin pak njohuri ose njohuri mesatare rreth këtyre kërcënimeve. Gjithsej 17.1% e të anketuarve deklaruan se nuk kishin njohuri rreth kërcënimeve të mundshme mjedisore ndaj shëndetit të tyre dhe të familjeve të tyre. 

Gjetjet e paraqitura në të gjeturate e Pulsit Publik bazohen në anketën e opinionit me 1,306 të anketuar në Kosovë mbi moshën 18 vjeçare, të realizuar nga 6 deri më 24 prill 2022. Mostra ka përfshier numër të njëjtë të grave dhe burrave nga të gjitha komunat, duke mbuluar si zonat urbane ashtu edhe rurale. Në aspektin e përfaqësimit etnik, mostra ka përfshirë 896 shqiptarë të Kosovës, 210 serbë të Kosovës dhe 200 pjesëtarë të komuniteteve të tjera të Kosovës (ashkali të Kosovës, boshnjak të Kosovës, egjiptas të Kosovës, goranë të Kosovës, romë të Kosovës, dhe turq të Kosovës) Anketa u krye në bazë të mostrimit me probabilitet rastësor në etapa të shumëfishta, dhe u krye përmes intervistave sy më sy. Mostra është përfaqësuese e ekonomive familjare në Kosovë.

© PRIZMA MEDIUM