Një i diplomuar që nuk e di shqipen e ka punën mjaft të vështirë
Të rinjtë e diplomuar jashtë vendit nga komuniteti turk fillojnë një jetë të re kur kthehen në Kosovë.
Të rinjtë e diplomuar jashtë vendit nga komuniteti turk fillojnë një jetë të re kur kthehen në Kosovë.
Semih Bilurdagi, i diplomuar për mësimdhënien e studimeve sociale, është kryetar i Shoqatës së të Diplomuarve të Turqisë. Me Bilurdagin biseduam për të rinjtë nga komuniteti turk që studiojnë jashtë vendit dhe për të ardhmen e tyre në Kosovë.
Bilurdagi gjatë periudhës së pandemisë ishte në krye të TÜMED, prandaj deklaroi se kishin vonesa në punën e tyre dhe se një pjesë e punës ishte ndalur, ai po ashtu tha se gjatë kësaj periudhe kanë punuar për kuadro, për formimin e bordit të ri drejtues dhe se është rizgjedhur kryetar.
Bilurdagi tha se TÜMED i cili u bën thirrje kosovarëve të diplomuar nga Turqia të bëjnë autokritikë për faktin se në shoqatë ka më së shumti anëtarë nga komuniteti turk, “Kjo mund të ketë arritur deri në këtë pikë me gabimet e bëra në të kaluarën ose disa gabime në të cilat kam qenë i pranishëm edhe unë, por as në statutin tonë dhe as në praktikë nuk ka ndonjë gjë që i pengon komunitetet e tjera të na bashkohen”.
Duke u shprehur se sot në menaxhimin e shoqatës ka anëtarë nga komuniteti shqiptar dhe ai boshnjak, Semih tha: “Megjithatë, duke pasur parasysh qytetin ku jetojmë dhe njerëzit që duan të merren me këto çështje, mund të themi se numri i anëtarëve nga komuniteti turk është më i lartë”. Bilurdagi thekson se pothuajse të gjithë anëtarët punojnë punë të ndryshme përveç shoqatës dhe thekson se marrin pjesë vullnetarisht në shoqatë dhe kjo situatë sjell disa mangësi. Semih tha, “Kur ne duhet të organizojmë një aktivitet, përpiqemi të ndajmë detyrat në kohën kur u përshtatet të gjithëve dhe bëjmë të mundur që të gjithë të marrin pjesë, si rezultat, ne për fat të keq nuk mund të bëjmë gjithçka në mënyrë perfekte. Për shembull, kemi marrë kritika se disa njoftime dhe postime në rrjetet sociale janë bërë vetëm në gjuhën turke. Këtu edhe mua më duhet të bëj një autokritikë. Por siç thashë, ka fusha që nuk mund t’i arrijmë. Dera jonë është gjithmonë e hapur për të diplomuarit që mund të na ndihmojnë në këto fusha.”
Duke përmendur se koncepti i gabuar që shoqata është e hapur vetëm për qytetarët nga komuniteti turk duhet të tejkalohet, Semih nënvizon se dëshiron të ftojë në shoqatë të gjithë kosovarët që janë të diplomuar nga Turqia dhe se dyert e tij janë të hapura për të punuar së bashku në fushat që konsiderohen të mangëta.
Pas shoqatës dhe mangësive të saj, dua të vij tek të rinjtë e komunitetit turk të Kosovës të diplomuar në Turqi. Le të kalojmë te problemi i gjuhës dhe punësimi që sjell me vete?
Është një fakt, dihet niveli gjuhësor i studentëve që shkojnë në Turqi. Nuk është aq i mirë. Ata përpiqen në Turqi ta përmirësojë gjuhën angleze. Kur vijnë, në një farë mënyre hidhen në një jetë të re. Dhe sigurisht, ata kanë të drejtë të shprehen ligjërisht në gjuhën e tyre në nivel lokal. Gjithsesi, problemi i parë fillon kur përpiqen të marrin një diplomë ekuivalente. Ata nuk mund të shprehen dhe tronditja e parë përjetohet. Procesi i përshtatjes ndonjëherë mund të zgjasë më shumë.
Puna e një të diplomuari që nuk flet shqip është mjaft e vështirë. Të jetosh në Kosovë dhe të mos njohësh gjuhën nuk më duket shumë e shpjegueshme, sinqerisht. Do të doja të jap një shembull nga vetja. Kur u ktheva nga Turqia, isha si peshk pa ujë. Por bëra një përpjekje, këtu e nisa masterin. Unë ende lexoj çdo ditë gazetën shqipe dhe përpiqem ta përkthej atë më vete. Ka njerëz që janë shumë të arsimuar, por fakti që nuk mund të flasin për temat e caktuara, i bën ata të heshtin sikur të mos e dinë këtë temë.
Në fakt, këtu bëhet fjalë për një përpjekje individuale, a nuk duhet të ndërmerren hapa institucionalë për këtë mangësi dhe t’u ofrohen mundësi të gjithëve, qofshin shkolla apo organizata joqeveritare?
Mendoj se ka pasur më shumë probleme në arsim kur ne studionim. Por duke pasur parasysh kushtet e asaj kohe, mund të thuhet se nuk kishte arsim në gjuhën shqipe. Nuk them që nuk ka pasur mësues. Lexonim një poezi, bënim dy ose tre diktime dhe mësonim dy ose tre fjalë të thjeshta, si si je dhe a je mirë. Dhe kur dikush në klasë fliste për lojën e futbollit, tema shpërbëhej dhe gjithçka merrte kahje tjetër. Edhe nëse arsimi aktual në gjuhën shqipe është i mirë, nuk mund të anashkalojmë brezat që studionin në atë kohë.
Megjithatë, këtë vit si shoqatë po mundohemi t’i mbështesim të sapodiplomuarit në mënyrë që ata të përshtaten me situatën aktuale. Do të fillojmë edhe kursin tonë shqip. Ne do të fillojmë një kurs shqip me çmime të arsyeshme për të sapodiplomuarit tanë nga Turqia dhe ata që duan të mësojnë shqip.
Po punësimi?
Papunësia është në fakt një problem i ditëve të sotme. Ndonjëherë mund të bëhen zgjedhje të gabuara universitare. Fatkeqësisht, këtu është e pamundur të merret ekuivalenca e disa pjesëve. Baza jonë e të dhënave gjithashtu duhet të përditësohet. Megjithatë, sipas informacioneve jozyrtare janë mbi 1300 të diplomuar turq. Duke theksuar se e kam fjalën për sektorin privat, mund të them se rreth 80 për qind e të diplomuarve në Turqi nuk e kanë problem të gjejnë punë. Veç kësaj, unë nuk njoh asnjë të diplomuar që të ketë mbaruar universitete të mira, të ketë përmirësuar veten dhe si pasojë të ketë mbetur i papunë, pavarësisht nga cili komunitet është. Megjithatë, siç e përmenda, ekziston një faktor gjuhësor për komunitetet joshumicë. Fatkeqësisht, punësimi në sektorin publik nuk është i tillë. Nuk mund të them se kemi përfituar nga kuotat e dhëna për komunitetet joshumicë. Përveç programit të gjuhës, ne kemi diskutime me pronarët e kompanive turke për mundësitë e praktikës. Ne e mendojmë këtë për një periudhë afatshkurte si lloj praktike. Si shoqatë po merremi me këtë fushë. Ne po mundohemi të sigurojmë një vazhdimësi të kësaj në shoqatë. Ndarja e njohurive me gjeneratat e reja. Duke organizuar mbledhje për planifikimin e karrierës, ne planifikojmë t’i ndihmojmë të diplomuarit tanë në hapat që do të ndërmarrin.
Është një çështje që mendoj se do ta ndihmojë më shumë procesin e përshtatjes. Aktualisht, ne kemi nga 50 deri në 60 të diplomuar turq që zotërojnë kompani, duke i vizituar ata, ne do të përpiqemi t’u hapim dyert dhe të sigurojmë punësim për të diplomuarit tanë nga fushat e tyre në mënyrë që të kontribuojnë më shumë në shoqëri.
Semih, a ka ndonjë gjë që dëshironi të shtoni në fund?
Në fakt ka. Dera jonë është gjithmonë e hapur për të gjithë të diplomuarit tanë, pavarësisht nga cili komunitet janë. Gjatë krijimit të menaxhmentit të ri, kam pasur shumë takime.
Deri më sot, menaxherët tanë, përfshirë edhe mua, ishim nga komuniteti turk. Qëllimi i shoqatës tonë është i qartë, pse të mos kemi një ditë një menaxher nga një komunitet tjetër? Kjo është arsyeja pse ne mirëpresim këdo që mund të kontribuojë.
Intervistë: Suer Celina
Kjo intervista përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”