Të moshuarit ndërmjet të drejtave dhe sfidave
Mirëqenia e të moshuarve paraqet një çështje të ndjeshme për shtetin e shoqërinë. Kjo temë imponon plane dhe aktivizëm të shumanshëm.
Mirëqenia e të moshuarve paraqet një çështje të ndjeshme për shtetin e shoqërinë. Kjo temë imponon plane dhe aktivizëm të shumanshëm.
Ky artikull ka në fokus trajtimin analitik të të drejtave të personave të moshuar dhe mundësive që u ofrohen atyre në zbatimin e këtyre të drejtave, gjithnjë në prizmin e sfidave me të cilat përballet kjo kategori e shoqërisë.
Kuadri juridik
Të drejtat e të moshuarve nuk janë rregulluar në nivelin e duhur në të drejtën ndërkombëtare për të drejtat të njeriut. Kjo kategori vazhdon të mos e gëzojë vëmendjen e merituar as nga instancat që i mbikëqyrin të drejtat e njeriut. Megjithëkëtë ekzistojnë disa dispozita juridike që prekin, qoftë edhe shkarazi, të drejtat e të moshuarve. Në këtë kontekst, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut thekson që gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta (neni 1). Nga këtu kuptohet që kriteri i barazisë dhe i respektimit të dinjitetit vlen njëlloj për të gjithë njerëzit, pavarësisht identitetit a moshës së tyre. Gjithashtu kjo Deklaratë përcakton që çdokush ka të drejtë për të qenë i siguruar në rast pleqërie (neni 25/1). Sikundërqë duket, pleqëria potencohet veçanërisht si kategori, për të cilën duhet pasur kujdes të shtuar.
Kështu, një gamë e të drejtave ndërlidhet natyrshëm me të moshuarit. Për shembull, pensionet, përparësitë e sigurimit shëndetësor, qasja në shërbimet shëndetësore, etj. janë forma që vetvetiu më tepër i referohen të moshuarve për shkak të nevojave specifike që ata kanë. Këtejmi, Kushtetuta e Kosovës parasheh që sigurimi social themelor që ka të bëjë me moshën e shtyrë garantohet dhe rregullohet me ligj (neni 51/2).
Statusi i të moshuarve
Të moshuarit e sotëm janë rinia e së djeshmes. Dhe ky cikël do të vazhdojë. Ata nuk duhet të konsiderohen grup i margjinalizuar, por pjesë aktive e shoqërisë. Kujdesi ndaj të moshuarve e zhvillon në mënyrë evolutive shoqërinë. Kërkesat e të moshuarve duhet të merren me seriozitet nga institucionet ngase zgjidhja e një problemi social sot, parandalon thellimin e atij problemi në të ardhmen. Këto kërkesa nxiten nga pritmëria legjitime e tyre për një trajtim të dinjitetshëm. Avancimi i kujdesit shëndetësor geriatrik, organizimi më i zhvilluar i transportit urban, themelimi i klubeve të ndryshme, përmirësimi i gjendjes ekonomike përmes lehtësirave financiare, etj. e ndërtojnë bazën për strukturën e kërkesave konkrete që burojnë nga të moshuarit. Në anën tjetër, duke ofruar shërbime publike cilësore nga institucionet dhe duke shtyrë përpara projekte të shoqërisë civile, të moshuarit vetiu do të jenë subjekte pjesëmarrëse aktive në shoqëri.
Mirëqenia e sfiduar
Aktualisht në Kosovë vihet re dukshëm mungesa e shërbimeve të veçanta për të moshuarit.
Në aspektin infrastrukturor e urban bie në sy numri tejet i vogël i parqeve dhe qendrave rekreative ku të moshuarit mund të kalojnë kohën e lirë.
Në pikëpamje të të ardhurave gjithashtu kundrohen mangësi. Të moshuarit që e ndiejnë veten ende të aftë për të punuar e kanë të vështirë të punësohen ngaqë shteti nuk ofron angazhime alternative për ta kurse sektori privat heziton. Për më tepër, pensionet janë relativisht të ulëta dhe kjo ua ngatërron jetesën atyre.
Po ashtu janë të pamjaftueshme azilet publike për të moshuarit. Megjithëse edhe azilet private janë të pakta, aty duhet të dëshmohet një mbikëqyrje më aktive e autoriteteve shtetërore. Ende është i freskët rasti i një zonje të moshuar që ishte keqtrajtuar nga vetë stafi në një azil privat në Pejë.
Për ta konkretizuar tutje problematikën, nëse i referohemi të kaluarës së afërt, mund të konstatohet se numri i lartë i vdekjes së të moshuarve prej sëmundjes COVID-19 nuk mund të lexohet vetëm si rrjedhojë e imunitetit të tyre më të dobët, por është edhe rezultat i pamjaftueshmërisë së sistemit shëndetësor e social për të ofruar shërbime më të mira për këtë kategori të ndjeshme dhe mbase edhe e mungesës së kulturës kolektive për t’u kujdesur më mirë për ta.
Krahas këtyre sfidave, të moshuarit mund të jenë viktima edhe të llojeve të ndryshme të abuzimit, si: abuzimi fizik, abuzimi emocional, abuzimi psikologjik, abuzimi financiar, abuzimi seksual, braktisja nga familjarët, etj.
Detyrat e autoriteteve publike
Në prizmin ndërkombëtar, e pakontestueshme është nevoja që në kuadër të OKB-së të nxirret një konventë e veçantë për të drejtat e pleqve dhe ajo të jetë e zbatueshme edhe në Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë do të parandaloheshin shprehimisht format e diskriminimit, do të garantoheshin shërbime më të avancuara, do të plotësoheshin zbrazëtirat ligjore dhe përgjithësisht do të sigurohej një jetë më dinjitoze më të moshuarit.
Në rrafshin shtetëror, autoritetet duhet të zhvillojnë luftë të pakompromis kundër përpjekjeve diskriminuese ndaj të moshuarve në jetën publike. Nuk duhet lejuar assesi që të moshuarit si subjekte të shndërrohen në objekte stereotipi. Nuk duhet harruar se dukuria e diskriminimit e prodhon dhunën.
Politikat buxhetore duhen rivlerësuar vazhdimisht me prirjen për të avancuar shërbimet për të moshuarit.
Një pikë e rëndësishme për të moshuarit është edhe e drejta e punësimit të tyre. Ata nuk duhet të cilësohen të paaftë për punë vetëm për shkak të arritjes në një moshë të caktuar. Fundja, aftësia për punë ka të bëjë me gjykimin e shëndoshë mendor dhe fuqinë fizike.
Në kuadër te politikave lokale, komunat duhet t’i përfshijnë të moshuarit në hartimin e politikave kulturore e artistike, politikave të mjedisit e të transportit, etj. Kësisoj, organet përkatëse komunale duhet të iniciojnë sa më shumë takime me grupe të caktuara të të moshuarve (varësisht nga profesioni i tyre) dhe të marrin ide rreth pritmërisë të tyre për një qytet të hapur për të gjithë. Sipas nevojës në situata të caktuara, mund të mendohet edhe themelimi i trupave këshillëdhënëse me persona të moshuar. Kjo praktikë jo vetëm që do të rriste cilësinë e jetesës në qytet, por edhe do të ishte shenjë e respektimit të kësaj kategorie.
Roli i komunitetit
Përderisa shteti duhet t’i ndërmarrë të gjitha masat për t’i garantuar të drejtat e të moshuarve, shoqëria duhet të tregojë vigjilencë në respektimin e tyre. Posaçërisht edukimi në shkolla dhe shoqëria civile duhet të luajnë një rol proaktiv për të ngritur vetëdijesimin për të drejtat e kësaj kategorie shoqërore, përfshirë edhe trysninë demokratike ndaj institucioneve dhe udhëheqësve të pushtetit qendror e lokal me qëllim përmirësimin dhe avancimin e të drejtave dhe shërbimeve për të moshuarit. Kështu, shoqëria civile duhet t’i identifikojë problemet, të krijojë grupe mbështetëse, të iniciojë bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe të ngrejë zërin në medie për të nxitur angazhimin e pritur nga institucionet relevante.
✎ Ditar Kabashi
Ditar Kabashi lindi më 1990 në Prizren. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në vendlindje. Studimet themelore (bachelor) dhe studimet master në Drejtimin Kushtetues-Administrativ i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ka doktoruar në Departamentin e të Drejtës Publike në Universitetin “Gazi” në Ankara të Turqisë.
Aktualisht ligjëron lëndë juridike në institucione të arsimit të lartë në Kosovë.
Ditar Kabashi preokupohet me punime shkencore dhe analiza për çështje të ndryshme në sferën e drejtësisë. Krahas fushës profesionale juridike, ai merret edhe me organizime letrare dhe me shkrime eseistike.
Deri më tani ka botuar tre libra, prej tyre dy studime në fushën juridike dhe një në sferën e publicistikës.
Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”