Foto: Ferdi Limani

Duket se ka kaluar shumë kohë që nga pandemia, numri i rasteve dhe vdekjeve të shumta, maskat dhe rregullat e higjienës si dhe ditët e karantinës kur nuk dilnim nga shtëpia. Dhe tani, meqenëse pjesa më e madhe e jetës duket e njëjtë si para pandemisë dhe të gjitha masat ndaj kësaj gjendje janë zhdukur, njerëzit po pyesin: A ka mbaruar pandemia?

Është e vështirë të përcaktohet fillimi i një pandemie; e njëjta gjë vlen edhe për përfundimin e saj. Nga pikëpamja e shëndetit publik, ne e kemi të qartë se jemi ende brenda një pandemie. Pyetja është kjo, “Në cilën fazë të pandemisë jemi?”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se fundi i pandemisë është afër. Duke njoftuar se në javën e parë të nëntorit në botë kishte mbi 9400 vdekje nga COVID-19, OBSH tha se në shkurt 2022, ky numër ishte mbi 75000’ dhe vdekjet që nga shkurti e deri në ditët e sotme ishin ulur rreth 90%. Sipas raporteve javore epidemiologjike të OBSH-së, javën e kaluar pati një rritje prej 2% të rasteve, duke e çuar numrin në 2.3 milionë infeksione. OBSH paralajmëroi gjithashtu se numri aktual i infeksioneve ka të ngjarë të jetë më i lartë se sa e mendojmë “për shkak të rënies së testimit globalisht”.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Joe Biden, me deklaratën e tij në shtator, tha se epidemia ka marrë fund, duke shqetësuar opinionin tashmë të ndarë dhe duke bërë që ekspertët të mbajnë anën e tyre. Por një pandemi nuk mund të shpallet “e mbaruar” kur ka më shumë se ~ 40,000 raste të reja dhe ~ 400 vdekje në ditë vetëm në SHBA, po ashtu 500,000 raste dhe rreth 2,000 vdekje në mbarë botën çdo ditë!

Shumë pandemi përfundimisht bëhen endemike, që do të thotë se infeksioni është ende i pranishëm në një rajon ose popullatë, por sjellja e tij është e parashikueshme.

Kur shikojmë statistikat e publikuara ditore për COVID-19, numri i të sapodiagnostikuarve me COVID-19 dhe numri i vdekjeve tenton të ulet në shumë vende. Nëse kjo tendencë vazhdon, pandemia gradualisht do t’i lërë vendin e saj endemisë. Vetëm për shkak se një infeksion është endemik nuk do të thotë se është i padëmshëm, por në këtë gjendje ne nuk do të prisnim që rastet dhe vdekjet të jenë në rritje.

Të mësuarit e të jetuarit me një virus është një tipar kryesor i një virusi endemik. Në fakt, ne sot jetojmë me shumë viruse endemike, mendojeni gripin apo edhe ftohjen e zakonshme. Ne jemi mësuar me këto viruse për shkak të gjendjes së tyre më të lehtë dhe ekzistencës së tyre të gjatë. Sëmundja COVID-19 është gjithashtu një kandidat për të qenë në mesin e këtyre infeksioneve endemike. Por nuk mund të themi diçka të sigurtë se si do sillet virusi Covid – 19 gjatë kohës së endemisë. Për shkak të nivelit të ndryshueshëm të imunitetit në komunitet, edhe kushtet tregojnë dinamikë me kalimin e kohës.

Këto kushte do tregojnë nëse COVID-19 me kalimin e kohës do shfaqet si grip sezonal apo si infeksion i ftohjes, pra do kalojë në komunitet si epidemi, apo nëse infeksioni do të ndodhë në komunitet në mënyrë të vazhdueshme, sikurse virusi HIV.

Nga ana tjetër, falë masave të shumta që kemi marrë që nga fillimi i pandemisë, janë ulur ndjeshëm edhe viruset e tjera respiratore. Në fakt parashikohet që këto viruse të rishfaqen pak më dhunshëm këtë vit, pasi masat janë reduktuar që nga viti i kaluar dhe janë hequr plotësisht këtë vit. Për sa i përket gripit, ka pasur një shpërthim në hemisferën jugore, veçanërisht në Australi dhe ata gjenden tani në fund të sezonit.

Si përmbledhje, virusi SARS-CoV-2 që shkaktoi sëmundjen COVID-19 do të jetë gjithmonë me ne. Një ditë, sigurisht, do të shfaqë një profil endemik si viruset e tjerë. Ndoshta do të na duhen vite për të arritur aty. Megjithatë, e rëndësishme është që ne të vazhdojmë të marrim masa të arsyeshme sipas rajonit ku jetojmë.

✎ Şeyma Celina Suroy

© PRIZMA MEDIUM