Komiteti për Komunitete që funksionon në kuadër të Kuvendit të Komunës së Prizrenit gjatë vitit 2022 ka mbajtur 11 mbledhje, me synimin që ti trajtojë e adresojë shqetësimet aktuale me të cilat ballafaqohen komunitetet jo-shumicë. Dinamika e punës, sikurse edhe hapja e takimeve të këtij organi komunal gjatë këtij viti është vlerësuar nga monitoruesit. Megjithëkëtë drejtuesit e Komitetit dhe monitoruesit janë pajtuar se ka ende sfida ekzistuese që duhet të adresohen e zgjidhen me një rol më proaktiv të të gjitha organeve komunale. 

Kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Ertan Simitçi ka pohuar se në përbërjen aktuale të këtij organi përfaqësohen të gjitha komunitetet dhe se takimet e tij gjatë vitit 2022 kanë qenë të hapura për mediat e shoqërinë civile. Sipas tij janë mbajtur 11 takime, ku janë prekur çështje të ndryshme që preokupojnë komunitetet jo-shumicë. Duke prezantuar raportin vjetor ai ka pranuar se në këtë mandat janë hasur disa probleme që ndërlidhen me moszbatimin e ligjeve në fuqi.

“Komuniteti boshnjak dhe turk, ndihen të diskriminuar nga pikëpamja e qasjes në përdorimin e gjuhëve zyrtare. Gjithashtu, ekziston mungesa e kapaciteteve të brendshme për të adresuar rregullisht çështjet lidhur me zbatimin e Ligjit Nr. 02/L-37 për Përdorimin e Gjuhëve”, ka thënë ai. Sipas tij, komunitetet përballen gjithashtu me barriera të ndryshme të punësimit në institucione publike, në nivel komunal. “Situata aktuale e punësimit nuk dihet saktësisht për arsye sepse mungojnë të dhëna të përditësuara zyrtare”, ka deklaruar ai, duke shtuar se edhe kërkesa për raportim në Komitet nga Zyra përkatëse komunale nuk është realizuar gjatë vitit 2022. Ai ka theksuar se pushteti lokal duhet të fillojë të parashikojë edhe buxhet për ngritjen, mbështetjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale. 

Ai ka nënvizuar se edhe zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komuniteteve është sfidues për shkak të ekzistimit edhe të dilemave ligjore. “Që nga viti 2013 deri më tani Komunat ballafaqohen me sfidën e zgjedhjes së nënkryetarit për komunitete, për arsye se sipas legjislacionit në fuqi ka shumë paqartësi dhe konflikte lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete. Po ashtu është një çështje ku deri më tani nuk ka pasur vullnet politik që të bëhet një zgjidhje për emërimin e nënkryetarit; apo nuk ka pasur vullnet politik që të bëhen ndryshimet në legjislacion. Çështja e nënkryetarit për komunitete në Prizren, mbetët si një temë për t’u diskutuar në vitin 2023, me të gjithë partitë politike dhe institucionet përgjegjëse”, është shprehur ai. Tutje ka vlerësuar se në përgjithësi përfaqësimi, promovimi dhe njohja e identitetit të komuniteteve jo shumicë si pjesë përbërëse e shoqërisë, has në vështirësi të natyrave të ndryshme, si punësimi i ulët i komuniteteve pranë institucione komunale dhe në ndërmarrjet komunale, pjesëmarrja e ulët në komisione komunale, përfaqësimi i ulët në shkollat në pozicionet drejtor, zv. drejtor, sekretar, mos përkthimi i dokumenteve zyrtare dhe mos publikimi i tyre sipas ligjit, pastaj përqindja e ulët e planifikimit të buxhetit për komunitete jo shumicë, etj. 

Ndërkaq Mentar Karjagdiu nga Misioni i OSBE-së në Kosovë ka pohuar si të arritur faktin që në Komitetin për Komunitete përfaqësohen të gjitha komunitetet që jetojnë në Prizren, duke respektuar edhe aspektin e barazisë gjinore, sikurse edhe qasjen më të avancuar në krahasim me mandatet e kaluara duke u hapur për mediat e shoqërinë civile.  

“Komiteti ka prekur çështje të rëndësishme si qasja e komuniteteve në gjuhë, shërbime, shëndetësi, administratë, etj.”, ka thënë Karjagdiu. Sipas tij sfidë mbetet çështja e përkthimit në takimet e rregullta të këtij organi. Në të njëjtën kohë ka inkurajuar vazhdimin e bashkëpunimit me Zyrën komunale për komunitete e kthim. 

Edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave kanë vlerësuar transparencën në punën e komitetit, sikurse edhe angazhimin për të kërkuar raportim nga drejtorët për çështje të ndryshme, duke filluar nga arsimi, shëndetësia, kultura, shërbimet publike, financat, etj. Nga anëtarët e këtij komiteti është kërkuar një qasje më e përqendruar për zgjidhjen e ngërçit rreth zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komuniteteve, në mënyrë që shumë çështje të adresohen në Ekzekutiv përmes këtij mekanizmi institucional. 

Komiteti për Komunitete sipas legjislacionit në fuqi është komiteti i dytë obligativ i Kuvendit të Komunës,  detyrë e të cilit është shqyrtimi i përputhshmërisë së autoriteteve komunale me ligjin në zbatim, pastaj shqyrtimi i të gjitha politikave komunale, praktikave dhe aktiviteteve për t’u siguruar se respektohen plotësisht të drejtat dhe interesat e komuniteteve, sikurse edhe adresimi i rekomandimeve te Kuvendi i Komunës për masat që duhet të ndërmerren për të siguruar jetësimin e dispozitave që kanë të bëjnë me nevojën e komuniteteve për të avancuar, shprehur, mbrojtur dhe zhvilluar identitetin e tyre etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor, si dhe për të siguruar mbrojtje adekuate të të drejtave të komuniteteve brenda komunës.

© PRIZMA MEDIUM

Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”