Vizual: ICIJ

Pasuria dhe bizneset e fshehura të udhëheqësve botërorë, politikanëve dhe miliarderëve janë zbuluar në një nga rrjedhjet më të mëdha të dokumenteve financiare.

I përbërë nga 12 milionë dosje të rrjedhura që hedhin dritë mbi botën e fshehtë të financave ‘’offshore’’(në det të hapur) dhe parajsave tatimore, ‘Dokumentet e Pandorës’ përfshijnë emrat e gati 35 udhëheqësve aktualë, të mëparshëm dhe të më shumë se 300 zyrtarëve publikë.

Gazetarët hulumtues kanë lëshuar një raport të ri mbi përfshirjen e supozuar të udhëheqësve botërorë dhe individëve të tjerë të profilit të lartë në skema të ndryshme të parajsës tatimore.

“Dokumentet Pandora” të sapo publikuara nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ), është pohuar se janë “zbulimi më gjithëpërfshirës i privatësisë financiare ndonjëherë”.

Dokumentet tregojnë, për shembull, se si Mbreti i Jordanisë grumbulloi fshehurazi një perandori të pasurive të patundshme, në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA prej më shumë se 70 milion £ (100 milion dollarë).

Ato zbulojnë, gjithashtu, se si ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe gruaja e tij kursyen 312,000£ në taksa kur blenë një zyrë në Londër.

U shpalos edhe se si Presidenti azerbajxhan Ilham Aliyev, familja e tij dhe bashkëpunëtorët e ngushtë ishin përfshirë fshehurazi në marrëveshje të pasurive të patundshme me vlerë të më shumë se 400 milionë £ në Angli.

Zbulime të tjera në Dokumentet Pandora përfshijnë:

-Presidenti kenian Uhuru Kenyatta dhe gjashtë anëtarë të familjes së tij posedojnë fshehurazi një rrjet kompanish ‘’offshore’’. Ata janë të lidhur me 11 kompani, ku secili vlerësohet 30 milion dollarë në pasuri.

– Anëtarët e rrethit të ngushtë të kryeministrit pakistanez Imran Khan, përfshirë edhe ministrat e kabinetit dhe familjet e tyre, zotërojnë kompani dhe truste që mbajnë miliona dollarë fshehurazi.

– Firma juridike e themeluar nga udhëheqësi i administratës greke qipriote Nicos Anastasiades duket se ka siguruar pronarë të rremë për të fshehur pronarët e vërtetë të një numri kompanish ‘’offshore’’ (një ish -politikan rus i akuzuar për përvetësim të parave). Sidoqoftë, zyra juridike e mohon këtë.

-Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky transferoi aksionet e tij në një kompani sekrete ‘’offshore’’ pak para se të fitonte zgjedhjet e vitit 2019.

– Presidenti ekuadorian Guillermo Lasso, një ish-bankier, ka zëvendësuar një fondacion panamez që bën pagesa mujore për anëtarët e ngushtë të familjes me një trust që gjendet në South Dakota, SHBA.

Triliona dollarë

“Nuk ka ndodhur asgjë në këtë shkallë,” tha Fergus Shiel, Kryeredaktor i ICIJ. “Kjo demonstron realitetin e asaj që kompanitë “offshore” mund të ofrojnë për njerëzit, të fshehin para të rrezikshme ose të shmangin taksën.”

Kolegu i Shiel Gerard Ryle tha: “Ne po flasim për disa nga njerëzit më të famshëm në botë të paraqitur në këto dokumente. Presidentë, kryeministra, ministra… Ne nuk po i shohim disa miliona dollarë këtu. “Ne po i shohim triliona dollarë,” tha ai.

Çfarë janë Dokumentet Pandora?

“Dokumentet Pandora” janë një rrjedhje prej gati 12 milionë dokumentesh dhe dosjesh që zbulojnë pasurinë dhe bizneset e fshehura të udhëheqësve botërorë, politikanëve dhe miliarderëve.

Të dhënat u morën nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues në Uashington DC, i cili po e udhëheq hetimin më të madh global ndonjëherë. Më shumë se 600 gazetarë nga 117 vende kanë parë pasurinë e fshehur të disa prej njerëzve më të fuqishëm në planet.

Dokumentet janë emëruar pas mitit grek për Kutinë e Pandorës. Në përrallë, Pandora hap një kuti të mbyllur që përmban forcat e së keqes dhe vuajtjes që, pasi të lirohen, nuk mund të përmbahen. Drejtori i ICIJ Gerard Ryle tha se rrjedhja u emërua kështu sepse “hapi një kuti për shumë gjëra”.

‘Ajans Bizim’

© PRIZMA MEDIUM