Thomas Robert Malthus / Mezzotint nga John Linnell, 1834.

✎ Şeyma Celina Suroy

Teoria e ekonomistit anglez Robert Thomas Malthus, i cili jetoi midis viteve 1766 dhe 1834, në përkufizimin e tij më të përgjithshëm, bazohet në teorinë se rritja e prodhimit të ushqimit do të jetë më e ngadaltë se rritja e popullsisë dhe rrjedhimisht edhe mirëqenia e jetës do të ulet. Sipas teorisë, popullsia njerëzore rritet gjeometrikisht (2, 4, 8, 16, 32…) më shpejt se burimet ekzistuese ushqimore, ndërsa burimet ushqimore rriten në mënyrë aritmetike, pra ‘lineare’ (1, 2, 3, 4, 5…). Pavarësisht nga pika e fillimit, këto dy kthesa përfundimisht do të kryqëzohen dhe burimet ushqimore do të bëhen të padisponueshme. Nëse burimet ushqimore janë të pakta, mjerimi do të jetë i pashmangshëm, segmenti me të ardhura të ulëta të shoqërisë nuk do të jetë në gjendje t’i arrijë ato, dhe kjo do të na çojë deri te vdekja. Domethënë, i forti do të mbijetojë, i dobëti do të eliminohet dhe vetëm në këtë mënyrë do të ruhet ekuilibri.

Sipas teorisë Malthusiane, kontrollet pozitive (positive checks) do të ndodhin kur rritja e popullsisë tejkalon nivelin e jetesës. Sipas Malthus uria, epidemitë dhe luftërat që kanë ndodhur gjatë historisë janë disa nga masat pozitive që kanë eliminuar këtë mosbalancim. Kur ndodhin epidemitë dhe kur del në pah uria, përsëri më të fortët, më të qëndrueshmit ose imunët do të mbijetojnë.

Malthus ishte një ekonomist pesimist që e shihte mjerimin dhe urinë si fatin e pashmangshëm të njeriut. “Teoria e Popullsisë”, e cila u parashtrua nga Malthus në fund të shekullit të 18-të, edhe pse ishte një pikëpamje e tmerrshme dhe pesimiste, ajo pati pasoja domethënëse në kohën kur u parashtrua dhe ndikoi tek shumë ekologë, biologë, ekonomistë dhe njerëz të shtetit. Charles Darwin ishte një prej tyre. Më 1838 ai deklaroi në biografinë e tij se kishte lexuar librin e Malthus-it “Një ese mbi Parimin e Popullsisë” (An Essay on The Principle of Population) dhe se ky libër ishte ndikues në formimin e ideve të “përzgjedhjes natyrore”. Edhe pse është e diskutueshme se sa ndikues ishte Malthus në të menduarit e Darvinit, nuk ka dyshim se pikëpamja e tij për luftën në shoqëri e bëri Darvinin të kuptonte rëndësinë e luftës në natyrë.

Me kalimin e kohës, u pa se teoria e Malthus nuk ishte plotësisht e drejtë. Ekonomitë filluan të rriteshin me shpejtësi, teknologjia dhe industria filluan të zhvillohen dhe teknologji shumë të ndryshme u përdorën në prodhimin e ushqimit. Si rezultat, norma e rritjes së popullsisë mbeti nën pritshmërinë e rritjes gjeometrike të Malthus dhe mjerimi e kriza nuk ndodhën si rezultat i rritjes së popullsisë së parashikuar nga Malthusianët për shekullin e 20-të. Malthus ishte një ekonomist pesimist dhe kur situata u zhvillua kështu, teoria e tij zuri vendin e saj në histori si një nga teoritë ekonomike pesimiste. Megjithatë, është e nevojshme të shikojmë tezën e Malthus-it nga këndvështrime të ndryshme dhe të gjejmë një përgjigje për pyetjen se çfarë mund të bëjmë për një të ardhme më të mirë.

Në fillim të Revolucionit Bujqësor, i cili ndodhi rreth 10 mijë vjet më parë, popullsia njerëzore në tokë vlerësohet se ishte 5 milionë. Kur Malthus parashtroi tezën e tij, popullsia e botës ishte afër 1 miliard. Në atë kohë natyra nuk ishte shkatërruar si sot dhe vendbanimet nuk ishin aq të përqendruara. Sot, popullsia është rritur në 7.7 miliardë, ose 6.7 herë më shumë se popullsia e kohës së Malthus. Në këtë periudhë prodhimi i produkteve ushqimore duket se është rritur shumë më shpejt. Megjithatë, kjo rritje e prodhimit po përparon në atë mënyrë që do të prishë strukturën e botës, do të ndotë natyrën, do të ndryshojë strukturën e ushqimit dhe do të komplikojë kushtet e jetesës së brezave të ardhshëm. Nga ana tjetër, sipas modeleve të Divizionit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara, popullsia njerëzore parashikohet të stabilizohet në rreth 10 miliardë deri në vitin 2050. Në botën e sotme globale, post-industriale, post-moderne dhe kapitaliste edhe pse rritja e popullsisë është ngadalësuar në krahasim me periudhat e mëparshme, ajo prap se prap po vazhdon të rritet. Edhe pse ka një rritje të prodhimit të ushqimit për shkak të teknologjisë së përdorur, uji, toka, mineralet, burimet fosile, bimët, kafshët dhe shumë burime të tjera natyrore të tokës po konsumohen me shpejtësi. Në një situatë të tillë, sado e industrializuar të jetë bujqësia, rezultati nuk ndryshon. 

Presioni i popullsisë, uria, varfërimi i burimeve natyrore, epidemitë, thatësira e shkaktuar nga ndryshimet klimatike, konfliktet dhe shfaqja e krizës së refugjatëve në shumë vende, ose e kundërta konfliktet dhe luftërat shkaktojnë urinë, sëmundjet dhe mjerimin. Një shembull i kësaj është epidemia e Covid-19, e cila është përhapur në të gjithë botën nga Kina, e cila ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh. Me rritjen e popullsisë në mënyrë eksponenciale, shkatërrimin e habitateve të kafshëve si rezultat i presionit që po ushtrohet ndaj natyrës si dhe me shfrytëzimin e natyrës, viruset e kafshëve po përhapen lehtësisht tek njerëzit dhe po shkaktojnë shpërthimin e epidemive. Kjo ngre pyetjen nëse Malthus kishte të drejtë apo jo?

Shkatërrimi i natyrës, përkeqësimi i ekuilibrit ekologjik, rritja e shpejtë e emetimeve të karbonit, praktikat e gabuara bujqësore, urbanizimi i paplanifikuar dhe fakti që bota ndodhet në një situatë të rrezikshme, të pakthyeshme është një fakt i konfirmuar nga shkencëtarët. Vetëkuptohet se politikat që pritet të ndiqen nga vendet janë shumë të pamundura. Krahas nevojës për kapital, rritjes së konsumit të kapitalit dhe sipas logjikës kapitaliste u shfaq domosdoshmëria për rritjen e vazhdueshme të vendeve dhe si rrjedhojë e kësaj, dëshirat u imponuan sikur të ishin nevojë tek njerëzit dhe këto u bënë burim i  të gjitha problemeve. Çështja e vërtetë është se si të dalësh nga kjo spirale konsumi dhe se kur do të zbatohen politikat që dëgjojnë shkencën.

© PRIZMA MEDIUM