Foto: Nina Pantoviq

Ne intervistuam Nina Pantoviq për të marrë më shumë informata për iniciativën e tyre. Ajo mori pjesë në një diskutim të organizuar nga Prizma Medium në Prizren, mbi mobilizimin e grave për mbrojtjen e mjedisit në rajon. Gjatë këtij diskutimi ajo prezantoi metodat se si kishin arritur t’i mobilizojnë me qindra qytetarë për mbrojtjen e lumit Komarnica. 

Gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Prizren, ajo vizitoi edhe disa fshatra të Prizrenit, ku u taku me shumë njerëz dhe dëgjoi histori të ndryshme të njerëzve. Pas diskutimit, u takova me Ninën për ta intervistuar për iniciativën ‘’Save Komarnica’’, format e mobilizimit dhe punën e tyre në terren. Filloi të më tregoj për takimet që i kishte realizuar në disa fshatra të Prizrenit, duke theksuar se sa të ngjashme janë problemet e njerëzve në mbarë Ballkanin, me të cilat përballen çdo ditë. 

Intervistën me Ninën e zhvilluam në një ambient të hapur në Prizren. Përderisa Nina po tregonte me shumë pasion për aktivizmin e saj, ajo mori vëmendjen e shumë njerëzve përreth, ku filluan me kurrshtje ta dëgjonin përvojën e saj…

Duket se vullneti i mirë, pasioni për ndyshime në shoqëri, besimi tek njëri – tjetri/ njëra – tjetra është diçka që na bashkon të gjithëve. Ndonjëherë pavetëdijshëm… 

Nina, të flasim për organizatën KOD e cila ka inicuar aksionin për mbrojtjen e lumit Komarnica. Cili është misioni i organizatës KOD?

Organizata KDO ku unë punoj, është një organizim i komunitetit për të reaguar ndaj vendimeve të gabuara në shoqëri dhe ndaj vendimeve të dëmshme të qeverisë. KDO, po ashtu fokusohet të ofrojë një model alternativ për zgjidhjen e problemeve në shoqëri. KOD është një mekanizëm i rëndësishëm për të mësuar mbi aktivizmin e qytetarëve, pjesëmarrjen qytetare dhe për të qenë pjesë e reformave. Ne bëjmë prodhimin e videove, bëjmë dizajn grafik, kemi ekipën kërkimore dhe ekipën ligjore. Ekologjia është një pjesë shumë e rëndësishme në nismën tonë. 

Ne kemi nisur një fushatë në rrjete sociale për mbrojtjen e lumit Komarnica. Duke mbledhur njerëz, ekspertë ligjorë, biologë, zëra të rinj që janë më kritik, kemi informuar publikun se çfarë realisht po ndodh me lumin Komarnica. Ne bëmë postime mbi analizën ligjore duke i treguar publikut për shkeljet ligjore që po ndodhin atje, pastaj vazhduam me prodhimin e analizave shkencore. 

Mobilizimi përmes rrjeteve sociale ka qenë suksesi ynë për ta shpëtuar lumin Komarnica. Kolegët/et e mi për tre vite me radhë kanë organizuar tryeza të diskutimit, kanë bërë punë kërkimore për ta mbrojtur lumin Komarnica, por nuk kanë arritur të kenë asnjë rezultat. Kështu, ne vendosëm të organizojmë këtë iniciativë për ta mbrojtur lumin Komarnica, si një iniciativë qytetare e quajtur ‘’Spasimo Komarnicu’’ (Save Komarnica). Njerëzit filluan të reagojnë shumë shpejt, për shtatë ditë kemi arritur t’i kemi me mijëra ndjekës. 

Ne mblodhëm fakte nga terreni duke analizuar se si shkatërrimi i lumit po ndikon në gjendjen ekonomike. Njerëzit filluan të reagojnë ndaj fakteve, dhe shumë shpejt filloi një organizim në mes të komuniteti në mënyrë organike. Unë besoj që përmes këtyre postimeve, njerëzit kanë arritur të kuptojnë se çfarë po ndodh me lumin Komarnica. 

Pastaj filluam të organizojmë tubime me njerëz. Jemi përpjekur të shmangim protestat. Në ditën e parë të tubimit tonë me komunitetin kemi trajtuar tema të artit. Në ditën e dytë u ndamë në katër grupe dhe vizituam malet, lumenjtë… Jemi përpjekur të tregojmë se ne të gjithë punojmë, kemi angazhimet tona, por mbi të gjitha, ne jemi të gatshëm të ecim me qindra kilometra brenda ditës, të flejmë në çadra në fillim të muajit maj – kur moti ende shumë i ftohtë në mbrëmje – vetëm për të mbrojtur natyrën.  

Në ditën e tretë u fokusuam vetëm tek pjesa e edukimit, ku së bashku me të gjithë aktivistët dhe pjesëmarrësit diskutuam se si mund të përmirësojmë turizmin në këtë vend. Gjatë diskutimeve pamë se turizmi mund të zhvillohet në forma të ndryshme, dhe pa dyshim që mund të sjellë përfitime më të mëdha ekonomike sesa se sa hidrocentralet. Jemi përpjekur të tregojmë se ndërtimi nuk është gjithmonë zgjidhje. Këtë e bëmë për vendasit, për të parë që mund të bëjnë turizëm dhe se ka shumë turistë të interesuar që duan ta vizitojnë këtë vend. Në programin e edukimit nuk u fokusuam shumë te problemet, diskutimi ishte i fokusuar më shumë tek zgjidhja e problemeve. Këtë e konsideroj sukses, sepse në vend të një proteste ne përdorëm një metodë tjeter, ku kaluam kohë së bashku dhe u fokusuam tek dija, vullneti dhe fuqia jonë si komunitet.  

Foto: Nina Pantoviq

Pra, ju përdorët vetëm rrjetet sociale për t’i mobilizuar njerëzit? 

Po, ne përdorëm vetëm mediat sociale, por kemi bërë edhe shumë postera të bukur që lidhen me ato zona. Dhe njerëzit erdhën, të them të drejtën u befasova nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve në atë tubim. 

Shumë shpesh vetëm vullneti i mirë është i mjaftueshëm për të bërë gjëra të mira. Këtë aktivitet e bëmë pa asnjë mbështjetje financiare, ishte vetëm vullneti ynë i mirë. Që nga fillimi nuk ishim të fokusuar se sa njerëz do të vinin, edhe nëse do të vinin vetëm 15 veta, për ne nuk do të ishte problem. Me rëndësi ishte kauza jonë, për atë që ishim mbledhur. 

A keni pasur ndonjë mbështetje nga iniciativat të tjera rajonale të gjelbra për aksionin tuaj?

Kemi pasur mbështetje nga disa iniciativa në rajon, iniciativa Right to Water, Iva Markoviq dhe disa aktivistë të tjerë nga rajoni na kanë mbështetur duke marrë pjesë fizikisht në aksion, por edhe përmes rrjeteve sociale. Por kishte edhe shumë aktivistë që nuk ishin të njoftuar për aksionin tonë. Edhe pse aksioni ynë ishte goxha i madh në Mal të Zi, nuk është që ka pasur vëmendje shumë të madhe nga mediat në rajon. 

Përtej kësaj ne morëm mbështjetje falas edhe nga disa ekspertë. Ata/ato vazhdojnë të na mbështesin sepse e dinë që po luftojmë për të mirën e përbashkët. Por, më duhet të pranoj që këta janë njerëz të rrallë. Është e vështirë t’i gjesh këta njerëz, por ia vlen të kërkosh.

Aksioni ynë ishte i suksesshëm për shkak të ndihmës që morëm nga njerëzit e ndyshëm. Pa këta njerëz dhe pa informacionet që na vinin nga tereni, ne nuk do të kishim arritur të ekzistonim si iniciativë. Ne kemi njerëz të mirë dhe të kualifikuar me të cilët po punojmë, dhe ata/ato janë aty për të na ndihmuar në çdo kohë. 

Puna juaj në terren është shumë e rëndësishme për ju. Mund të ndani përvojnë tuaj në terren me ne? 

Pjesa më e mirë e përvojës sime është takimi me njerëz, dëgjimi i problemeve të tyre – kjo më bënë që kurrë të mos dyshoj në punën time. Duhet t’i dëgjoni njerëzit. Përndyshe kurrë nuk do të kuptoni se cilat janë nevojat e tyre. Nuk po i kritikoj njerëzit që punojnë në zyrë, por besoj se çdo organizatë duhet të ketë së paku një person që punon me njerëzit në terren, dhe që është në kontakte të përditshme me ta. 

Për herë të parë para dy vitesh mora pjesë në një protestë në fshat, dhe ka qenë një përvojë e paharrueshme për mua. Aty u njoha me mikpritjen dhe emocionet e njerëzve që jetojnë atje. Këta njerëz filluan të më ushqenin me energjinë e tyre, dhe kështu kuptova që aty ishte vendi ku unë doja të isha. Këta njerëz ta ndyshojnë këndvështrimin dhe të bëjnë të mendosh ndryshe. 

Mendoj se një model i ngjashëm mund të përshtatet edhe këtu në Kosovë, sepse ne jemi të ngjashëm në karakter dhe vlerësojmë shumë kur dikush vjen në shtëpinë tonë.  

Cilat janë problemet kryesore ekologjike në Mal të Zi?

Kemi probleme të mëdha me deponitë ilegale që po ndotin ujin dhe tokën, së fundmi kemi punuar shumë dhe mendoj se do të pastrohen së shpejti.

Kemi probleme me hidrocentralet e mëdha, por nga ana tjetër e kemi zgjidhur problemin me hidrocentralet e vogla, në Mal të Zi. 

Kemi probleme me disa ferma që po e drejtojnë ujin e ndotur direkt në lum. Organizara KOD, ka bërë shumë presion tek këto ferma për ta zgjidhur problemin. Nëpërmjet studimeve tona ne kemi vërtetuar se lumi është duke u ndotur nga këto ferma dhe që duhet të ndërtohet një sistem për të parandaluar ndotjen e ujit. Por prapëseprapë, nuk mund ta besoj se si mund ta ndotin ujin që është pranë tyre, vetëm sepse nuk dëshitojnë të ndërtojnë sistemin…

Mund të na tregoni se cilat janë planet e juaj në vazhdim? 

Ne do të vazhdojmë luftën tonë që lumi Komarnica të futet nën mbrojtjen e UNESCO-së. Është shumë e rëndësishme që të mos ndalemi derisa ta arrijmë këtë qëllim. 

Së dyti, ne po planifikojmë të zgjedhim një lum tjetër në Mal të Zi (Cijevna do të jetë me gjasa) dhe të organizojmë një protestë të përbashkët me të gjitha vendet e Ballkanit, në të njëjtën ditë. Kemi bashkëpunime me shumë aktivistë në rajon dhe jam më shumë se kurrë e lidhur me ta. Gjithashtu, The European Fund for Balkan the Balkans (EFB) përmes platformës ‘’Engaged Balkan’’ më ndihmoi të takoj shumë aktivistë nga rajoni. Prandaj mendoj që shumë lehtë mund të mobilizohemi. Një protestë e përbashkët me të gjitha vendet e rajonit do të sillte më shumë vëmendje mbi këto çështje, por do të tregonte edhe solidaritetin tonë me njëri – tjetrin/ njëra – tjetrën. 

Intervistë: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM

Kjo intervistë është prodhuar me mbështjetjen financiare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur