Kafe dhe koha vetëm në kafene. Ky është luksi që ia kam ofruar vetës në periudhën më kërkuese në jetën time, atë të paslindjes. Them luks por në fakt ka qenë domosdoshmëri. E stërlodhur me rutinën si prind i një fëmijë të vogël dhe e punësuar në bazë të pavarur, aty ku kam mundur të punoj e qetë, të jem produktive, dhe të ndjehem vetvetja kanë qenë kafenetë poshtë ndërtesës ku jetoj. 

Në atë kohë sa qëndroja gjithë ditën me të voglën time, disa orë pasdite i ndaja për vete. Jashtë mureve të banesës dhe larg detyrave amënore, nuk dëgjoja as zhurmën e rrobalarjes, nuk shihja rrobat që duhej paluar apo hekurosur, kuzhina që duhej rregullar, apo punë të tjera të shtëpisë që sipas shprehjes tanimë klasike “nuk kryhen kurrë”. 

Aroma e kafes dhe laptopi përballë në tavolinën vetëm më bënte të ndjehem si individ që së paku për dy orë do të merret vetëm me vetën. 

Pavarësisht përvojave tona individuale, për shumë gra ende mbetet luks koha vetëm në një kafene sepse normat shoqërore e pranojnë më shumë imazhin e një burri në një hapësirë publike apo komunitare, vetëm apo me shoqëri, se të një gruaje. E sidomos të grave që janë edhe nëna. 

Kur flas për gratë në qytete dhe praninë e tyre në hapësira publike nuk e kam fjalën vetëm për ato që janë rritur dhe jetojnë në qytete, por përgjithësisht për vajzat dhe gratë që qarkullojnë në hapësira urbane. Studentet që vijnë në ligjerata, ato që udhëtojnë nga fshatrat përreth për të takuar shoqet dhe shokët, të dashurit, ato që vijnë për punë, apo për të marrë ndonjë shërbim nga institucionet.

Derisa Prishtina mund të konsiderohet përjashtim sepse është kryeqytet dhe gëzon më shumë qarkullim, qytetet e tjera dhe komunat më të vogla të Kosovës vazhdojnë të jenë konservatore. Hapësirat publike dhe ato komunitare dominohen nga burrat. Imazhi i një gruaje në një kafene, e ulur vetëm, mbetet i rallë. 

 “Jetojmë në qytete të ndërtuar për burra”, thotë Leslie Kern në librin e saj Qyteti Feminist. Në një libër për drejtësi gjinore dhe shoqërore në hapësirat urbane, Kern elaboron se qytetet përgjithësisht nuk ndërtohen për t’i akomoduar trupat e grave, nevojat dhe dëshirat e tyre. Përmes përspektivës së ndërthurrjes dhe integrimit gjinor, Kern elaboron se si normat patriarkale afektojnë gratë dhe grupet e margjinalizuara dhe përkufizon përvojat e tyre të jetesës në qytet.

Kafenetë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë hapësira mashkullore jo vetëm në aspekt të pranisë fizike të burrave por edhe për shkak të kulturës dominuese patriarkale. Ende imazhi i një grupi djemsh apo burrash, shokësh e dostash, që flasin e qeshin me zë të lartë, ngacmojnë vajzat dhe gratë qofshin në tavolinat afër apo ato që janë duke kaluar, mbetet i zakonshëm.

“Eh me dit çka flasin burrat në tavolina kur janë vetëm”, komentoi një burrë në një postim në rrjete sociale për sulmin seksual kundër alpinistes Mrika Nikci në qendër të qytetit në Pejë. Në fakt ne e dijmë mirë se çka dhe si flasin ata. Sepse pavarësisht përvojave tona me dhunë seksuale nga djemtë dhe burrat e kësaj shoqërie, qoftë në rrugë, shkollë, lagje dhe çfarëdo hapësire tjetër private apo publike, si vajza jemi rritur me besimin e ngulitur se kjo është vet kultura djaloshare e vendit.

Në kafene gratë hasi edhe në sjellje tejet agresive të burrave. Para disa viteve, në Lulu’s Cafe, ndër lokalet e frekuentura dhe të mirë-njohura në qendër të Prishtinës isha me motra duke pirë kafe. Në një moment marr telefonin për të bërë fotografi. Një burrë i ri fillon të lomotis në mënyrë koti, kinse po flirton me ne. Unë ja bëjë me gjest që të kthehet kah tavolina e tij. Ai bëhet agresiv dhe pasi që unë e ngris zërin dhe i them të mos na ngul sytë dhe të kthehet kah tavolina e tij, ai ma kthen me: “Unë të kqyri sa të du dhe ti s’ki çka bon.”

Sjellje të tilla intimiduese, përqmuese dhe kërcënuese të djemve dhe burrave ndaj vajzave dhe grave gjithnjë janë përdorur për t’i dekurajuar gratë nga jeta publike dhe hapësirat urbane. Rallë herë është sfiduar vet maskuliniti i dhunshëm si faktori kryesor pse shumë gra kanë vendosur të tërhiqen nga hapësirat publike vet apo janë detyruar nga anëtarët e familjes.

E rritur në Pejë, në një vend ku burrëria e egër ende glorifikohet, më kujtohet qartë se si në shkollë të mesme kur lëshoheshim nga shkolla, djem, burra të rinj e në moshë të ulur në kafenetë varg në Korzë, qendër të qytetit, na shikonin, komentonin trupat, pëshpëritnin “komplimente” apo shaka tallëse. E ne ishim të mitura.

Një kulturë e tillë pedofilike, pjesë e maskulinitetit të dhunshëm që shprehet haptas në hapësirat urbane, ende nuk gëzon vëmendje as nga të rriturit dhe as nga institucionet e vendit. 

Gjeografja feministe Jane Darke thotë: “Qytetet tona janë vet patriarkati i shkruar në gurë, tullë, xham dhe beton. Ajo i referohet relacioneve shoqërore në shoqëri dhe pushtetit patriarkal që e ndërton atë. Madje thekson që gratë bëhen të ndjehen thuajse janë vetëm ‘mysafire’ në qytet sepse e dinë që janë në territor të burrave.

Kafeneja nuk ka nevojë të jetë domosdo hapësirë urbane. Ëndërroj të shoh gratë e reja dhe ato në moshë që dalin nga shtëpia sa herë të duan apo të kenë të nevojë, që ulen në tavolina kafenesh ku jo vetëm ofrohet kafja e freskët dhe e përballueshme në cmim, por edhe ambient që nuk shkel mbi dinjitetitin trupor të grave. Sidomos kur shërbimi kryhet nga kamarkieret, si punë me pagesë. 

Qoftë në qendër të qytetit, në periferi, por edhe fshat, kafenetë si hapësirë pune, relaksi, dhe socializimi janë të domosdoshme për gratë. Sigurisht që dalja vetëm në lokale përreth nuk zgjidh problemet e shumëfishta të grave. Nuk zgjedh problemin e mosbalancit në pushtet në raport me partnerin apo me anëtarë të tjerë të familjes, punën e papaguar, dhunën që ato mund ta përjetojnë në familje dhe jashtë saj, dhe as problemin kulturor që ende nuk njeh integritetin trupor të vajzave dhe grave.

Por gjithsesi që u jap vajzave dhe grave mundësi t’i ikin izolimit të përditshëm, të marrin frymë jashtë, të zaptojnë më shumë hapësirë në komunitet dhe të gëzojnë një tavolinë më vete. Tavolinë kjo që mund të përmirësoj dukshëm cilësinë e rutinës së tyre, shëndetin e tyre mendor dhe të përforcoj ndjenjën e autonomisë.

Një tavolinë më vete që i bën vajzat dhe gratë të ndjehen jo si ‘mysafire’ në qytet por si qytetare me të drejta dhe qasje të plotë në hapësira publike urbane.

✎ Shqipe Gjocaj

Shqipe Gjocaj është aktiviste feministe, konsulente gjinore, dhe hulumtuese e pavarur. Ajo shkruan rregullisht për çështje gjinore dhe të drejta të njeriut. E angazhuar në bazë të pavarur, ajo bashkëpunon me organizata lokale dhe ndërkombëtare në projekte që ndërlidhen me të njëjtat çështje.
© PRIZMA MEDIUM