Foto: Hazir Dula

Këto në fakt, janë probleme që i shoqërojnë gratë dhe vajzat kudo në Kosovë marrë parasysh neglizhenca institucionale për çështjet që i prekin gratë.

Në një takimin me disa aktiviste gra nga komuna e Prizrenit, e udhëhequr nga Adelina Hasani – në kuadër të Prizma Medium – u diskutua për problemet dhe sfidat e grave të grupeve të ndryshme të margjinalizuara në hapësirat publike dhe për atë se cila është zgjidhja institucionale. 

Siguria në hapësirat publike


Për shkak të rasteve të shtuara të ngacmimeve e dhunimeve seksuale në Kosovë tash e një kohë është duke u diskutuar për sigurinë e grave në hapësirat publike. Për gratë e Prizrenit, rrugët dhe rruigcat e këtij qyteti janë shumë të pasigurta sidomos gjatë natës. 

Një prej kërkesave që do të mund të rriste sigurinë në hapësirat publike është vendosja e kamerave të sigurisë, ndonëse vendosja e tyre po shihet edhe si cenim i privatësisë së njerëzve. E pyetur për këtë çështje Resmije Rahmani shprehet kështu “shumica e rrugëve janë pa ndriçim por nuk është vetëm çështja e ndriçimit por përveç saj duhet edhe kamera të sigurisë. Nuk mendoj që kamerat e sigurisë e cenojnë privatësinë sepse ato vendosen në rrugë dhe hapësira publike që janë për të gjithë, dhe jo në hapësira private të njerëzve.” 

Me këtë mendim pajtohet edhe Alisa Hasani: “pajtohem sepse në momentin që je në hapësirë publike më nuk je në sferë private, rrjedhimisht nuk është shkelje e privatësisë. Dhe e dyta, kamerat e sigurisë nuk e përcjellin vazhdimisht aktivitetin tënd personal, është parandalim me ndodhë diçka tjetër.”

Edhe Gynesh Veshall ndan të njëjtin mendim “përderisa jemi në hapësira publike është e rëndësishme vendosja e kamerave sepse askush nuk i vendosë ato në hapësirën private. Kjo është për të mirën tonë, për të parandaluar gjithë ato dhunime që po ndodhin.”


Për gratë vendosja e kamerave nuk është mekanizmi i vetëm që do të mund të garantonte sigurinë në hapësirat publike. Resmije Rahmani e sheh të domosdoshme patrullimin më të shpeshtë të policisë sidomos atyre civil, “mendoj që është mirë që të ketë më shumë patrullim të policisë civile pas orës 20:00 deri në 24:00.” Ndërsa Alisa Hasani shprehet kështu “jo vetëm policët civil, por edhe patrollimet e policëve me uniformë janë më se të mirëseardhura sepse me vet faktin që ka një institucion në rrugë ndikon me ndalë një akt negativ.”

Në anën tjetër Dafina Alishani konsideron që përveç kamerave të sigurisë, ndriçimi publik është shumë i rëndësishëm dhe hapësirat duhet me qenë për të gjithë, të jenë gjithëpërfshirëse që të mund të vizitohen nga të gjitha grupmoshat, për të moshuarit, gratë, fëmijët etj. E për Resmije Rahmanin është e rëndësishme që krahas kamerave dhe ndriçimit, të legalizohet edhe spreji mbrojtës. 


Ndërsa Gynesh Veshall ka potencuar që përtej masave praktike si ndriçimi, kamerat, policët e tjera, duhet të ketë vetëdijësim. Ajo shprehet kështu “unë mendoj që përderisa nuk vetëdijësohen njërezit, gjykata nuk e kryen punën e vet në mënyrën e duhur, nuk jepen dënimet e merituara dhe nuk bëhen kampanja të duhura, asnjë nga masat e tjera si kamerave, ndriçimi nuk do të kryejnë punë.”


Të pyetura për hapësirat më të rrezikuara për nga siguria në Prizren që duhet të ketë ndërhyrje të shpejt, shumë prej grave përmendën hapësirën tek Marashi, Qendra Sportive por shumë hapësira të tjera, pasi sipas tyre çdo e dyta rrugicë ka këtë nevojë.


Përfaqësimi i grave në hapësira publike

Përveç mungesës së sigurisë në hapësirat publike, një tjetër çështje për të cilën gratë e Prizrenit shprehin pakënaqësi është edhe përfaqësimi i tyre në qytet qoftë në kuptimin politik por edhe atë simbolik. Gjatë këtij takimi u diskutua për atë se sa ndiheni ato të përfaqësuara në hapësirat publike në qytet, këtu hyn edhe përfaqësimi simbolik në emrat e rrugëve, sa konsiderojnë ato që kërkesat e tyre si gra janë të përfshira në vendimmarrje.

Lidhur me këtë temë, Gynesh Veshall u shpreh kështu “në Prizren, po të mos ishin gratë aktiviste dhe politikane që e promovojnë dhe e përfaqësojnë vetën, këtu ne harrohemi.” Të njëjtin mendim me Gynesh Veshall e ndan edhe Resmije Rahmani e cila thekson faktin për mungesën e monumenteve apo përmendoreve që përkujtojnë kontributin e grave përgjatë historisë. Ajo ndër të tjera tha “as simbolikisht nuk ndihemi aspak të përfaqësuara, nuk ka asnjë momument apo përmendore për gratë. Dhe me aq sa kam vërejt ka shumë pak rrugë apo rrugica që mbajnë emra të grave.”


Dafina Alishani e cila është asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit tha se në fakt rreth 90% i emërtimeve të rrugëve është në emër të burrave. Ndër të tjera ajo u shpreh kështu “sa i përket përfaqësimit të grave në qytet, me vet faktin që nënat nuk mund të ecin rrugëve me karroc tregon që investimet kapitale që ndodhin në qytet nuk e përfshijnë aspektin gjinor. Përfaqësimi i grave ndodhë vetëm për shkak disa obligimeve ligjore që i ka komuna, dëgjimet publike p.sh. bëhen vetëm sa për sy e faqe. Unë si asambliste, shumë shpesh marrë pjesa nëpër dëgjime publike dhe asnjë herë nuk mka rastisur me pa që komuna i ka marrë parasysh kërkesat e grave që t’i fusin në buxhet.” 

Ajo përmendin edhe çështjen e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor të cilin tha se komunat nuk e respektojnë gjatë përpilimit të buxhetit vjetor. “Unë kam kërkuar që në kuadër të buxhetit vjetor të futet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor por që shumica edhe nuk e dinë se çka do të thotë kjo dhe mendojnë që duhet buxhet shtesë vetëm për gratë. Ligji thotë që në secilin komitet në nivel komunal të ketë përfaqësim të barabart të burrave dhe grave, por kjo nuk ndodhë për shembull në komitetin për politik dhe financa dhe atë për komunitete. Dhe unë mendoj që MAPL-ja do të duhej që të mos u’a aprovojë projekt – buxhetin vjetor komunave nëse nuk e kanë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. Mendoj që MAPL-ja mund t’i kushtëzojë komunat në kuadër të grantit të përformancës që e jep. Si kushte për ta fituar atë duhet të jetë përfshirja 50/50 e burrave dhe grave edhe në drejtori edhe në përbërje të komiteteve.”


Politikat që targetojnë gjendjen ekonomike dhe sociale të grave


Është diskutuar së fundmi për nevojën që komuna të sigurojë hapësira të përbashkëta gjegjësisht një treg të përbashkët për gratë sidomos ato që merren me artizanale. Duke diskutuar për këtë çështje shumë prej grave të ftuara në diskutim u shprehen se është e domosdoshme krijimi i hapësirave të tilla por ato do të duhej të ishin të veçanat për secilën kategori të grave.  Resmije Rahmani u shpreh kështu “mendoj që hapësirat e përbashkëta ku mund të shiten produktet e grave nuk është e gjithë zgjidhja. Duhet të shihet mundësia për hapësira të veçanta për te gjitha kategoritë, si përshembull për ne si organizatë OPDMK – personat me aftësi të kufizuara kemi specifika të ndryshme nga ato të grave të tjera.”E të njëjtin mendim e ndan edhe Gynesh Veshall e cila ndër të tjera tha “edhe unë mendoj që secili grup i margjinalizuar të ketë hapësirën e veçantë për treg sepse në të kaluarën nuk ka dhënë rezultat përcaktimi i një hapësire të përbashkët siç ka qenë rasti i Qendrës Rinore i cili neve na ka ftohur nga dëshira për të realizuar aktivitetet tona dhe tani ajo është në prag të privatizimit.”

© PRIZMA MEDIUM

Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”