Në këtë shkrim unë e kam nevojë urgjente trajtimin e të drejtave të grave dhe grave pakicë në Kosovë, për të drejtat që burojnë nga përftimi i shtetësisë jo vetëm për sa i përket statusit juridik, por si procese shoqërore në të cilat individët dhe grupet janë të angazhuar në pretendimin, zgjerimin dhe riartikulimin e të drejtave tyre. Që fatkeqësisht në Kosovë (me kushtetutën më të mirë)  kjo sferë ende nuk është e rregulluar si rasti më i mirë siç thuhet në përgjithësi në shoqërinë Kosovare, e aq me shumë për gratë në përgjithësi. 

Në vazhdim gratë dhe gratë nga komunitetet Rome, Ashkali, Egjiptian, për lexuesin/en e vetëdijshëm do të ndahen në dy koncepte. E gjithë kjo është vetëm në funksion të shpjegimit të fenomeneve shoqërore dhe subdiskriminimit qe i ndodh grave të komuniteteve. Dhe nuk ka as një qëllim racor dhe diskriminues me pretekstin e kategorizimeve. 

“E drejta për qytetin” dhe rrjedhimisht për shtetin, ku qytetarët duhet të kenë të drejtë të ndryshojnë qytetin jo vetëm si hapësirë fizike, por edhe si procese për zhvillimin e të drejtave të tyre. Dhe për faktin se qytetet mund të luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin e llojeve të reja të qytetarisë, e cila ka një rëndësi të veçantë në jetën tonë të përditshme.

Por, e gjithë kjo është një sfidë e jashtëzakonshme dhe pothuajse utopi për gratë e komuniteteve që t’i zbatojnë të drejtat që i gëzojmë vetëm përmes akteve të shkruara juridike dhe politike në Kosovë. Nga njëra anë, Prizreni trumbetohet si një nga qytetet me kulturë, bashkëjetesë dhe tolerancë në kuptime të ndryshme të diversitetit. E në anën tjetër, Obiliqi si qytet me rëndësi kombëtare për shoqërinë kosovare do të jetë rast i shkurtër krahasues i përfaqësimit të grave në komunitete si tendencë për të kuptuar pretendimin, zgjerimin dhe riartikulimin e të drejtave të tyre. Shkurtimisht, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në shërbimin civil në Prizren, 33% janë gra, ndërsa vetëm 24% e pozitave udhëheqëse në administratën komunale i mbajnë gratë. Ndërsa, nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në shërbimin civil në Obiliq, vetëm 49 janë gra. Nën pragun prej 50% të parashikuar nga Ligji për Barazi Gjinore. Asnjë nga këto komuna nuk është në fazën ku mund të krijohet shembull për punësimin e grave dhe grave të komunitetit në institucionin bazë siç është komuna. “Zyrtarisht” as një grua nga komunitetet nuk është mjaftueshëm e duhur për tu punësuar në këtë mekanizëm. Për kundër që aktet dhe ligjet e obligojnë një gjë te tille. Nëse është e punësuar një e tillë në rastin më të “mirë” është praktikante e një programi të caktuar ose një mirëmbajtëse e hapësirave fizike. Aq është e hapur komuna për gratë e komuniteteve. 

Në këtë rast komuna nuk është një institucion shembull për gjithëpërfshirje reale të gjithë grupeve shoqërore në proceset e ndërtimit të qytetit dhe shtetit në të gjitha elementet përbërëse të cilat ndikojnë në cilësinë e jetës. Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët janë në praktikë grupi më i diskriminuar në Kosovë dhe në veçanti gratë dhe vajzat rome, egjiptiane dhe ashkali janë më të shtypura dhe nën-diskriminuara: se fillimisht ato janë rome, ashkali dhe egjiptiane dhe së dyti janë gra dhe vajzat nga një grup komunitetesh. Paragjykimet dhe format e racizmit janë të ngulitura në ato lloje pretendimesh që ndikojnë drejtpërdrejt në përcaktimin e qenies së tyre dhe për rrjedhojë mosnjohjen e kompetencës apo të drejtës për të gëzuar të drejtat e tyre si punësimi – element kryesor për një jetë normale. Kudo në botë sot janë zhvilluar koncepte, prodhim-zhvillim të dijës dhe praktika për të zhvilluar një jetë pa diskriminim dhe racizëm e këto komunitete ende nuk mund ti gëzojnë këto prodhime të mendjeve të ndritura në kohën bashkëkohore.  Njohja e vlerës së gruas në shoqërinë tonë ende nuk është përvetësuar si një marrëdhënie ndërpersonale për zhvillimin e përbashkët të shoqërisë kosovare.

Për shekuj të tërë këto komunitete kanë jetuar në një cikel që fillimisht ende nuk është e sqaruar mjaftueshëm nëse këto komunitete “janë të varfër sepse diskriminohen ose diskriminohen sepse janë të varfër”. Dhe këta njerëzit të varfër duken të varfër më shumë sesa të papunë. Meqenëse përceptohet se këtë formë e kanë “stil të jetës”. Askujt në ketë shoqëri me gjithë gamën e përpjekjeve për sensin e të drejtëve të njeriut, nuk i bën përshtypje mesatarja e jetës së romëve, ashkalive dhe egjiptianëve e cila është 50 vjet jetë për gratë dhe 55 vjet jetë për burrat ne krahasim me bashkëqytetarët e tjerë që është 70 vjet jetë për gratë dhe 74 vjet jetë për burrat. Pra rreth 15 vjet më pak. I gjithë ky shkatërrim, që i ka lënë njerëzit të varfër, të papunë dhe pa shpresë, është pjesë përbërëse e rutinës tonë, se si rritja, akumulimi i të qenit pa shpresë varet nga papërgjegjshmëria e institucioneve dhe mungesa e angazhimit tonë për përmirësimin e jetës dhe zhvillimit të një jetë me mundësi të barabarta në shoqërinë tonë kosovare. 

✎ Fatlum Kryezi

Fatlum Kryezi ka perfunduar studimet bachelor në Shkenca Sociale nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, në Kosovë. Nëpërmjet punës së tij vullnetare dhe profesionale, ai ka zhvilluar një dëshirë të rrënjosur thellë për përfshirje sociale dhe drejtësi, si dhe një angazhim për barazinë sociale dhe paqen. Që nga viti 2014, ai është i angazhuar me OJQ të ndryshme në Kosovë. Qëllimi i tij i ardhshëm i karrierës është të avokojë për të drejtat e njeriut dhe në një vend që ofron të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë në Kosovë.
© PRIZMA MEDIUM

Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”