Tridhjetë e pesë për qind e personave në listën e Kombëtares së Belgjikës në Kupën e Botës 2018 janë produkte të infrastrukturës Anderleht dhe këta lojtarë kanë shënuar më shumë gola sesa Kombëtarja e Brazilit deri më tani.

Duke u kthyer nga vrapimi rreth liqenit Parc de la Pede, një grup adoleshentësh shtrëngojnë duart dhe përshëndesin njëri-tjetrin teksa hyjnë në ndërtesë. Lojtarët e ekipit U-21 kalojnë pranë pikturës së yllit të ardhshëm Romelu Lukaku dhe shkojnë në palestër.

“Ishte babai i Romelu – t ai që na shtyu të fillonim bashkëpunimin me shkollat,” thotë Jean Kindermans, drejtor i akademisë Anderleht. “Në moshën 15 vjeçare, Romelu po merrte famë dhe kishte shumë interesim nga të tjerët për të. Babai i tij më tha: ‘Klube futbolli si Lille, Lens, Auxerre dhe Saint-Étienne janë të interesuar për djalin tim dhe të gjitha mund t’i sigurojnë atij shkollë, akomodim dhe edukim futbolli. Në ato institucione ka gjithçka.” Disa muaj më vonë filluam Projektin e Talenteve të Purpurt. Tani, pas më shumë se 10 vjetwsh, ai quhet Programi i Talenteve të Purpurt – pasi ai nuk është më projekt.”

“Romelu çdo mëngjes bënte ushtrimet e më pas vazhdonte me studimet akademike. Nuk na pëlqen të mbingarkojmë mendjet e fëmijëve me shumë informacione. Është më mirë të punosh intensivisht për periudha të shkurtra kohore sesa të bësh të njëjtat gjëra me një ritëm më të ngadaltë në kohë më të gjatë. Shoqërimi me njerëzit dhe pasja e hobeve të ndryshme është çelësi i suksesit.”

E ndodhur në periferi të Brukselit, qendra e trajnimit Anderleht është e vendosur midis shtëpive, parqeve piktoreske dhe instituteve arsimore. Nga ky vend kanë dalë shumë figura të njohura për publikun dhe tetë nga 23 lojtarët që përfaqësojnë Belgjikën në Kupën e Botës janë njerëz që u rritën këtu. Lukaku, Vincent Kompany, Leander Dendoncker, Youri Tielemans, Dries Mertens, Adnan Januzaj, Michy Batshuayi dhe Marouane Fellaini u formuan dhe u rritën këtu. Ky numër korrespondon me më shumë se një të tretën e ekipit. Këta lojtarë kanë shënuar nëntë gola në Kupën e Botës deri më tani; dy gola më shumë se Brazili, me të cilin u përballën në çerekfinale .

Kindermans natyrisht është krenar për aftësinë e klubit për të pikasur talentet vendas dhe për t’i shndërruar ata në ndërkombëtarë. “Ne përpiqemi të kemi lojtarët më të mirë të Brukselit e më pas të kalojmë në futboll me 11 lojtarë në U-13. Nga U-6 në U-12 ne përqendrohemi vetëm në ata që jetojnë në zonën lokale. Në varësi të karakterit, moshës, kulturës dhe prindërve, ne “i skanojmë” të rinjtë nga zonat e largëta për të parë se a janë shumë të veçantë – por është shumë e vështirë ta largosh një djalë të asaj moshe nga familja e tij.”

Ata trajnohen nga trajneri i tyre U-17, Nuredin Mukrim. Mukrim ndalon lojën çdo 10-15 minuta dhe flet me lojtarët e tij. Në kompleksin përballë fushës së U-15, ai praktikon ushtrimet e hapjes nga krahët për në qendër. Trajneri po zemërohet gjithnjë e më shumë me njërin nga lojtarët e mbrojtjes. Pavarësisht kritikave ndaj tij, adoleshenti nuk reagon.

“Ne duhet të merremi me secilin fëmijë në mënyrë të veçantë,” thotë Kindermans, dhe shton: “Ne kemi një shumëllojshmëri të gjerë të pikëpamjeve fetare, të kulturave, gjuhëve e kombësive. Secili individ reagon në mënyrë unike dhe ndryshe nga të tjerët. Ne përshtatemi me çdo sfond; dy këmbë dhe një kokë e shëndetshme bëjnë diferencën këtu. “

“Anderlehti është rruga. Ne jemi një pasqyrë e komunitetit. Brukseli është si Londra, si Parisi, si çdo qytet i madh. Multikulturalizmi është një avantazh për ne. Ja për shembull, Vincent Kompany. Nëna e tij është belge ndërsa babai afrikan: një familje modeste, pa veturë ekstravagante, e shkolluar në qendër të Brukselit. Ai vjen me tramvaj këtu dhe pas stërvitjes kthehet vonë në shtëpi me autobus. Ai është frymëzuar nga rrugët [e Brukselit]. “

“Vincenti është një djalë shumë i zgjuar. Unë nuk mund ta parashikoj të ardhmen, por jam i bindur se ai do të kthehet këtu dhe do të ketë një rol të rëndësishëm. Ai është një lider i lindur. Nuk duhet medoemos të keni master në psikologji për ta kuptuar këtë gjë. Edhe kur flet dhe bën shaka, ai është ndryshe. Ai instinktivisht i mbledh rreth vetes njerëzit dhe ka ndikim të madh kudo që të shkojë. Ai ka shumë cilësi të mira edhe jashtë fushës.”

Kindermans mund të realizojë gjithçka me Kompany-n, i cili ka një karakter komandues. “Nuk më pëlqejnë trajnerët që ndërrojnë klube çdo vit,” thotë ai. “Stabiliteti është çelësi i suksesit. Trajnerët tanë shpesh marrin mësime nga psikologë dhe mësues pedagogjikë. Këtu ka një përzierje mes ish-lojtarëve profesionistë dhe ‘trajnerëve të diplomës’ dhe, natyrisht, njerëzit kanë instinktet e tyre; por nuk mjafton të kesh vetëm një mënyrë të të menduarit, duhet të jesh gjithmonë i hapur të mësosh gjëra të reja, të jesh menaxher e psikolog. Arti i vërtetë i të qenit trajner është aftësia për të transmetuar idetë tua tek lojtarët.”

“Fëmijët ndryshojnë, futbolli ndryshon. Unë u kërkoj trajnerëve të mi të shikojnë ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe të analizojnë ndeshjet. Është e rëndësishme të jemi të rrethuar me mënyrën moderne të të luajturit futboll. Ne dikur kërkonim të kishim 70% të posedimit të topit, por çfarë përfitimi ka të kesh topin nëse nuk bën asgjë me të? Ne tani punojmë që të kemi 70% të posedimit progresiv dhe efikas të topit. Ne kemi shtuar ushtrimet e përfundimit me sukses të golit në të gjitha seancat, sepse në të kundërtën ne do ta posedojmë topin, por do të humbim çdo lojë me rezultatin 1-0. Filozofia e stërvitjes së klubit është ‘Fitoje topin. Mbaje atë. Trego progres. Performo. Përfundo. Fito. Ky është një cikël mësimi të cilin ia mësojmë secilit në këtë ndërtesë.”

“Ju mund të humbisni shpirtin e të fituarit nëse punoni vetëm me faktorët edukativ, megjithatë nuk është mirë t’i mësosh e nxitësh lojtarët që vetëm të fitojnë. Kjo është arsyeja se pse ne formuam ciklin që nxjerr jo vetëm futbollistë të mëdhenj, por lojtarë që janë të kompletuar. Nëse gjithçka është bërë mirë në këtë proces “ndërtimi”, atëherë medoemos do të dilni fitues i ndeshjeve futbollistike.”

“Ne përgatitemi të mposhtim secilin kundërshtar duke përdorur video dhe taktika, pavarësisht se a bëhet fjalë për “presion të lartë” apo “presion të merimangës “[kur ekipet ftohen në zona para sulmit], por do të ishte çmenduri të imitojmë stilin dhe formacionin e ekipit të parë sepse ne nuk kemi pasur ndonjë trajner që ka qëndruar për më shumë se tre sezone në 15 vitet e fundit!”

“Akademia jonë ka një sistem të caktuar 3-4-3 i cili më pas zhvillohet në sistemin 4-3-3 në nivelin U-15; por ne duhet të jemi fleksibil. Këto gjëra varen nga faktorë si: pikat tona të forta dhe të dobëta, kundërshtari, periudha e sezonit dhe pesha e lojës. Kur personi arrin moshën 16 apo 17 vjeç ne presim nga ai të fitojë duke luajtur me metodën Anderleht. Grupet e reja në moshë kanë një “zonë rehatie” kur janë në formacionin 3-4-3, por lojtarët duhet të ndryshojnë vazhdimisht pozicionet në lojë. Unë besoj se formimi i lojtarëve të gjithanshëm do të ndihmojë në formimin e tyre si njerëz inteligjentë dhe të kompletuar. Nëse ata i binden rregullave, dëgjojnë dhe punojnë zellshëm këtu, atëherë ata mund të arrijnë maja të larta!”

Dielli po perëndon mbi qendrën stërvitore dhe të rinjtë U-21 mbarojnë punë për sot. Teksa largohen nga palestra, ata këndojnë fjalë inkurajimi për lojtarët e rinj që ende kanë vështirësi me ushtrimet e forcës dhe kondicionimit e që ndodhen një kat më poshtë. I gravuar në mur pas tyre është një shkrim: “Puna e zellshme e mund talentin!”

The Guardian’, ‘Socrates