Ilustrim: Charles Deluvio

Duke e shtuar PRIZMA-n, mediumin e ri në Prizren ne duam që të heqim njëanshmërinë nga këndvështrimet, paragjykimet nga opinionet dhe stereotipet nga botëkuptimet tona dhe të zhvillojmë një medium të ri. 

Faktet gjithmonë janë aty ku duhet të jenë. Por në shumicën e rasteve ato janë të grumbulluara në shtresa, shtresë mbi shtresë; ndonjëherë ato janë të ngatërruara në një rrjet kompleks marrëdhëniesh dhe gjithmonë janë të mbuluara nga ideologjitë. Për t’i prishur shtresat, për të shpërndarë rrjetën e marrëdhënieve dhe për ta bërë ideologjinë të dukshme, është e nevojshme t’i hiqni ato, ose të paktën t’i hapni shtresat. Kështu, bota bëhet më e dukshme dhe kuptimplotë.

Puna themelore e gazetarisë është kjo: Shpjegimi i ngjarjeve që ndodhin rreth nesh me një gjuhë të thjeshtë duke i bërë ato të kuptueshme. Por kur themi “duke i bërë të kuptueshme”, kjo përmban edhe këndvështrimin subjektiv i cili është i ndërgjegjshëm dhe preferencial, ku i pari hap një rrugicë për manipulime ndërsa i dyti strehohet në praktikat gazetareske. Prandaj qëndrimi i duhur është të qenit i drejtë dhe të përvetsohet parimet e gazetarisë. 

Shpeshherë informacioni i papërpunuar është i padobishëm. Ndërsa informacioni i përpunuar shpeshherë përfshinë manipulimin. Kjo është arsyeja pse gazetaria ekziston. Kjo është arsyeja pse gazetaria ka parime etike dhe morale, praktika profesionale dhe ndjeshmëri gjuhësore. Po kështu, gazetaria ka parime themelore të tilla si saktësia, paanësia dhe objektiviteti, dhe praktika të tilla si kontrollimi i dyfishtë, burimi i konfirmuar dhe marrja në pyetje e informacionit të ardhur.

Fatkeqësisht bota e informacionit të sotshëm është shumë më e madhe se sa që duket dhe shumë më shumë se sa që është e nevojshme. Kudo që i drejtoni sytë tuaj, ekzistojnë qindra media që synojnë të jenë dritare ku po shihni ju, po ashtu ekzistojnë qindra përmbajtje mediatike që përpiqen të jenë brenda kornizës së asaj dritareje. Niveli i konkurrencës në këtë sektor është aq i madh dhe përmbajtjet e prezantuara duke kopjuar njëra – tjetrën, gjithmonë sjellin mesazhin “më merr mua”. Duke anashkaluar shumicën, cila prej tyre është preferenca juaj që të shpenzoni kohën karshi dritares e cila quhet ekran?

Jemi duke kaluar përmes valëve të pandemisë së virusit korona. Edhe pse nuk ishim në dijeni si dhe çfarë të bëjmë, shumë shpejtë kemi mësuar se jemi duke u ballafaquar me një pandemi. Ndërsa mund të themi që një kohë të gjatë po ballafaqohemi me një “infodemi” dhe akoma nuk jemi në dijeni për sfidat e tij.  

Në këto rrethana lindi ideja e Prizma-s, jo me qëllime të shumimit të mediumeve, përkundrazi duke ofruar shembullin e gazetarisë së ngadaltë synojmë të fokusohemi vetëm në temat ku ekziston interesi publik duke analizuar dhe përpunuar saktësinë e informacionit. 

Prizma, duke u fokusuar tek njeriu, synon të fillojë nga pikëpamjet lokale. Dimensioni i botës bashkëkohore shtrihet nga lokalja deri tek globalja. Për këtë arsye ekzistojnë mediumet që kanë një ‘hinterland’ të gjerë ku mund të gjejnë dhe zhvillojnë rrethet dhe mundësitë e jashtëzakonshme të komunikimit. Prandaj çdo ngjarje globale e cila ka ndikime lokale dhe ngjarjet që duken lokale por kanë edhe dimensionin global do të jenë në fokusin tonë. Pa dyshim që një temë e cila duket e thjeshtë dhe pa kuptim lidhur me mbrojtjen e ambientit ka një gjurmë globale. Shkelja e të drejtave që ndodh kudo në botë nuk është vetëm çështje e viktimës. Askush nuk migron nga kënaqësia. Ekziston një presion politik, tension etnik ose religjioz, dhunë gjithëpërfshirëse ose kushtet gjeografike dhe jetike të cilat detyrojnë migrimin. Nëse sot ekzistojnë mbi 70 milion emigrantë të detyruar, do të thotë që diku nuk ka paqe. Nëse diku nuk ka paqe, mund të mos ketë edhe këtu. 

Mediumi Prizma, përpiqet që t’i prezantojë ngjarjet lokale nga burimet e ngjarjes, ndërsa ngjarjet regjionale dhe globale nga burimet prestigjioze dhe të konfirmuara. Pyetja “kush” ka një rëndësi të veçantë për ne;  kush është autori/ja i/e lajmit dhe kush është burimi i informacionit. Gjithashtu edhe pyetjet që pasojnë pyetjen “kush” dhe shpjegojnë ngjarjen janë të rëndësishme siç janë të rëndësishme edhe burimet e tyre.  Po ashtu janë të rëndësishme edhe burimet tjera që flasin për këto ngjarje. Qëllimi ynë është që pa nxitim të prezantojmë të gjitha këto informacione komplekse duke i qartësuar në kuadër të praktikave dhe parimeve gazetareske. 

© PRIZMA MEDIUM