Ilustrim: Prizma Medium

✎ Adelina Hasani

Për FR-në, Ukraina nuk është konsideruar kurrë një shtet i pavarur dhe “real”. Putini në vazhdimësi ka thënë që Ukraina nuk është shtet, por një mbetje e Bashkimit Sovjetik, duke akuzuar Hrushovin se si ai kishe dhënë Krimenë Ukrainës në vitin 1954.

Prej nga e ka burimin pushtimi i FR-së në Ukrainë?

Për ta kuptuar pushtimin e Ukrainës nga FR, duhet të kuptojmë se ku qëndrojnë themelet e agresionit të FR-së ndaj Ukrainës. Në vitin 2004, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, FR filloi ta humbasë ndikimin e saj politik që e kishte në Ukrainë. Në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2004, fitoi Viktor Janukoviç, një kandidat i mbështetur nga FR-ja. Megjithatë, zgjedhja e tij nuk u mirëprit nga masat – kështu filluan të krijohen ankesa në zgjedhje dhe kërkohet që zgjedhjet të përsëriten. Riorganizimi i zgjedhjeve fillimisht u kundërshtua nga Janukoviçi dhe kjo shkaktoi fillimin e asaj që njihet si “Revolucioni Portokalli” (Orange Revolution), i cili filloi me shumë entuziazëm dhe krijoi pritshmëri të shumta tek qytetarët për ndryshime demokratike në vend. Si rezultat, zgjedhjet u riorganizuan dhe Jushçenko doli fituesi i zgjedhjeve. Mirëpo, shumë shpejt premtimet e Jushçenkos për ta bërë Ukrainën një vend më demokratik dhe properëndimor – u kthyen në një zhgënjim. Premtimet për anëtarësim në BE dhe NATO u zëvendësuan nga korrupsioni dhe nepotizmi, duke rritur pakënaqësitë tek qytetarët. Ndërkohë, anëtarësimi në BE dhe NATO vazhdoi të mbetet kërkesë permanente e qytetarëve. 

Lideri më i afërt me FR-në, Janukoviçi, fitoi zgjedhjet në vitin 2010 në Ukrainë. Ndërsa vitin 2013, kur Janukoviçi, ishte gati të nënshkruante marrëveshjen me BE-në, ai u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja nën presionin e FR-së. Kjo nxiti fillimin e protestave kundër Janukoviçit. Protestuesit kërkonin integrimin e Ukrainës në BE, transparencë, qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e mirëqenies. Protesa krijoi një atmosferë të ngjashme me atë të Revolucionit Portokalli. Ndërkaq, përdorimi i forcës nga ana e policisë kundër protestuesve, shkaktoi rritjen e tensioneve në vend – kështu Janukoviçi u largua nga FR-ja. 

Kjo situatë filloi të rrezikonte ndikimin e FR-së në Ukrainë; ndaj FR-ja ndërhyri në situatën e paqëndrueshme politike në Ukrainë për të marrë së paku Krimenë nën ndikimin e saj, e cila ka vlerë të madhe simbolike dhe strategjike për FR-në. Pas protestave që filluan në vitin 2013 në FR, kur u krijua edhe mundësia që një qeveri antiruse të vie në pushtet, në vitin 2014 FR-ja aneksoi Krimenë dhe mori këtë rajon jetik nën kontrollin e saj. Pas aneksimit të Krimesë, në Krime u mbajt një referendum (nën pranin e forcave ushtarake) dhe kërkoi bashkimin e Krimesë me FR-në. Aneksimi i Krimesë kishte dy qëllime kryesore për FR-në, i pari duke shfrytëzuar boshllëkun e pushtetit të krijuar në Kiev, ajo u përpoq të aneksonte një pjesë të  konsiderueshme të Ukrainës (që sipas FR-së u përkisnin atyre) dhe i dyti ta rriste ndikimin e saj në Ukrainë duke pamundësuar anëtarësimin e saj në NATO dhe BE. Për më tepër, aneksimi i Krimesë ka çuar në rritjen e mbështetjes ndaj Putinit, sipas një ankete të bërë në FR del që 85 për qind e njerëzve kanë mbështetur aneksimin e Krimesë nga ana e FR-së. 

FR-ja pas aneksimit të Krimes, vëmendjen e ktheu në lindjen e Ukrainës në Donbass, e cila siguron 25 për qind të eksportit të vendit. Kështu, konflikti në Luhansk dhe Dontesk vazhdoi duke shkaktuar viktima të shumta. Në 11 maj 2014, këto dy rajone duke u bazuar në të drejtat e tyre të vetëvendosjes shpallën pavarësinë e tyre, duke u bërë të njohura si Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donteskut. Edhe pse dy protokolle të Minskut u nënshkruan në shtator të vitit 2014 dhe më vonë në shkurt të vitit 2015, për t’i dhënë fund krizës në Ukrainë në formë paqësore, asnjëra prej tyre nuk arriti të zbatohet plotësisht. Këto dy rajone vazhduan të shërbejnë si zona të ngrira konflikti (frozen conflict zone) që mund të ripërdoreshin nga Putinin për ta rritur ndikimin e tij në Ukrainë. 

Cili është roli i NATO-së?

Ngjarjet të cilat ndërlidhen nga viti 2004 në Ukrainë, por veçanërisht aneksimi i Krimesë në vitin 2014 dhe protokollet e Minskut që u përgatitën më vonë, përcaktuan fatin e Ukrainës. Përderisa NATO vazhdoi zgjerimin e saj në rajon, ajo nuk pranoi anëtarësimin e Ukrainës. Si rezultat i kësaj, Zelenski erdhi në pushtet dhe u bë lider i cili duhet t’i japë fund një pushtimit të tmerrshëm të FR-së. 

Pushtimi i FR-së në Ukrainë, përtej marrëdhënieve FR dhe Ukrainë – duhet t’i lexojmë edhe si marrëdhëniet e FR-së me SHBA-në dhe NATO-në, madje edhe si pozicionim në sistemin ndërkombëtar. FR-ja nuk e kundërshton zgjerimin e NATO-së vetëm në kontekstin e Ukrainës, Putini dëshiron që NATO të kthehet në kufijtë e 1997-së, pra kërkon që NATO të tërhiqet nga Polonia, Rumania e Republika Çeke. 

Pushtimi i FR-së në Ukrainë

Pushtimi i FR-së në Ukrainë tregon edhe tendencën e FR-së për të krijuar një shtet satelitor të stilit bjellorus në Ukrainë. Një gjë e tillë ka shumë pak gjasa të ndodhë, pasi që ka mobilizim të masave kundër pushimit rusë dhe kjo do të rrisë opozitën antirus tek populli urkainas dhe rezistenca do të vazhdojë. Mirëpo, sulmi i FR-së në Ukrainë do të ketë implikime edhe për vendet fqinje me FR-në; ata do të kenë vështirësi në marrjen e vendimeve  të pavarura si më parë. Kjo, pasi që FR-ja është duke krijuar precedentë që shtete e mëdha t’i përgjigjen me forcë pas çdo zhvillimi që nuk përputhet me interesat e tyre. 

Pushtimi i Ukrainës nga FR, ka krijuar një efekt tronditës jo vetëm në Ukrainë dhe shtetet e ish – Bashkimit Sovjetik; por ajo mbërtheu të gjithë sistemin ndërkombëtar. Kjo, sepse edhe nëse pritej një sulm nga FR në Ukrainë, mendohej që do të jetë e izoluar vetëm në rajonin e Dontesk dhe Luhansk dhe FR do t’i merrte këto pjesë. 

Rezistenca e popullit ukrainas kundër pushtimi të FR-së bëri kthesë historike, sepse gjatë pushtimit të Ukrainës mendohej se pushtimi që do arrihej shpejt – ashtu sikurse ndodhi në Krime; ushtria e ukrainase do të dëshpërohej dhe do të dorëzohej përpara pushtimit të FR-së; Qeveria Zelenskit do të binte në panikë dhe do të largohej nga vendi– ashtu siç veproi edhe Janukoviçi gjatë protestave të vitit 2013. Gjitha këto planifikime strategjike të FR-së u ballafaquan me rezistencën e popullit të Ukrainës dhe të paktën deri më tani e ndikuan kahjen e pushtimit në Ukrainë, dhe FR nuk arriti ta shtrij ndikimin e saj në Ukrainë. Skenari që FR të sjellë në pushtet një lider që është i shkëputur politikisht nga perëndimi dhe është prorus, më nuk duket e mundshme – madje edhe nëse Kievi bie. Edhe pse, sipas shumë analistëve kjo ka qenë një nga qëllimet kryesore të Putinit, ta ndajë plotësisht Ukrainën nga Perëndimi dhe të krijojë një pushtet të ngjashëm me atë të Bjellorusisë.

Së fundi, jo më me pak rëndësi, dallimet në mes të politikave të SHBA-së dhe Evropës perëndimore janë ekzagjeruar nga ana e Putinit apo janë lexuar gabimisht. Pushtimi i FR-së në Ukrainë nuk mund të kalonte vetëm me një reagim të Perëndimit se si kishte ndodhur në rastin e Krimesë në vitin 2014. Prandaj, pushtimi i një vendi në kontinentin evropian – Ukrainën- përtej që rriti panikun tek shtetet e Evropës – unifikoi shtetet e perëndimit (jo plotësisht), diçka që sigurisht Putini nuk e kishte planifikuar mirë gjatë pushtimit të Ukrainës.  

Në analizën në vazhdim, do të flasim për rolin që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor ose ish shtetet e Jugosllavisë në politikën e jashtme të FR-së. 

© PRIZMA MEDIUM