Ilustrim: macrovector

E përhapur nga kontakti i ngushtë dhe e hasur për herë të parë tek majmunët, pasi origjinën e ka kryesisht në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore dhe shumë rrallë përhapet diku tjetër, sëmundja virale në Evropë dhe pjesë të tjera të botës po konsiderohet alarmante. 

Pra, çfarë është sëmundja e virusit të lisë së majmunit (MPXV) dhe çfarë dimë për të deri tani?

MPXV është i njëjti lloj si virusi “Variola” që shkakton linë, i cili u eliminua zyrtarisht në vitin 1980. Simptomat e tij janë të ngjashme me ato të lisë. MPXV edhe pse shkakton sëmundje më pak të rënda klinikisht, është një sëmundje zoonotike virale (një virus që transmetohet nga kafshët tek njerëzit), me simptoma shumë të ngjashme me ato që janë parë tek të sëmuret e lisë në të kaluarën. 

Shenjat klinike manifestohen me temperaturë, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të shkaktojnë një sërë komplikimesh mjekësore. Por, tipari më i pazakontë i tij është një skuqje që zakonisht fillon në fytyrë dhe më pas përhapet në pjesë të tjera të trupit si në organet gjenitale, duart ose këmbët.

Skuqja ndryshon, duke formuar përfundimisht një kore, e cila më pas bie nga trupi.

Virusi MPX është zakonisht i butë dhe shfaqet me simptoma që zgjasin 2-4 javë. Shumica e pacientëve shërohen brenda pak javësh pa trajtim. Megjithatë, mund të paraqiten raste të rënda dhe sëmundja mund të jetë fatale. Shkalla e vdekshmërisë së rasteve të fundit ka qenë rreth 3-6%.

Kur virusi përhapet nga kafshët tek njerëzit, transmetimi nga njeriu në njeri është përgjithësisht i kufizuar. Kjo ndodh për shkak se virusi nuk është me të vërtetë “i përshtatshëm” për të mbështetur përhapjen nga njeriu në njeri. Transmetimi nuk është i lehtë, por mund të transmetohet nga njeriuvnë njeri përmes kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe objekte të tjera si mbulesat e shtratit. Sa më i afërt dhe më i gjatë të jetë kontakti, aq më e madhe është mundësia e transmetimit.

Kontakti i drejtpërdrejtë gjatë marrëdhënieve seksuale gjithashtu mund ta bëjë më të lehtë infektimin me virusin. Megjithatë, interesante ishte se kjo rrugë e transmetimit nuk ishte identifikuar kurrë më parë. Por, shumica e rasteve të fundit nga Britania e Madhe kanë treguar se virusi transmetohet përmes kontaktit seksual.

MPXV ka origjinën në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore dhe rrallë ka shkaktuar raste në rajone të tjera. Kjo është arsyeja pse numri i rasteve në shumë vende të Evropës është alarmante.

Lija e majmunëve u identifikua për herë të parë në vitin 1970, në Kongo. Që atëherë, shumica e rasteve janë raportuar në zonat rurale, pyjore tropikale të vendit. Që nga viti 1970, raste të MPXV janë regjistruar në shumë vende të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore. Që nga viti 2017, Nigeria ka përjetuar një shpërthim të madh me mbi 500 raste të dyshuara dhe mbi 200 raste të konfirmuara me një shkallë të vdekshmërisë prej rreth 3%. Deri më sot, rastet vazhdojnë të raportohen nga ato rajone.

MPXV pasi prek jo vetëm vendet në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, por edhe pjesën tjetër të botës, është një sëmundje me rëndësi globale për shëndetin publik. Në vitin 2003, shpërthimi i parë i MPXV jashtë Afrikës u raportua në Shtetet e Bashkuara dhe kishte lidhshmëri me kontaktin e ngushtë me ketrat brejtës të infektuar. Këto kafshë shtëpiake janë mbajtur në të njëjtin mjedis me kafshët e tjera që ishin importuar në vend nga Gana. Kjo epidemi shkaktoi mbi 70 raste të MPXV në Shtetet e Bashkuara.

MPXV është raportuar gjithashtu tek udhëtarët nga Nigeria në Izrael në shtator 2018 – dhjetor 2019, në maj 2021 në Mbretërinë e Bashkuar, në maj 2019 në Singapor dhe në korrik dhe nëntor 2021, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në maj 2022, raste të shumta të lisë së majmunëve u zbuluan në disa vende jo-endemike si Portugalia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Suedia, Belgjika dhe Shtetet e Bashkuara. Aktualisht janë duke u zhvilluar studime për të kuptuar më mirë shfaqjen dhe përhapjen e shpejtë të lisë së majmunëve në këto vende.

✎ Şeyma Celina Suroy

© PRIZMA MEDIUM