Kompania Kelkos ka paditur aktivisten për shpifje dhe dëmtim të imazhi për shkak të reagimeve të saj publike që kjo kompani po i shkakton natyrës. Kompania Kelkos ka kërkuar nga Shpresa Loshaj 100.000 euro dëmshpërblim për prishje të imazhit. Padia e ngritur nga kompania Kelkos kundër aktivistes është konsideruar si padi SLAPP. Paditë SLAPP bëhen kundër pjesëmarrjes aktive në jetën publike. Mirëpo, përmes aktivizmit të saj për mjedis, Shpresa Loshaj ka marrë një mbështetje të madhe edhe nga shoqëria civile në Kosovë. 

Për të marrë më shumë informacione rreth aktivizmit të saj mjedisor, betejën për mbrojtjen e lumit në grykën e Deçanit, ne kemi intervistuar aktivisten ambientaliste Shpresa Loshaj. 

Po fillojnë me aktivizmin tuaj mjedisor. Si nisi aktivizmi juaj për mbrojtjen e mjedisit?

Aktivizimi im për mbrojtjen e mjedisit ka filluar shumë natyrshëm dhe ka rrjedhur shumë natyrshëm, nuk është se kam pasur ndonjë prapavijë aktivizmi për mjedisin më parë. Por për shkatërrimet e mjedisit në grykë të Deçanit kam filluar të flas, në momentin kur e kam pa që njerëzit në Deçan nuk janë ndjerë të lirë te flasin për atë se çfarë po ndodhë në grykë të Deçanit nga ndërtimi i hidrocentraleve. Nuk mund ta bësoja se si mund të jetë një heshtje kaq e madhe, përballë një shkatërrimi kaq të madh mjedisor. Kur e kam kuptuar se çfarë po ndodh në grykën e Deçanit, për Kelkos-in dhe njerëzit që po ju rrinë pas, në asnjë moment nuk kam menduar me hesht. Nëse heshti, do ta tradhtoj vetën, sakrificën time dhe sakrificën e të tjerëve për të jetuar të lirë në tokën tonë.

Kur pashë që askush nuk po flet, edhe ata që duhet të merreshin me këtë problem, e kuptova që problemi është më i madh se sa që po mendohej që është. E pashë që kjo është një çështje që më duhet të kontribuoj për vendin tim. 

A mendoni që në Kosovë ka vetëdije për mbrojtjen e natyrës?

Mendoj se në Kosovë ka një vetëdije që është duke ndodhur shkatërrimi i natyrës, dhe ka filluar të rritet vetedija për mbrojtjen e natyrës, por nuk ka vetëdijesim të mjaftuar se duhet të mbrohet urgjentisht dhe se dëmet janë të pariparueshme. Fatkeqësisht, nganjëherë pa e pa se deri në çfarë gjendje mund të shkojë shkatërrimi i natyrës – siç ka ndodh në Zall të Rupës në Deçan, ku është bërë si shkretëtirë – nuk mund ta kuptojmë se çfarë dëmi i është bërë natyrës. 

Në bisedat e mia private që kam pasur me banorët e Deçanit, të gjithë më kanë thënë se është duke u bë një dëm i madh në grykën e Deçanit dhe e kanë konsideruar si të rrezikshem. Por fatkeqësisht në Deçan nuk ka qenë dhe nuk është e lehtë të flasësh për dëmet e hidrocentraleve. Por edhe po deshtën nuk ju japet mundësia sepse Ministria e Mjedisit nuk ofron të paktën një numër se ku mund të raportosh një dëm që po ndodh në natyrë. Duhet me u mundu shumë për me i raportu  dëmet në ministri.

Në rast të Deçanit, në fillim kam menduar që është problem i koordinimit institucional, se kush duhet të merret me rastin sepse nuk gjeja një vend që i pranonte informatat tona. Por me kohë kuptova se problemi nuk është tek koordinimi apo mungesa e informacioneve, por tek heshtja dhe mungesa e veprimeve institucionale përballë këtij krimi që po i bëhet natyrës në Kosovë. 

Tani të gjithë ju njohim për kauzën tuaj për mbrojtjen e lumit në grykën e Deçanit. A mundeni me na tregu se ku ka qenë problemi i ndërtimit të hidrocentraleve në Deçan?

Identifikimi i problemit dhe parregullsive të kompanisë së Kelkos-it në hidrocentralet e Deçanit, të ka qenë një fazë e ndërlikuar, për arsye se ne kemi pasur rastin ta shohim shkatërrimin që po ndodh, por nuk kemi pasur qoftë edhe një dokument të vetëm që ka të bëjë me aspektin e legalitetit të hidrocentraleve në grykën e Deçanit. As komuna dhe as ministria nuk kanë ofruar asnjë dokument për ta identifikuar rastin. Megjithatë, pas insistimit së bashku me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave, kemi marrë diku 20% e dokumenteve që kishim kërkuar. Por edhe ato pak dokumente kanë pas efekt për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur. Përmes atyre dokumenteve ne kemi verifikuar që Kelkos-i nuk kishte asnjë leje për operim të hidrocentraleve në Deçan dhe se edhe procesi i ndërtimit ka qënë i kundërligjshem dhe pa dijeni të banorëve të ndikuar.. Për këto shkelje e ekspozuam Kelkos-in mbrenda dhe jashtë Kosovës. Gjithashtu, i ekspozuam edhe për shkatërrimet masive mbi grykë të Deçanit.

“Ia vlen e gjithë sakrifica për të parë se demokracia është e gjallë në Kosovë dhe ka vlerë për popullin e Kosovës.’’

E keni përmendur disa herë se banorët e zonës së Deçanit janë të rrezikuar. A mund të na tregoni se ku ishte rreziku më i madh për banorët?

Banorët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të rrezikuar. Që nga koha kur janë ndërtuar hidrocentralet nuk është ndërmarrë asnjë hap më i vogël për mbrojtjen e natyrës dhe banorëve. Banoret e Deçanit në disa momente kanë qenë të rrezikuar aq shumë nga punimet e hidrocentraleve dhe askush nuk ju ka dalë në ndihmë, saqë shpeshherë e kam pyetur veten, nëse ata kanë shpresuar se shteti do të ju del në mbrojtje, apo e kanë ditë që janë krejtësisht vetëm përballë rrezikut.

Kelkos-i gjatë punimeve, ka dëmtuar shtratin e lumit, ka dëmtuar edhe rruga që shfrytëzohet nga bjeshkatarët/ fshatarët për të shkuar në bjeshkë dhe i kanë instaluar kabllo elektrike mbi gypat e ujit të pijshëm për dhjetëra fshatra të Deçanit. Gjithashtu, kanë gropuar para staneve të bjeshkatarëve, për me marr zallin për me i ndërtu hidrocentralet. Kur bjeshkatarët i kanë pyetur fillimisht pse po gropojnë, Kelkos-i i ka thënë se si pjesë e projektit  do të ndërtojnë një fshat turistik, ku do të ndërtohen edhe bazena. Banorët më kanë treguar që Kelkosi ka hapur gropa aq të mëdha saqë të gjithë, sidomos fëmijët, kanë qenë shumë të rrezikuar. Gropat e hapura nga Kelkosi pas një kohe janë vërshuar me ujë për shkak të ndryshimeve klimatike, që ka sjellë një situatë edhe më të rëndë për banorët. 

Edhe sot banorët vazhdojnë të jenë të rrezikuar ose nga thatësira, nga vërshimet apo shembjet e dheut. Por prapë nuk ka asnjë vëmendje nga institucionet publike. Për këtë më vjen shumë keq sepse në një mënyrë po tregon se sa e pa vlerë është jeta e qytetarëve për institucionet publike, ose me mire të themi për zyrtarët që i drejtojnë ato. 

A mund të na tregoni se pse jeni paditur nga kompania Kelkos? 

Me deklaratën e parë mediatike që bëra për rastin e Kelkos-it dhe për dëmin ndaj natyrës që po ndodh në grykën e Deçanit, Kelkos-i menjëherë e ka dorëzuar padinë kundër meje. Unë në atë deklaratë kam thënë se hidrocentralet e Kelkos-it janë duke operuar pa leje mjedisore. Kelkos-it pas kësaj deklarate, më kanë paditur për shpifje me 100.000 euro, gjoja se kanë liçensë për operim. Nëpërmjet kësaj padie Kelkos-i ka tentuar të më kërcënojnë jo vetëm mua, por edhe të tjerët që mendojnë të më bashkohen apo të veprojnë si unë. 

Edhe shoqëria civile në Kosovë e ka vlerësuar këtë padi si shumë të rrezikshme për demokracinë në Kosovë. Kjo padi e Kelkos-it ndaj meje është konsideruar si padi SLAPP. Paditë SLAPP kanë për qëllim të mbyllin gojën e aktivistëve ose gazetarëve për çështjet që ata/ato avokojnë. Efektin e padisë e kam parë menjëherë edhe te disa banorë në fshatit tim, që kishin frikë të flisnin me mua, apo të më ndihmonin. 

Besoj që në kohën kur më ka paditur Kelkos-i për aktivizmin tim, ka llogaritur në dy gjëra. E para ka besuar në institucionet e Kosovës, nuk do të kenë fuqi të veprojnë përballë fuqisë së Kelkos-it dhe atyre që i mbështesin ata. Edhe e dyta, ka besuar që në Kosovë nuk ekziston demokracia dhe askush nuk reagon për të mirën e përbashkët dhe për krimet që bëhen në natyrë. Por, me mobilizimin dhe rezistencës së shoqërisë civile në Kosovë, kundër shkatërrimeve të natyrës që i ka bërë kompania e Kelkos-it, mendoj që e kemi dëshmuar se demokracia dhe natyra janë tejet të rëndësishme për popullin e Kosovës.

Cila është gjendja e tanishme? A është ndërmarrë ndonjë hap nga niveli institucional? 

Për fat të keq, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për hidrocentraleve në Deçan apo për hidrocentralet tjera në Kosovë, edhe pse ka pasur premtime shumë të mëdha. 

Gjykata Themelore në Prishtinë ka pezulluar lejet e Kelkosit, edhe Gjykata Supreme e Kosovës e ka mbështetë masën pezulluese mbi punën e hidrocentraleve në Deçan. Pra, hidrocentralet në Deçan nuk mund të operojnë ligjshëm derisa gjykata të nxjerr një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e lejeve. Heroi i kësaj kauze është edhe gjyqtari Kreshnik Kaqiu që ishte i pari që pati guxim të zbatojë ligjin dhe të veprojë në interes të popullit. Evidenca e mbledhur na tregon se në të gjitha institucionet publike në Kosovë, përkundër shkeljeve ligjore dhe evidences kundër operimeve të Kelkosit, askush, asnjëherë nuk ka marrë ndonjë vendim që të ndalohen operimet edhe pse kanë pasur mandat të bëjnë këtë. 

Ne kemi besim të madh që këto leje do të anulohen dhe Kelkos-it do t’i duhet që fillimisht të plotësojë kushtet për aplikim të lejës që përfshinë rehabilitimin dhe ta bëjë kompensimin e dëmeve. Ne presim dhe kërkojmë që procesi i këtyre lejeve nga Ministria e Mjedisit të bëhet në mënyrë transparente, i bazuar në fakte shkencore dhe vullnet te popullit. 

Ne si shoqëri civile në Kosovë do të vazhdojmë të përdorim gjitha mekanizmat ligjorë në vend dhe jashtë vendit që hidrocentralet të operojnë në mënyrë ligjore. Ne kërkojmë që qeveria e Kosovës të jetë më transparente në këtë çështje dhe të bëjë veprime konkrete, ashtu siç edhe ka premtuar. 

Intervistë: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM

Kjo intervistë është prodhuar me mbështjetjen financiare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.