Foto: Elmedina Arapi/Anibar

Kinemaja Jusuf Gërvalla është ndërtuar me financimin e sindikatës së punonjësve, me qëllim të krijimit të një hapësire kulturore për qytetin, për të shfaqur filma dhe për të shërbyer si pikë takimi për banorët e Pejës. Që nga ndërtimi i saj në fillim të viteve 50-të e deri në vitin 1998, ajo shërbeu si pikë qendrore e aktiviteteve të përbashkëta kulturore për pejanët.

Ndërtesa ka një sipërfaqe prej 731 m2 (8406.61 sq. ft.) dhe është e ndarë në disa hapësira të cilat përfshijnë sallën kryesore, dhomën e projektimit, ballkonin në katin e dytë, hapësirat për zyrë, hollin dhe tualetin. Përveç ndërtesës kryesore të kinemasë, aty ndodhet edhe një godinë aneks 80 m2, ku në të kaluarën ishin të vendosura zyrat e sindikatës së punëtorëve dhe tani përdoret si njësi administrative për kinemanë. 

Filma të zhanreve të ndryshme u shfaqën në Kinema apo Kinema-Teatër apo “Film” siç njihej nga banorët e Pejës. Në periudha të ndryshme janë shfaqur lloje të ndryshme filmash, ndaj në bazë të posterave që mbeten në arkivat e kinemasë, vërehet se në vitet 1960 dominonin filmat e njohur si “Western”, kurse në vitet 1970 kishte një dominim të filmave indianë të “Bollywood”, për faktin se filmat “Western” kishin fituar famë botërore, derisa filmat e kinemasë indiane ishin shtrirë edhe në Kosovë. 

Në vitet 1980, evidente ishin dominimi i filmave aksion dhe prania e filmave të zhanrit aziatik. Gjatë gjithë viteve 1980, kinemaja shfaqi filma fantastiko-shkencore të përziera me aksion, të cilat janë ende të njohura sot, si Robocop dhe Terminator. Ka pasur edhe filma që janë shfaqur nga shtëpia e njohur e distribuimit në Kosovë – “KosovaFilm”, të cilat zakonisht janë bashkëprodhuar me shtëpitë e distribuimit, të cilat kanë qenë mjaft aktive në ish-Jugosllavi. 

Filmat që u shfaqën nëpër kinema erdhën falë bashkëpunimit të një rrjeti joformal të kinemasë në ish-Jugosllavi. Filmat që u shfaqën në kinemanë “Jusuf Gërvalla” ishin filmat më të rinj të kinemasë botërore dhe u shfaqën atëherë kur kinematë e Kosovës morën pikën e kthimit. Kasetat filmike u përdorën sipas programeve të kinemasë. Produksionet janë blerë me licenca vjetore dhe janë vënë në dispozicion nga shtëpitë e distribuimit. Mes tyre ishin filma të blerë sipas shijeve dhe kërkesave të publikut. Për shfaqjet e filmave, kinemaja bashkëpunoi me të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë pasi secila republikë kishte shtëpitë e veta të produksionit të filmit. Kasetat filmike të ofruara për shfaqjen e filmave u bartën nëpër kinematë e ish-Jugosllavisë dhe disa nga këto kaseta filmike vazhdojnë të jenë pjesë e arkivit të kinemasë, të mbetura aty nga pamundësia për t’u dërguar në kinema të tjera për shkak të fillimit të krizës dhe luftërave në ish-Jugosllavi. Filmat shfaqeshin në tre dhe nganjëherë katër orare të ndryshme ditore: 11:00, 14:00, 17:00 dhe i fundit në orën 19:00. Në rastet kur frekuentimi i një filmi ishte i lartë, ka pasur raste të shpeshta kur biletat shiteshin në tregun e zi me çmime më të larta. 

Edhe pse zyrtarisht funksiononte që atëherë, aktivitetet e kinemasë ishin të rralla në fillim të shekullit të 21-të; shfaqjet e pakta të filmave dhe organizimi i takimeve të rastit ose eventeve përkujtimore.

Kinemaja ka funksionuar si qendër kulturore ndër vite duke përfshirë një gamë të gjerë aktivitetesh kulturore dhe edukative, koncerte muzikore, shfaqje teatrale, recitale, programe për fëmijë, panele diskutimesh dhe evente të organizuara për të shënuar data të rëndësishme. Për shkak të atyre aktiviteteve, kinemaja ishte kthyer në një nga institucionet kulturore më të frekuentuara dhe më atraktive të asaj kohe. Megjithatë, aktiviteti kryesor dhe kujtesa kolektive më e rëndësishme lidhet me shfaqjen e filmit. 

Kinema Jusuf Gërvalla është aktualisht kinemaja e vetme aktive në qytetin e Pejës, duke ofruar kështu vendin e vetëm për shfaqjen e filmave në qytet. Përveç shfaqjes së filmave, ka edhe funksione të tjera për të cilat përdoret hapësira. Vitet e fundit kinemaja është kthyer në një simbol të rezistencës ku ndodhin kultura alternative dhe dialogu social.

INICIATIVA KINOPERQYTETIN!

Në vitin 2010, një grup aktivistësh të rinj të artit filluan Festivalin Ndërkombëtar të Animacionit Anibar, duke i dhënë një shtysë skenës kulturore të Pejës. Gjatë shtatë ditëve të festivalit, mijëra njerëz e vizitojnë Pejën, shfaqen qindra filma dhe mbahen punëtori të shumta dhe aktivitete të tjera.

Duke qenë se festivali ishte e vetmja nismë kulturore në qytet, ekipi që qëndron pas Anibar u përpoq të rigjallëronte kinemanë në mënyrë që të krijonte një program gjatë gjithë vitit. Me mbështetjen dhe përpjekjet e gjithë skenës kulturore në vend, organizata filloi një dialog me Komunën e Pejës për të zhvilluar një program dhe për të rigjallëruar objektin i cili gjithashtu është shënuar si monument historik në listën e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare. 

Në dhjetor 2016, qyteti ia dha me qira ndërtesën Anibarit dhe komunitetit pas saj për një periudhë 15-vjeçare. 

Kinemaja ndodhet në një lokacion shumë qendror që zakonisht do të thotë se mundësitë e zhvillimit të bizneseve ishin mjaft të larta. Në mars të vitit 2017, Agjencia Kosovare e Privatizimit filloi procesin e likuidimit të objektit. Likuidimi është faza e parë e procesit drejt privatizimit dhe pavarësisht nëse procesi ka përfunduar, do të duhen ende muaj, ndoshta edhe vite, derisa dikush të jetë në gjendje të shfrytëzojë kinemanë.

Kjo ngjalli zemërim në skenën e pavarur kulturore në Pejë dhe ky vrull u ndërtua në një iniciativë mbarëkombëtare të quajtur Kino për Qytetin! (Anglisht: A Cinema for the City) për mbrojtjen e të vetmes kinema të mbetur në qytetin e Pejës. Iniciativa mobilizoi qytetarët e Kosovës përmes nënshkrimit të një peticioni kundër privatizimit të kinemasë. Më shumë se 6000 qytetarë nga Peja e nënshkruan peticionin, 100 organizata nga shoqëria civile e mbështetën iniciativën dhe mediat kombëtare dhe rajonale e mbuluan atë.

Në Kosovën e pasluftës, pothuajse të gjitha objektet shtetërore, duke përfshirë disa monumente të trashëgimisë kulturore, janë privatizuar, dhe shpesh janë rrënuar ose ripërdorur si supermarkete apo parkingje. Bazuar në përvojën e mëparshme nga rastet në qytetet tjera, komuniteti i organizatave kulturore në Pejë gjatë gjithë muajit mars 2016 ka zhvilluar programe të vazhdueshme kulturore në kinema. Kjo përfshinte shfaqje filmash, diskutime dhe koncerte të ndjekura nga përditësimet në formë fjalimesh për situatën në mënyrë që të mobilizoheshin dhe të merrnin mbështetjen e qytetarëve të Pejës.

Iniciativa #kinemaperqytetin sillej rreth idesë së kujtesës kolektive dhe prekte një çështje me të cilën po shqetësoheshin shumë qytetarë – privatizimin e publikes – megjithatë, askush deri në kundërshtimin e skenës kulturore nuk kishte marrë rol për të kundërshtuar në këtë nivel AKP-në në qytetin e Pejës. Kinemaja Jusuf Gërvalla ishte një nga ato hapësira publike me të cilat qytetarët mund të rrëfenin përvojat e tyre.Nuk përfaqësonte thjesht një ndërtesë, përfaqëson filmin e tyre të parë në kinema, puthjen e parë, aktivitetin e parë të përbashkët, shfaqjen e parë, koncertin e parë e kështu me radhë.

Pas kundërshtimit gjykata e ngriu procesin, çka nënkuptonte se ndërtesa do të rrezikohej ende, por në një fazë të mëvonshme. 

Nisma ka filluar si kundërshtim ndaj vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për mbrojtjen e ndërtesës, duke u sillur rreth idesë së kujtesës kolektive dhe ruajtjes së saj. Ndërsa rritej, ajo ndriçoi aspekte të tjera dhe kontribuoi në fuqizimin e qytetarëve për të kundërshtuar kur kërcënohen të përbashkëtat, jo vetëm në rastin e kinemasë. 

Kjo është arsyeja pse në gusht të 2017 Anibar përmes Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit filloi një iniciativë tjetër të quajtur Reclaim the City (Rifito Qytetin)! Kjo iniciativë kishte për qëllim përhapjen e të kuptuarit se hapësira publike në Kosovë ka qenë e ekspozuar ndaj pengesave të ndryshme negative që shkaktuan një shkyçje me shoqërinë vendase. Nëpërmjet iniciativës, Anibar donte të rimerrte qytetin nga shtypja. Duke rimarrë qytetin, Anibar aspiroi të reflektonte një ndërgjegje shoqërore të definuar mirë, për të ndërvepruar me hapësirën publike. Rregulloret e qeverisë dhe sektori privat kanë qenë forca prapa një pushteti të vazhdueshëm mbi mënyrën se si të tjerët ndërveprojnë me qytetin dhe si një grup njerëzish që filluan Anibar dhjetë vjet më parë, patën urgjencën për të promovuar që hapësira publike i përket publikut. 

Iniciativa ishte një përgjigje ndaj një elite aktorësh, të cilët shkaktojnë shpërbërjen me hapësirën publike, dhe më keq: injektimin e harresës dhe mungesës së produktivitetit. Qasja ndaj rikuperimit është një sinjal kreativ për krijimtarinë e qytetit, duke ftuar banorët, madje edhe vizitorët që ta ndihmojnë komunitetin e Anibarit të zhvillojë dhe t’i përgjigjet një intimiteti kreativ me hapësirën jo vetëm kur zhvillohen festivale.

Ky aksion synonte të eksploronte si natyrën ashtu edhe peizazhet urbane, të vjetrat dhe të rejat, për të rikthyer gjallërinë në përdorimin e hapësirës nga mërzia dhe pajetësia.

Ky rrugëtim filloi me zërin aktiv shumëvjeçar në çështjet e rivitalizimit të hapësirës publike kundër pronësisë së pushtetit lokal në Pejë. Qytetarët arritën të marrin në dorë kinemanë e vetme. 

Kjo arritje ka bërë që komuniteti të besojë se do të vazhdojë të mbetet aktiv në rivitalizimin e hapësirave të tjera të heshtura dhe të braktisura, potencialisht për të apeluar për realizimin e plotë të përdorimit dhe shpërdorimit të tyre. 

Rifito qytetin luftoi për vlerat demokratike në hapësirën publike. Rindërtimi i hapësirave publike rikthen gjallërinë e vendeve të mbushura me njerëz dhe aktivitete që përfaqësojnë një kulturë të përbashkët, të hapur ndaj mediumeve të reja të shprehjes dhe pritshmërive për një të ardhme të përbashkët. Pasi ka identifikuar mjete të sakta për të rimarrë qytetin, ky komunitet beson se do të ringjallë atë që është çaktivizuar për një kohë të gjatë: njohuri më të reja dhe praktika të dobishme për të përqafuar aromën e kulturës së larmishme, pa përjashtuar kujtesën, narrativën lokale dhe çfarë i duhet një qyteti që të mos flejë kurrë: njerëzit e tij. 

Që nga viti 2016, Anibar ka punuar në rithemelimin e Kino Jusuf Gërvallës si qendër kulturore e Pejës me përpjekje të përkushtuara në rinovimin dhe ruajtjen e saj, për të promovuar më mirë trashëgiminë e saj kulturore në komunitetin lokal dhe kombëtar.

✎ Vullnet Sanaja

© PRIZMA MEDIUM