Foto: Agon Dana/DokuFest

Në kuadër të këtij program, Manifesta 14 Prishtina në bashkëpunim me Dokufest, të dielën mbajti një diskutim me temën Peizazhe të Ripartimit dhe Resistencës. Ky ishte një bashkëbisedim interesant mes regjisores së filmit Wild Relatives, njëherit artiste – skulptore Jumana Manna, ndërmjetësuesës kreative të Manifesta 14 Prishtina Catherine Nichols, dhe drejtorit artistik të Dokufestit Veton Nurkollari, diskutim ky i organizuar në një ambient të hapur i mbushur me njerëz që kishin ardhur ta përcjellur dhe për të qenë pjesë e diskutimit. 


Jumana Manna – regjisore dhe skulptore – duke folur për punën e saj artistike dhe idenë e krijimit të filmit Wild Relatives tha se gjithmonë i ka bërë përshtypje ndërlidhja historike e industrisë së agrokulturës – se si është manifestuar ajo dhe se si historia vazhdon me qenë e gjallë në jetën e përditshme. Filmi pasqyron marrëdhënie mes formës industriale të ruajtjes së farave dhe prodhimit të tyre, por në film gjithashtu tregohet jeta e një fermeri që përballet me një formë më organike të qasjes së ruajtjes së farave që është më shumë model ‘grassroot’ (me bazë në komunitet), që për regjisoren e filmit është pak abstrakte. 

“Përmes rolit të fermerit ideja ka qenë që të pasqyrohet mënyra se si palestinezët ndërmjet punës me kultivimin e tokës e transferojnë njohuritë e tyre për punimin e tokës te gjeneratat e tjera. Punimi i tokës është një punëve që palestinezët e bëjnë edhe sot në sezonën e vjeshtës. Dhe në fakt filmi tregon se si palesitenzët kanë vendosur për të luftuar për ligjin për mbrojtjen e natyrës të vendosur nga Izraeli, ligj ky që i ka ndaluar ata që të kultivojnë toka të caktuara. Është ideja të tregohet se si kultivimi i tokës në këta rast farave mund të politizohet dhe kjo përdoret si një formë e rezistencës së njerëzve ndaj një regjimi”.

Në anën tjetër, Catherine Nichols nga Manifesta 14 tregoi se si kanë vendosur të kurojnë këtë program special për Dokufest dhe bashkëpunimin me Dokufest për këtë edicion.  Ajo u shprehë se nga bashkëbisedimi me Veton Nurkollarin, e kanë parë që pak a shumë e kanë të njëjtën ide të krijimit të filmave që tregojnë për mbijetesën por në forma të ndryshme. Filmi i Manna’s, sipas saj është një nga ata filma që tregon atë se si mund të dalim nga narrativat e konfliktit çfarëdo qofshin ato. “Në një forme ne duhet ta mendojmë një rrugëdalje ndoshta të paimagjinueshme, të mos qëndrojmë brenda narrativave të konflikteve dhe dhunës, por të gjejmë zgjidhje”, tha ndër të tjera ajo. 

Si u përcaktu tema e këtij edicioni të Dokufestit?

Nga diskutimi për filmin e Manna’s dhe mbijetesën, Veton Nurkollari tregoi edhe mënyrën se si kanë ardhur deri tek përzgjedhja e temës qendrore të edicionit të sivjetëm të Dokufestit. Për më tepër ai tregoi për sfidat nëpër të cilat ka kaluar ekipi i Dokufestit deri në përcaktimin e saj. “Pjesa më e madhe e programit tashmë ishte përcaktuar kur ne vendosëm për temën e sivjetme që zakonisht nuk ka ndodhë në të kaluarën. Por ajo që e kemi zbuluar duke parë filmat garues e kemi parë që shumica e tyre trajtojnë temën e mbijetesës dhe nuk ishim të vetëdijshëm për këtë element kur i kemi përzgjedhë ato”, tha ai.

“Ishte interesante për ne të shohim që shumica e filmave po korrespodojnë me këtë temë në këtë kohë. Prandaj ne filluam të përgatisim programin me këtë temë dhe jemi munduar të shpjegojmë dhe prezantojmë arsyen se pse e kemi zgjedhur këtë temë dhe këtë pyetje ekzistenciale pikërisht në këtë kohë. Por mendoj që është kohë kritike për të shtruar këtë pyetje dhe këtë temë”. 

Panelistët në fund theksuan kohën që tani gjendemi në një moment kritik për të reflektuar dhe menduar për një të ardhme alternative përballë problemeve të shumta me të cilat po përballemi si lufta, krizat klimatike etj.

© PRIZMA MEDIUM