Të drejtat e mohuara të të moshuarve
Grupmosha e tretë e shoqërisë kosovare është pjesë e margjinalizuar e komunitetit meqenëse në baza ditore ballfaqohet me sfida dhe përjashtime sociale, ekonomike dhe infrastrukturore.
Grupmosha e tretë e shoqërisë kosovare është pjesë e margjinalizuar e komunitetit meqenëse në baza ditore ballfaqohet me sfida dhe përjashtime sociale, ekonomike dhe infrastrukturore.
Të moshuarit duhet të kenë në dispozicion një forcë më të madhe për të pasur qasje në të mirat publike dhe për t’u përfshirë në shoqëri përmes formave të ndryshme – e që rrjedhimisht do t’ua mundësonte atyre që të bëheshin qytetarë me të drejta të plota. Kombet e Bashkuara në rezolutën 46/91 të miratuar nga Asambleja Gjenerale kanë përcaktuar pesë parime për të moshuarit duke inkurajuar qeveritë që ta përfshijnë Pavarësinë, Pjesëmarrjen, Kujdesin, Vetëpërmbushjen dhe Dinjitetin e të moshuarve në programet e tyre kombëtare. Është shoqëria dhe institucionet ata të cilët duhet të sigurojnë që kjo grupmoshë të përfitojë barazinë shoqërore dhe mirëqenien përmes politikave dhe mekanizmave të shumtë të cilat janë në dispozicion. Pra, rrjedhimisht duhet të rritet përkushtimi institucional dhe shoqëror në mënyrë që të moshuarit të mos kufizohen brenda margjinave të përcaktuara nga faktorët e tanishëm.
Pavarësia financiare dhe kujdesi shëndetësor
Pavarësia financiare edhe pas pensionimit do të siguronte mirëqenien në mesin e të moshuarve. Mungesa e pensioneve të dinjitetshme dhe mungesa e një sistemi adekuat të kujdesit shëndetësor vazhdojnë të jenë problematika esenciale të pensionistëve kosovar të cilat edhe po sjellin një zingjir problemesh brenda shoqërisë sidomos në këtë periudhë të inflacionit dhe krizës ekonomike. Raporti i fundit i Progresit për Kosovën thekson se çështja e kujdesit për të moshuarit vazhdon të mbetet një problem serioz pasi që si pasojë e mungesës së ambienteve të kujdesit dhe gjendjes financiare po krijohen pengesa tjera të cilat po margjinalizojnë edhe më thellë një grup tjetër të shoqërisë siç janë gratë duke i privuar ato nga mundësia e punësimit. Mungesa e theksuar e dorës së shtetit e cila do të lehtësonte përkujdesjen duhet të merr një prioritet dhe në këtë rast komunat duhet të përmirësojnë planifikimin për ofrimin e shërbimeve dhe kujdesit të integruar i cili i referohet shërbimeve që përfshijnë kujdesin e vazhdueshëm për të moshuarit brenda shtëpisë dhe brenda institucioneve shëndetësore.
Përfshirja politike dhe sociale
Të moshuarit në Kosovë ballafaqohen me mungesë të përfshirjes politike dhe sociale. Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të përcaktuara nga OKB në vitin 2015 theksojnë rëndësinë e përfshirjes së të moshuarve në politika dhe programet e zhvillimit, dhe qeveritë inkurajohen që asnjë kategori të mos e lënë prapa në këto procese.
Një theks i veçantë nga institucionet tona do të duhej t’i jepej përfshirjes së të moshuarve në proceset e përpilimit të politikave dhe proceseve vendimmarrëse në mënyrë që nevojat e tyre të mos anashkalohen dhe politikat publike të jenë miqësore në raport me këtë grup. Institucionet duhet të sigurojnë përfshirjen të moshuarve gjatë konsultimeve publike dhe planifikimeve buxhetore në mënyrë që nevojat e të moshuarve të identifikohen drejtëpërdrejtë nga ta dhe dizajnimi i zgjidhjeve të bëhet përmes parimit të përfshirjes në mënyrë që në fund të arrihet një qëndrueshmëri në zgjidhjet institucionale të arritura për këtë kategori.
Po ashtu, edhe përfshirja sociale e të moshuarve vazhdon të mbetet një sfidë për shoqërinë tonë. Përfshirja sociale përmes krijimit të mekanizmave të vullnetarizmit është një nga mjetet që do të forconte këtë komunitet përmes përfitimeve të shumta që ndërlidhen me shëndetin dhe marrëdhëniet e tyre shoqërore. Krijimi i një qendre ku këta mund t’i praktikojnë aftësitë e tyre të ndryshme dhe ku ata mund të formonin një organizim shoqëror do të ndikonte në krijimin e një ndjenje përkatësie në komunitet dhe do t’ua lejonte atyre të qëndronin aktiv duke vazhduar dhënien e kontributit në bazë të nevojave dhe aftësive të tyre.
Hapësira publike
Hapësira publike është vendttakimi më i zakonshëm i të moshuarve. Kjo hapësirë është jetike për përmirësimin e shëndetit të të moshuarve sepse stimulon aktivitetin e tyre fizik dhe ndërveprimin social.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), plakja e popullsisë dhe urbanizimi janë dy trende globale të cilat së bashku janë forcat kryesore që po e formësojnë shekullin e njëzet e një.
Krijimi i hapësirave publike të cilat i përmbushin disa standarde specifike siç janë qasja, gjelbërimi, shtigjet e ecjes, mobiliari urban dhe pajisjet rekreative do të ndikonin dukshëm pozitivisht në mirëqenien e kësaj grupmoshe. Fatkeqësisht për këtë grup të shoqërisë është pikërisht hapësira publike ajo e cila sot i margjinalizon. Ata nuk konsultohen dhe nevojat e tyre nuk transmetohen në intervenimet urbane që ndodhin brenda lagjeve ku ata banojnë. Intitucionet e nivelit lokal duhet të aplikojnë parimin e përfshirjes së moshës së tretë në planifikimin urban në mënyrë që nevojat dhe sfidat ditore të tyre të reflektojnë në aplikim të zgjidhjeve në hapësirat e qytetit dhe hapësira publike të jetë indikator i përmirësimit të gjendjes fizike dhe emocionale të tyre.
Margjinat brenda të cilave kategoria e të moshuarve jeton si pasojë e faktorëve politik, social, ekonomik, dhe infrastrukturor duhet të fillojnë të zhbëhen përmes përkushtimit institucional dhe avokimit shoqëror. Të drejtat, dinjiteti dhe mirëqenia e kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë duhet të forcohen përmes krijimit të politikave të duhura dhe prioritizimit të investimeve të qëndrueshme në fushat që e prekin këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë kosovare.
✎ Ardian Muçaj
Ardian Muçaj ka studiuar Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor si dhe Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Ai ka dhjetë vjet përvojë pune si Menaxher Projektesh si dhe Zyrtar për Komunikim në Democracy Plus, EC Ma Ndryshe dhe Lëvizjen FOL. Ardiani ka përvojë të gjerë në fushën e hulumtimit, planifikimit hapësinor dhe të drejtave të njeriut.
“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”