Foto: twitter/ @MiroslavLajcak

Pas takimit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është gjithashtu përgjegjës për dialogun, deklaroi se Serbisë iu kërkua t’i heqë procedurat e aplikuara për qytetarët e Kosovës. Duke u shprehur se ky sot është një përparim, Bislimi tha se, natyrisht, do të preferohej një situatë pa barriera ku targat e të dy vendeve njihen reciprokisht. Grupet punuese që do të krijohen nga të dyja vendet do të fillojnë t’i bisedojnë detajet e këtyre çështjeve që nga 21 tetori.

Sipas përmbajtjes së marrëveshjes, e cila u pasqyrua në shtyp, u arrit një konsensus për tre pika kryesore. Në vend të ndryshimit të targave të automjeteve në vendkalimet kufitare dhe alokimit të përkohshëm të tyre do të përdoren etiketa ngjitëse. Do të krijohet një grup punues për t’i zgjidhur çështjet e lëvizjes së lirë. Pala serbe,  do t’i heqë barrikadat, ndërsa  pala e Kosovës do t’i tërheqë njësitë speciale Rosu të policisë dhe forcat patrulluese të KFOR-it do të vendosen në zonë.

Pas dhënies së targave të përkohshme për automjetet me targa serbe, të cilat filluan të aplikohen në mënyrë reciproke nga Kosova, ngjarjet që krijuan tension shpërthyen në veri të Mitrovicës. Udhëheqësit e Kosovës dërguan njësi speciale të policisë në pikat e kalimit kufitar. Serbët në veri të Mitrovicës organizuan protesta dhe formuan barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare. Pas marrëveshjes në parim të arritur sot, parashikohet që barrikadat dhe njësitë policore të tërhiqen.