Foto: Elmedina Arapi

Ne folëm me zonjën Violeta Pirana, drejtore e shoqatës Renesanca – shoqata e grave në përkrahje të luftës kundër kancerit të gjirit. Znj. Pirana ka kontibuar në arsim si profesore e matematikës dhe fizikës prej 20 vitesh. Në vitin 2016, ajo u diagnostikua me kancer të gjirit dhe shkoi jashtë vendit për shërim. Gjatë kësaj periudhe, ajo e kuptoi se me sa stigma përballen gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit në Kosovë. Në vendin ku po trajtohej kundër sëmundjes së kancerit të gjirit, ajo pa se për çdo sëmundje ekzistonte një shoqatë që mbështeste pacientët. Ku edhe lindi ideja për themelinin e shoqatës kundër kancerit të gjirit në Kosovë. “I kam premtuar vetes që nëse arrij të shërohem nga kjo sëmundje dhe të ngrihem në këmbë, do të themeloj një shoqatë në Prizren, për të ndihmuar pacientët e tjerë, sepse në Kosova kishte shumë nevojë për një shoqatë të tillë, për të mbështetur gratë në luftën kundër kancerit të gjirit. Fillimisht kemi qenë katër persona që kanë themeluar shoqatën në vitin 2017, dhe procesi ka qenë shumë i vështirë, pasi nuk kishim shumë njohuri se si funksionon puna shoqatave”- theksoi ajo.

Në vitin e dytë, menjëherë pas themelimit, organizata Renesanca organizoi një tubim të grave dhe mbajtën një ligjëratë për kancerin e gjirit. Në këtë tubim morrën pjesë edhe pacientet me kancer të gjirit, të cilat folën për sfidat me të cilat ato përballeshin. Ky organizim ngjalli një diskutim edhe në media, pasi deri në atë kohë ishte e vështirë për pacientet të flisnin publikisht për kancerin e gjirit. Ajo tregoi se si nga viti 2019 organizata e tyre filloi me aktivitete më intensive. Znj Pirana tha: “Në vitin 2019 iu bashkuam organizatës Think Pink Europe. Një organizatë ndërkombëtare me qendër në Belgjikë që jep të drejtën për të zhvilluar aktivitetin Rise for the Cure në çdo shtet. Me këtë rast organizata jonë përfitoi këtë të drejtë, dhe që prej atëherë e organizojmë këtë aktivitet në Kosovë. Ideja e aktivitetit është që të ndërgjegjësohet shoqëria dhe të grumbullohen fondet për pacientet me kancer të gjirit.”

Foto: Enis Tabak

“Ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit duhet të rritet në të gjitha vendet e Kosovës”

Violeta Pirana

Znj. Pirana tregoi se kanë organizuar aktivitete të shumta në komuna të ndryshme të Kosovës – veçanërisht me gratë në zonat rurale – për të rritur ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit. Ndër të tjera, ajo tha: “Kur organizonim takime në zonat rurale, vumë re se të rejat hezitonin të bënin pyetje për kancerin e gjirit kur ishin të pranishme edhe gratë më të moshuara.  Për këtë arsye vendosëm të organizonim takime të ndara midis grupmoshave të ndryshme. Ne ende jemi në fazën e edukimit të pacientëve me kancer dhe ka ende shumë nevojë për njohuri rreth kësaj teme dhe duhen gjetur metoda që të sigurohet që të gjithë e marrin informacionin e duhur.”

Ajo në vazhdim tregoi për sfidat e pacientëve në sigurimin e barnave të nevojshme. “Barnat janë shumë të shtrenjta për pacientët me kancer dhe për disa barna pacientët detyrohen të udhëtojnë deri në Prishtinë dhe të presin gjithë ditën derisa t’i sigurojnë barnat. Pastaj problemi tjetër që duhet theksuar është që personat që preken nga sëmundja e kancerit mbesin pa punë. Është shumë e rëndësishme është që përsonat që përballen me kancerin e gjirit të mos humbasin vendin e punës, për këtë po lobojnë edhe shumë organizata ndërkombëtare. Duhet të sigurohen mekanizma për t’u mundësuar të mbijetuarve nga kanceri të kthehen në punë. Kjo është e rëndësishme për integrimin e tyre social dhe ekonomik ” – tha ajo.  

Së fundmi ajo përmendi që ka një rritje të vetëdijes për personat që përballen me kancer të gjirit. “Vetëdijesimi për gratë që përballen me kancer të gjirit është rritur ndjeshëm, veçanërisht vitet e fundit. Me formimin e vetë shoqatës tonë, stigma për personat me kancer të gjirit ka filluar të zbutet dhe ka filluar të diskutohet më shumë për këtë sëmundje dhe asaj që kalojnë pacinetet. Por një gjë tjetër që dua të theksoj është se gratë që përballen me kancerin e gjirit shpesh diskriminohen edhe nga familjet dhe partnerët e tyre, kjo edhe për arsyen që gratë nuk kanë të ardhura të tyre financiare. Për këtë nuk flitet mjaftueshëm. Ne shohim gjithashtu brenda shoqatës se ka shumë pak mbështetet gratë që përballen me kancerin e gjirit nga partnerët e tyre. Në vendet e zhvilluara shohim se ka shumë raste kur edhe pacientja nuk merr pjesë në trajnime për kancerin e gjirit, në këto trajnime shkojnë anëtarët e tjerë të familjes së saj” – theksoi znj. Pirana. 

Intervitë: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM

Kjo intervistë përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”