Gjeologët e quajnë epokën që jetojmë Epokë Antropocene: një epokë në të cilën planeti po formësohet nga njerëzit. Duke lëshuar në atmosferë sasi në rritje eksponenciale të gazeve serrë dhe duke e ngrohur planetin ne po shkaktojmë ndryshime klimatike. Klima po ndryshon vazhdimisht. E frikshme është se ky ndryshim po ndodh me një shpejtësi dhe drejtim të rrezikshëm. Bota po ngrohet jashtëzakonisht shpejt. Rritja e energjisë atmosferike për shkak të ngrohjes është një tjetër problem, pasi kjo rezulton në ngjarje të pasigurta të motit. Temperaturat që ndryshojnë vazhdimisht, temperaturat jashtëzakonisht të nxehta, temperaturat jashtëzakonisht të ftohta dhe përzierja e stinëve janë të gjitha për shkak të kësaj. Me fjalë të tjera, ndryshimi i klimës manifestohet me ngjarje ekstreme në mot. Një problem tjetër është rritja e kapacitetit mbajtës të lagështisë së atmosferës. Ndërsa moti i nxehtë mban më shumë lagështi, uji i akumuluar në atmosferë rritet dhe ky ujë bie në formë të fuqishme të shiut. Ne e shohim këtë situatë me shira jashtëzakonisht të dendur. Në klimat tropikale, nga ana tjetër, shohim uragane që bëhen më të fortë dhe më të shpeshtë çdo vit. Rritja e nivelit të detit kërcënon qytetet bregdetare, ku jetojnë afërsisht 10% e popullsisë së botës. Ngrohja e oqeaneve po shkakton humbje të gjerë të jetës detare, shumë prej të cilave janë një burim i rëndësishëm ushqimi.
Ne po përjetojmë një kolaps global të biodiversitetit, duke përfshirë pjalmuesit tek të cilët mbështetemi për prodhimin e ushqimit. Sipërfaqja e tokës pjellore bujqësore po tkurret.

Si shoqëri, ne e kemi ditur për shkatërrimin e natyrës dhe ngrohjen globale prej dekadash, por deri më tani nuk kemi ndërmarrë veprime me rezultate efektive. Nga pikëpamja sociale, psikologjia pas këtij mosveprimi është komplekse: kjo gjendje mohohet (“nuk ndodh” ose “ndodh por nuk është aq keq” ose “mund ta rregullojmë lehtë”), ikja (“problemi është shumë i madh”, “njerëzit e tjerë/vendet nuk do e bëjnë pjesën e tyre”) ose fatalizëm (“shumë vonë”, “njerëzit meritojnë të humbasin”) pra me teknika të vetëmbrojtjes psikologjike, njerëzit e vendosin veten jashtë kësaj.

Kriza klimatike ka edhe një dimension moral. Vendet e pasura dhe të zhvilluara janë kontribuesit më të fortë në ngrohjen globale, ndërsa ato kontribuojnë pak në emetimet globale dhe vendet më pak të pajisura për t’u përballur me krizën klimatike i vuajnë pasojat më të rënda. Ndryshimi i klimës nuk është vetëm një kërcënim për të ardhmen e planetit tonë, por tashmë po shkakton kriza humanitare në mbarë botën. Thatësirat më të shpeshta dhe intensive, stuhitë, valët e të nxehtit, ngritja e nivelit të detit, shkrirja e akullnajave dhe ngrohja e oqeaneve dëmtojnë drejtpërdrejt kafshët, shkatërrojnë habitatet e tyre dhe dëmtojnë jetesën dhe komunitetet e njerëzve. Klima e sotme dhe krizat mjedisore ndikojnë në çdo aspekt të jetës sonë, nga shëndeti ynë fizik dhe mendor e deri tek ushqimi, uji dhe mjetet e jetesës. Ndonëse krizat prekin të gjithë, komunitetet më të varfra dhe më të margjinalizuara janë më të prekura. Për shkak të dekadave të konfliktit në vendet e dobësuara si Somalia, thatësirat dhe përmbytjet i kanë detyruar vazhdimisht njerëzit të migrojnë. Degradimi klimatik dhe mjedisor në Sahel e bën çdo vit më të vështirë që komunitetet e largëta dhe të varfra të mbijetojnë. Mekanizmat për përballimin e kësaj krize po rrënohen nga dhuna dhe paqëndrueshmëria. Mungesa e ujit, e cila kërcënon shëndetin, ushqimin dhe sigurinë ekonomike, po përkeqësohet edhe më shumë në Jemen dhe Irak. Në shumë raste, konflikti gjithashtu dëmton drejtpërdrejt ekosistemet në të cilat njerëzit mbështeten për mbijetesë. Njerëzit e ekspozuar ndaj konfliktit nuk janë vetëm ndër më të rrezikuarit ndaj krizave klimatike dhe mjedisore, por edhe ndër më të neglizhuarit nga veprimet klimatike, pjesërisht për shkak të sfidave që i sjell mjedisi ku punojnë. Askush nuk është në gjendje t’i zgjidhë këto sfida i vetëm. Kjo kërkon urgjent një transformim rrënjësor.

Fatkeqësisht, pasojat që kemi krijuar me krizën klimatike janë të pakthyeshme. Edhe nëse nesër ndalojmë emetimet e karbonit, do të duhen dekada që temperaturat atmosferike të kthehen në nivelin bazë dhe do të duhen shekuj që oqeanet, të ftohen përsëri dhe akullnajat të rigjenerohen. Ne nuk mund të shpërfillim kaq lehtë ekuilibrin e natyrës që është krijuar përmes evolucionit gjatë miliarda viteve. Ndaj, kjo nuk është një ngjarje që mund të themi “Sot mora masa paraprake, nesër rregullohet”. Po flasim për përmbysjen e periudhës gjysmë milion vjeçare të botës në vitet e fundit. Kjo nuk është diçka që mund të kthehet lehtësisht.

Këtë vit, Samiti i 27-të i Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP27) do të mbahet më 6-18 nëntor në Şarm el-Şeyh të Egjiptit, me pjesëmarrjen e nivelit të lartë të drejtuesve shtetërorë, përfaqësuesve të sektorit publik dhe privat. Përpara samitit, protestat për të luftuar ndryshimet klimatike tashmë kanë filluar të manifestohen në shumë vende të botës. Në këtë samit, vendet pritet të demonstrojnë se janë në një epokë të re zbatimi duke i shndërruar në veprim angazhimet e tyre sipas Marrëveshjes së Parisit. Në samitin e mbajtur në Glasgow vitin e kaluar, 100 vende që përbëjnë rreth 85% të pyjeve të botës, janë zotuar se do të ndalojnë shpyllëzimin deri në vitin 2030 dhe një plan për të reduktuar emetimet e metanit me 30% deri në vitin 2030 është miratuar nga më shumë se 100 vende. Megjithatë, pati zhgënjim për një marrëveshje klimatike në fund të samitit. Për herë të parë në një samit të klimës, u dakorduan për një plan për të reduktuar prodhimin e energjisë elektrike me qymyr, por kundërshtimet nga India dhe Kina bënë që marrëveshja të ndryshonte.

Qëllimi i COP27 është të reduktojë emetimet globale të gazeve serrë. Emetimet globale duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030 dhe të arrijnë në ’zero’ deri në vitin 2050. Pavarësisht kësaj, emetimet janë ende në rritje dhe OKB-ja raporton se planet aktuale të klimës do të shohin një rritje prej 14% në emetimet deri në vitin 2030. Nuk e dimë nëse vendimet që do të merren në COP27 do ta ndryshojnë këtë qark. Megjithatë, disa probleme janë shumë të mëdha dhe komplekse për t’u zgjidhur teknologjikisht dhe emetimi i 40 miliardë tonë karbon atmosferik në vit – i cili vazhdon të rritet – është fatkeqësisht një prej tyre. Fatkeqësisht, marrëveshjet dhe premtimet e bëra nga vendet janë larg arritjes së objektivit.

Samiti i Klimës së OKB-së 2021 COP26 ishte zhgënjyes në shumë mënyra. Edhe pak kohë deri në COP27, shpresojmë që ky samit të mos jetë një përsëritje e premtimeve të paplotësuara për klimën. Por shohim se qeveria egjiptiane ka njoftuar se ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë e Coca-Cola- së, një nga ndotësit kryesorë të plastikës në botë – për të sponsorizuar bisedimet globale të klimës COP27 të këtij viti.

Ndërsa Coca Cola ka bërë premtime për riciklimin e plastikës dhe CO², në praktikë për dekada nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet apo objektivat e saj deri më sot. Le të shohim nëse samiti COP27 mund të bëjë një përparim radikal në përpjekjet për klimën.

✎ Şeyma Celina Suroy

© PRIZMA MEDIUM