Ilustrim: PM

Një qytet, i cili si një bashkësi që ka për qëllim të mirën duhet të zhvillohet brenda dy parimeve kryesore siç janë barazia dhe drejtësia. Ali Madanipour, një profesor i Dizajnit Urban nga Newcastle University e zbërthen faktin se këto dy parime arrihen duke prodhuar qytete të qasshme përmes planifikimit dhe menaxhimit gjithëpërfshirës, e që si rezultat sjell një përmirësim fizik dhe social për të gjitha kategoritë e shoqërisë. E për të prodhuar një mjedis të tillë qytetarët janë ata të cilët duhet të jenë të mbështetur nga qeverisjet lokale për të dhënë kontributin e tyre me ide, të dhëna e propozime drejtë vendimmarrësve lokalë, meqë vet qytetarët janë ekspertët e situatës së tyre dhe kanë informacionin e duhur dhe zgjidhjen për to.  

Çështja e planifikimit të qyteteve në vendet e zhvilluara demokratike ka kohë që është zgjidhur, madje sot në botë zhvillimi i qyteteve përdoret për të sjellë zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale; përderisa në Kosovë evoluimi i qytetit në shumicën e rasteve është zhvilluar brenda mureve institucionale pa përfshirje të qytetarëve në këtë proces. Ky evoluim urbanistik i dy dekadave të fundit ka sjellur një realitet që bie në një kontradiktë të madhe me definimet më lartë, sepse këtu qyteti në vetvete është shndërruar në një barrier dhe shkelës të të drejtave bazike të njeriut për një kategori të ndjeshme të shoqërisë siç janë Personat me Aftësi të Kufizuar, dhe jo vetëm. Intervenimet intensive dhe pa kritere urbanistike kanë bërë që sot të ballafaqohemi me lagje të qyteteve, që në të shumtën e rasteve nuk i përmbushin kushtet themelore për jetesë dhe e izolojnë këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë brenda margjinave urbane të krijuara nga vetë institucionet shtetërore. E tëra kjo ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve për një periudhë të gjatë përmes shkeljeve ligjore, e që si rezultat sot ka krijuar hapësira publike, transport publik, rrugë, parqe, objekte publike e semi-publike që renditen krah për krah njëra tjetrës për të pamundësuar zhvillimin e një përditshmërie normale për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Shërbimet, burimet dhe pasuria e qytetit duhet të gëzohen nga secili përmes barazisë në qasje. Kjo është ajo që quhet e drejta për qytet e cila garantohet përmes Kartës Ndërkombëtare të së Drejtës për Qytet, e miratuar në Forumin Botëror Social në vitin 2004. Ajo definohet si e drejtë themelore e secilit për ta shfrytëzuar në mënyrë të barabartë qytetin brenda konceptit të qëndrueshmërisë, demokracisë, barazisë dhe drejtësisë sociale.  Komunat e Kosovës do të duhej të siguronin gjetjen e mekanizmave të duhura për të siguruar që këto parime të shndërrohen në prioritete dhe politika buxhetore të qeverisjes lokale. Një theks i veçantë do të duhej fillimisht të vendosej në ndërrimin e praktikës së planifikimit urban duke e siguruar pjesëmarrjen e Personave me Aftësi të Kufizuar në këto procese sepse kjo do të sillte një element kyç që ndikon në funksionimin e mirëfilltë të një strukture urbane e cila do të siguronte zgjidhjen e problemeve infrastrukturore, mirëqenie dhe barazi sociale.

Qeverisjet lokale duhet të veprojnë me një mënyrë të re të të menduarit institucional duke i parë banorët, specifikisht Personat me Aftësi të Kufizuar si ekspertë të cilët do të mund të japin një kontribut domethënës në përmirësimin e planifikimeve për intervenime urbane. Përfshirja e tyre në proceset planifikuese do të ndërtonte domosdoshmërisht barazi në shfrytëzimin e hapësirës publike duke e përmirësuar direkt mirëqenien e tyre. Në këtë mënyrë, planifikimi urban me pjesëmarrje do të shërbente njëkohësisht edhe si një formë ku raporti ndërmjet udhëheqësve të qytetit dhe qytetarëve do të bëhej më i afërt dhe rrjedhimisht vetë qyteti i përmirësuar do të krijonte raporte të shëndosha dhe do të rriste besimin në institucione. Personave me Aftësi të Kufizuar të cilët deri sot kanë vazhduar të jenë një nga pjesëtarët më të përjashtuar të shoqërisë nga hapësira publike duhet t’iu jepet mundësia që ata bashkë me institucionet përmes proceseve të dizajnit të përbashkët të eliminojnë barrierat dhe t’i shndërrojnë hapësirat publike në zona të qasshme dhe mikpritëse për ta.

Heterogjeniteti dhe diversiteti është një vlerë që e formon qytetin dhe që pa të s’bën, ashtu siç edhe Aristoteli e theksonte se “qyteti përbëhet nga njerëz të ndryshëm; njerëz të ngjashëm nuk mund të jetësojnë një qytet”. Prandaj është e rëndësishme që këtij heterogjeniteti dhe diversiteti t’i përmbushen kushtet duke i lejuar që vetë komunitetet ta vizionojnë hapësirën ku jetojnë, duke i larguar barrierat që i kufizojnë ata për të jetuar një përditshmëri lirshëm, dhe duke ua mundësuar që si bashkësi ta arrijnë atë që u duket atyre se është më e mira.

✎ Ardian Muçaj

Ardian Muçaj ka studiuar Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor si dhe Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Ai ka dhjetë vjet përvojë pune si Menaxher Projektesh si dhe Zyrtar për Komunikim në Democracy Plus, EC Ma Ndryshe dhe Lëvizjen FOL. Ardiani ka përvojë të gjerë në fushën e hulumtimit, planifikimit hapësinor dhe të drejtave të njeriut.
© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”