Fillimisht kërkesa është shqyrtuar në Komitetin për Komunitete. Aktivisti i shoqërisë civile nga radhët e komunitetit rom, Fatmir Menekshe para anëtarëve të këtij organi komunal ka arsyetuar nevojën për futjen në përdorim zyrtar të gjuhës rome. 

“Është një kërkesë gati dy dekadëshe, qysh prej vitit 2006, prej diskutimeve për hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Komuniteti rom, ose grupi i intelektualëve të komunitetit rom nga Prizreni që nga ajo kohë kanë bërë një kërkesë, që ky komunitet të përfitojë të drejtën e përdorimit të gjuhës rome si gjuhë tradicionale, pra të jetë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit”, ka thënë Menekshe, duke shtuar se legjislacioni aktual për gjuhët si dhe konventat përkatëse evropiane parashohin realizimin e kësaj të drejte. 

Kryesuesi i këtij Komiteti, Ertan Simitçi ka pohuar se kjo kërkesë duhet proceduar për shqyrtim në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës, dhe pastaj të ndiqen procedurat e duhura ligjore për futjen në përdorim zyrtar të gjuhës rome. 

Hysnije Berisha, anëtare nga komuniteti egjiptian ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim që gjuha rome të merr njohjen zyrtare në këtë komunë. “Kemi shumë romë që kanë kontribuar në qytetin e Prizrenit dhe pse mos ta kenë në përdorim zyrtar edhe gjuhën rome”, ka deklaruar ajo.   

Gani Elshani, anëtar nga komuniteti ashkali, ka pohuar se kjo nismë është shumë e qëlluar. “Ne si komunitet ashkali e përkrahim këtë iniciativë shumë të qëlluar dhe urojmë që të futet në përdorim zyrtar”, ka theksuar ai. 

Lejla Veshalli, anëtare nga komuniteti rom, ka përkujtuar dispozitat ligjore në fuqi që mundësojnë njohjen e gjuhës rome në përdorim zyrtar, përkundër mos përmbushjes së kriterit të numrit të përqindjes së komunitetit që jetojnë në komunë. Pas diskutimeve, anëtarët e Komitetit njëzëri kanë rekomanduar që kjo kërkesë të shqyrtohet në Kuvendin e Komunës.

 

E njëjta kërkesë është shqyrtuar edhe në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë e Financa, i cili organ ka rekomanduar që e njëjta të shqyrtohet në mbledhjen e Kuvendit, të thirrur për datën 31 tetor 2022. Kryesuesja e Kuvendit, që njëherësh drejton mbledhjet e KPF-së, Antigona Bytyçi ka bërë të ditur se para miratimit të rendit të ditës, KPF-ja ka pranuar edhe dy propozime tjera, njëra prej të cilave ka qenë për gjuhën rome. “Si rekomandim na ka ardhur edhe shqyrtimi dhe miratimi i vendimit për njohjen e gjuhës rome në përdorim zyrtar, një rekomandim ky i Komitetit për Komunitete ashtu që KPF-ja ta rekomandojë për shqyrtim në seancën e Kuvendit”, ka thënë kryesuesja Bytyqi, duke konfirmuar se kjo pikë do të jetë në rend dite në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës, që do të mbahet më 31 tetor 2022. 

PRIZMA MEDIUM ka raportuar më parë se si kërkesa e aktivistëve romë të Prizrenit që gjuha e tyre amtare të merr statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në nivel komunal nuk ka marrë epilog prej vitesh, dhe se si grupi i aktivistëve romë ka bashkuar forcat me aktivistët e komuniteteve tjera për të kthyer në vëmendje të autoriteteve edhe njëherë nevojën për mbrojtjen e kësaj vlere të qytetit të vjetër. 

“Ndonëse gjuha rome flitet tradicionalisht në Prizren dhe kualifikohet për njohje të tillë, deri më tani Komuna e Prizrenit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të njohur statusin e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar, përkundër faktit që Grupi i intelektualëve Romë në Prizren qysh në vitin 2016, konform nenit 2.4 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve si dhe nenit 4 të Udhëzimit Administrativ Nr.2011-02 (MAPL), për përcaktimin e procedurave për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve ka parashtruar kërkesë zyrtare për njohjen e statusit të gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar”, pati shpjeguar Osman Osmani, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Nevo Koncepti”, nevojën për riaktualizimin e kësaj kërkese bashkë me aktivistët e shoqërisë civile.  

Romani është gjuha e romëve, një gjuhë e ruajtur dhe e bartur nga brezi në brez gjatë shekujve, kryesisht në formën e të folurit, thuhet në analizën “Gjuha rome në Prizren – vlerë e shtuar apo e injoruar?”, të publikuar në vitin 2015 nga organizatat “Nevo Koncepti” dhe “Durmish Asllano”. Tradita e përdorimit të gjuhës rome është e vjetër edhe në Prizren dhe vazhdimësia prej shekujsh e pranisë së kësaj gjuhe në këtë qytet ka bërë që ky komunitet ta ruajë identitetin e vet. 

Javë më parë “Nevo Koncepti” ka publikuar edhe analizën e radhës “Sfidat në zyrtarizmin e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar nga komuna e Prizrenit” ku janë përshkruar hapat për procesin e njohjes së gjuhës së folur tradicionalisht në një komunë, ashtu siç parasheh legjislacioni në fuqi. “Bazuar në kornizën aktuale ligjore, procesi fillestar i njohjes së statusit të gjuhës në përdorim zyrtar, fillon me kërkesën e komunitetit duke përdorë formatin standard që përcaktohet me Udhëzimin Administrativ të MAPL-së dhe përfundon me vendimin e Kuvendit të Komunës”, thuhet në këtë analizë. 

© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”