Foto: Fatijona Vokshi

Përfshirja e grave dhe vajzave në tregun e punës vazhdon të jenë një ndër sfidat kryesore me të cilat përballen gratë dhe vazjat në Kosovë. Mungesa e politikave dhe mekanizmave të qëndrueshëm për mbështetjen e grave dhe vajzave në tregun e punës ka bërë që ato të gjenden në një betejë të vështirë për të vazhduar aktivitetin e tyre në tregun e punës. Ndërkohë, periudha e pandemisë COVID-19 ka ngjallur shumë diskutime lidhur me sfidat e punësimit të grave dhe bizneseve. Gjetjet nga vende të ndryshme tregojnë se bizneset e udhëhequra nga gratë u përballën me sfida më të mëdha dhe rezultate më të pafavorshme në krahasim me burrat, si rritja e përgjegjësive për kujdesin ndaj fëmijëve, mbyllja e bizneseve, reduktimi i të ardhurave dhe aksesi në financa të kufizuara.

Venera Rada, aktiviste e shoqërisë civile nga Prizreni është po ashtu e njohur për veprimtarinë e saj artizanale. Ajo ka kryer kurse të ndryshme për aftësim profesional, si për ngjyrosje në porcelan, për bizhuteri, ngjyrosje në materiale, në dru e të tjera. Ajo ndoqi edhe një shkollë artizanale në Turqi, ku u trajnua për filografi, pilografi. Pas kthimit nga Turqia, Venera është përfshirë në shoqata të ndryshme si ‘Orkide’ dhe më pas në shoqatën ‘Step’ ku është edhe bashkëthemeluese e saj. Përmes përfshirjes së saj në këto shoqata, ajo ka mbajtur kurse për gra dhe vajza të tjera për të ndarë njohuritë dhe ekspertizën e saj në artizanat dhe për t’i avancuar ato në tregun e punës.

E pyetur se cila është puna që i pëlqen më shumë ajo thotë: “Puna që më pëlqen më shumë është ajo me shajak, por edhe të tjerat. Puna me shajak është e njëjta teknikë pune si me veshjet kombëtare, si plisi, tirqitë e të tjera, por që unë me atë teknik të punës punoj çanta, e gjëra të tjera”.

Foto: Fatijona Vokshi

Duke folur për interesimin për veprimtarinë artizanale, Venera tregon se zakonisht ka një ndarje gjinore kur bëhet fjalë për atë se kush i ndjek zakonisht këto kurse. Ajo tregon se në Kosovë, për dallim nga Turqia, këto kurse dhe ky aktivitet njihen si aktivitet që i takon vetëm grave dhe zakonisht kurse të tilla i ndjekin vetëm gratë e moshës së mesme deri në 45 vjeç.

Sipas Venerës, kjo veprimtari nuk gjen shumë hapësirë në tregun kosovar dhe nuk ka shumë interesim nga njerëzit për të blerë gjëra të punuar me këto teknika, dhe aq më pak nga gjeneratat e reja. Për këtë arsye, thotë ajo, është shumë problematike qasja në tregun e punës për gratë që i ushtrojnë këto zanate. Arsyet janë nga më të ndryshmet por më kryesoret janë mungesa e hapësirës për ekspozimin e produkteve që ato prodhojnë, mungesa e përkrahjes instutcionale, mungesa e organizimit më të shpeshtë të panaireve. E vetmja mënyrë për të ekspozuar aktivitetin e tyre janë panairet, të cilat janë të rralla.

Ajo tregoi se si në vazhdimësi kanë kërkuar nga niveli komunal që të kenë një hapësirë ku mund të ushrojnë dhe promovojnë veprimatrinë e tyre, kjo do të ishte edhe një përkrahje e rëndësishme për aktivizimin e grave në tregun e punës.  Janë të shumta gratë që kanë kryer kurse artizanale, por për pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës duhet të ketë politika të qarta për të ofruar fillimisht një hapësirë ku ato të shesin produktet e tyre dhe të promovojnë punën e tyre. Meqenëse po flasim për gratë që nuk kanë kapital për të nisur biznesin e tyre.

Venera tregon ndër të tjera sfidat në të cilat kanë hasur gjatë viteve sa herë që kanë kërkuar përkrahje institucionale për t’i zhvilluar aktivitetet e tyre. Ajo shprehet “ka mungesë të një startegjie në nivel komunal për t’i ndihmuar gratë për tu kyçur në tregun e punës, japin vetëm fjalë por nuk ka veprime konkrete në këtë drejtim”.

Foto: Fatijona Voskhi

Edhe pse komunat herë pas here zhvillojnë projekte që mbështesin aktivitetet e grave në artizanat, kryesisht për t’u ofruar atyre mundësinë për të ndjekur kurse trajnimi në këto aktivitete, por nuk ka mbështetje të mëtejshme për gratë për të zhvilluar biznesin e tyre. Ajo tregoi se ka shumë gra dhe vajza që kanë ndjekur kurse artizanale, por që nuk ka gra që kanë arritur të hapin biznesin e tyre pas përfundimit të këtyre kurseve. Kjo për shkak të mungesës së kapitalit për të hapur një biznes për të shitur produktet e tyre dhe mbi të gjitha si mungesë e mbështetjes institucionale. Nuk mjafton vetëm përfundimi i kurseve, por duhet të ketë politika që lehtësojnë procesin e përfshirjes së grave në tregun e punës.

Për Venerën dhe gratë si ajo që merren me këto lloj veprimtarie, kërkesa kryesore drejtuar institucioneve është sigurimi i një hapësire të veçantë në formë tregu e përhershme ku mund t’i ekspozojnë dhe shesin punimet e tyre.

Intervistë: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”