Tipari i gjuhës në fondament kushtetues

Republika e Kosovës ka marrë përsipër detyrimin për respektimin e standardeve të përcaktuara me Konventën Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe me Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave (Kushtetuta, neni 58/2). Nga këtu rrjedhin një varg obligimesh juridike. 

Sipas standardeve ndërkombëtare dhe bazuar në standardet konstitucionale bashkëkohore, askush nuk mund të diskriminohet për shkak të gjuhës së vet. Kështu përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës (neni 24/2). Në këtë kontekst, shteti kosovar i ndërmerr masat e nevojshme për të mbrojtur personat që mund t’iu nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë a dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar (neni 58/3).

Kushtetuta afirmon disa garanci konkrete për komunitetet lidhur me gjuhët përkatëse të tyre. Këtejmi, neni 59 i Kushtetutës siguron që pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë të shprehin, të mbajnë dhe të zhvillojnë gjuhën tyre dhe të marrin arsimim publik parafillor, fillor dhe të mesëm në gjuhën e tyre. Po kështu, komunitetet joshumicë mund të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre lirisht në jetën private dhe publike, përfshirë në marrëdhëniet e tyre me autoritetet komunale ose me zyrat lokale të autoriteteve qendrore. Ata mund t’i regjistrojnë emrat personalë në formën e tyre origjinale dhe në shkrimin e gjuhës së tyre si dhe të kenë emërtime topografike që pasqyrojnë karakterin shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonave respektive. Në aspekt medial, komuniteteve u garantohet qasja dhe përfaqësimi i veçantë në mediet transmetuese publike si dhe programe në gjuhën e tyre, e po kështu ata mund të krijojnë dhe të përdorin mediet e tyre vetjake ku do të informohen në gjuhën e tyre.  

Lidhur me çështjet procedurale penale, Kushtetuta garanton se kushdo që privohet nga liria duhet të vihet në dijeni menjëherë për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton (neni 29/2) ose të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton në rastet kur akuzohet për kryerjen e një vepre penale e të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi (neni 30/1; 30/4).

Kushtetuta deklaron që gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë gjuha shqipe dhe gjuha serbe, ndërsa gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin (neni 5).

Gjuhët në suaza të legjislacionit

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve (Nr. 02/L-37) proklamon se çdokush gëzon të drejtën e lirisë së shprehjes, ku përfshihet liria për të pranuar, kërkuar dhe për të dhënë informata e ide në gjuhën e zgjedhur, pa ndërhyrje (neni 3).

Në komunat e banuara nga një bashkësi, gjuha amtare e të cilës nuk është gjuhë zyrtare dhe e cila përbën së paku 5% të popullsisë së përgjithshme të asaj komune, gjuha e asaj bashkësie do ta ketë statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë dhe do përdoret barabartë me gjuhët zyrtare. Megjithëkëtë, pavarësisht përqindjes, në komunën e Prizrenit gjuha turke e ka statusin e gjuhës zyrtare (neni 2/3). Po ky ligj konfirmon që komunat ku jeton një komunitet, gjuha amtare e së cilës nuk është njëra nga gjuhët zyrtare në Kosovë dhe e cila përfaqëson më shumë se 3% të popullatës së përgjithshme të komunës, gjuha e asaj bashkësie do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në atë komunë dhe do të jetë në përdorim të barabartë. Përveç kësaj, një komunitet, gjuha e të cilit është folur tradicionalisht në një komunë do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar (neni 2/4). 

Ndërsa Ligji për Vetëqeverisje Lokale thekson që Kuvendi i komunës miraton rregullore të detajuara komunale për përdorimin e gjuhëve brenda territorit të tij (neni 9). 

Gjuhët në përdorim zyrtar

Rendi juridik i Republikës së Kosovës njeh edhe praktikën e përdorimit zyrtar të gjuhëve në nivel komunal. Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në nivelin komunal, gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome do të jenë gjuhë në përdorim zyrtar (neni 1/2).

Kriteret përkitazi me këtë çështje i detajizon Udhëzimi Administrativ (UA) i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për Përcaktimin e Procedurave për Zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Komuna. Sipas këtij Udhëzimi, njohja e gjuhës në përdorim zyrtar në një komunë të caktuar ndodh ose sipas përqindjes së popullsisë ose sipas traditës së përdorimit të asaj gjuhe në një komunë (neni 4). 

Çfarë nënkupton fitimi i kësaj të drejte? Me fitimin e të drejtës për përdorimin zyrtar të gjuhës së vet, pjesëtarët e komunitetit përkatës do të kenë të drejtë të kërkojnë nga institucionet komunale shkresa zyrtare dhe përgjigje verbale në gjuhën e tyre. Njashtu, bëhen obligative përkthimi i akteve nënligjore të Komunës dhe  përkthimi i mbledhjeve publike për pjesëtarët e komunitetit, gjuha e të cilit është në përdorim zyrtar (UA, nenet 7-9). 

Gjuha rome në mozaikun prizrenas

Me t’u përmendur Prizreni, aludimi fillestar konsiston në diversitetin kulturor që i ka rezistuar kohës. Bashkëjetesa e qytetarëve të etnive dhe konfesioneve të ndryshme në këtë qytet, fatmirësisht, nuk është zhbërë asnjëherë. Përkatësia e përbashkët e qytetarisë ka mbizotëruar çdo lloj ndasie dhe të folurit e gjuhës shqipe, turke dhe boshnjake është karakteristikë e vetvetishme e një numri të madh të banorëve. Megjithëkëtë, gjuha rome nuk ka arritur të përhapet gjerësisht te pjesëtarët e komuniteteve të tjera. Faktorët janë më tepër të natyrës sociologjike. Krahas kësaj, gjuha rome ka mbetur mënjanë edhe në aspekt juridik. 

Ndonëse qytetarët e etnisë rome në Prizren kanë dhënë kontribut edhe në art, letërsi e kulturë – përfshirë edhe përmes teatrit në gjuhën rome – gjuha rome nuk është aplikuar në dokumentet zyrtare të Komunës. Viti 2022 solli risi në këtë drejtim. 

Pas propozimit të kryetarit të Komunës, me datë 31 tetor 2022, Kuvendi i Komunës së Prizrenit miratoi vendimin për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit. Njohja e gjuhës rome në përdorim zyrtar u bë me motivacionin që kjo gjuhë është folur tradicionalisht në Prizren. 

Me anë të këtij vendimi, në pikëpamje institucionale, u plotësua edhe një gur i rëndësishëm në mozaikun e tablosë së çmueshme të Prizrenit. Qytetarët pa dallim duhet ta ndiejnë veten pjesë të barabartë e të përafruar në shoqëri duke shmangur të gjitha format e mundshme të diskriminimit që prodhojnë margjinalizim. 

✎Ditar Kabashi

Ditar Kabashi lindi më 1990 në Prizren. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i kreu në vendlindje. Studimet themelore (bachelor) dhe studimet master në Drejtimin Kushtetues-Administrativ i ka përfunduar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ka doktoruar në Departamentin e të Drejtës Publike në Universitetin “Gazi” në Ankara të Turqisë. 

Aktualisht ligjëron lëndë juridike në institucione të arsimit të lartë në Kosovë. 
Ditar Kabashi preokupohet me punime shkencore dhe analiza për çështje të ndryshme në sferën e drejtësisë. Krahas fushës profesionale juridike, ai merret edhe me organizime letrare dhe me shkrime eseistike. 
Deri më tani ka botuar tre libra, prej tyre dy studime në fushën juridike dhe një në sferën e publicistikës. 
© PRIZMA MEDIUM

Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”