Një liri e kufizuar
Viti 2022 u shpall viti i personave me aftësi të kufizuar në Kosovë. Kjo, për faktin se në Kosovë jetojnë mbi 150,000 persona me aftësi të kufizuar. Ky nuk është numër i vogël. Është 10% e popullatës së Kosovës. Fatkeqësisht ky 10% deri më tash në Kosovë është trajtuar nga shoqëria e gjërë sikur të ishte joekzistente. Në shumicën e rasteve rrallë ndodh të shihet një person me aftësi të kufizuar duke marrë pjesë në aktivitete të rëndomta në qytet, sikur shumica e qytetarëve tjerë. Është e rrallë që të shohim persona në karrocë duke pirë kafe, apo persona të shurdhër duke folur me gjuhën e shenjave me shokët e shoqet e tyre, apo një person me autizëm duke e hapur një ekspozitë të pikturës në galeri kombëtare. Pra, është sikur këta persona janë të padukshëm për shumicën e shoqërisë së gjërë. Shtrohet pyetja se pse. Përgjigja fatkeqësisht nuk është e këndshme.