Foto: Ferdi Limani

Më 2 korrik të vitit 2011, si rezultat i dialogut të Brukselit, pala kosovare dhe ajo serbe ishin dakorduar dhe kishin nënshkruar Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë. Ndër të tjera, kjo marrëveshje obligonte shtetin e Kosovës, që si masë kalimtare të vazhdonte vlefshmërinë e targave KS të automjeteve edhe për një periudhë pesë vjeçare. Pas së cilës periudhë parashihej rishikim i kësaj mase, me qëllim që serbët lokal të heqnin nga përdorimi targat që për ta lëshoheshin nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Meqë edhe pas pesë vitesh nuk kishte pasur progres që serbët lokal të hiqnin dorë nga target me akronime serbe dhe atyre KS, çështja e targave u bë sërish temë diskutimi në kuadër të dialogut Kosovë – Serbinë. Si rrjedhojë, në nëntor të vitit 2016, dy palët dialoguese u dakorduan për obligimet shtesë, për të mundësuar zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë të arritur në vitin 2011. Kështu u arrit dakordimi për të zgjatur sërish afatin e vlefshmërisë së targave KS për një periudhë tjetër pesë vjeçare, si dhe palët u dakorduan që të mbulohen pjesët relevante të tabelave respektive të automjeteve me dy letër ngjitëse të bardha.

Pak kohë pas marrjes së mandatit të Qeverisë Kurti 2, gjegjësisht në shtator të vitit 2021, kur edhe kishte përfunduar afati pesëvjeçar i paraparë në marrëveshjen e arritur në 2016-ten, Qeveria kishte marrë vendim për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat nga Serbia. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia, duhet të pajiseshin me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Për shkak të këtij vendimi, serbët lokalë bllokuan dy rrugë nacionale në veri të vendit, në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Për zbatimin e kësaj mase ishte mobilizuar edhe Njësia Speciale Operative e Kosovës (NjSO), ku si rezultat ishin krijuar tensione në veri të vendit.

Si pasojë e tensionimit të ndodhur, më 30 shtator të po atij viti, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE – së kishin arritur marrëveshje për tejkalimin e situatës. Sipas kësaj marrëveshjeje, automjeteve të të dyja palëve do t’iu vendoseshin afishe që të mbulohen simbolet shtetërore, ndërsa trupat e NjSO-së ishin zëvendësuar me trupat ushtarake të KFOR-it.

Ndër të tjera kjo marrëveshja e arritur parashihte që pas nisjes së zbatimit të vendosjes së afisheve, do të krijohej një grup pune i përfaqësuesve të partive të BE-së, Kosovës dhe Serbisë, dhe i kryesuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE -së. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajtur Grup Punues, duhet të prezantonte gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Edhe pas gjashtë muaj diskutimesh mes grupeve teknike e dialogut të nivelit të lartë nuk ishte gjetur zgjidhja, prandaj Qeveria e Kosovës sërish mori vendim për masën e reciprociteti për target. Kështu duke marre vendimin duke vendusr afatin prej tre muajsh për qytetarët serb që jetojnë në Kosovë që të fillojnë regjistrimin e automjeteve me target RKS.  Ky vendim sërish solli protesta dhe barrikada në veri të vendit dhe situata e njëjtë u përsërit.

Palët u ftuan sërish në dialog për gjetjen e një zgjidhje, ndërkohë që Qeveria e Kosovës kishte shpalosur një plan për çështjen e targave që do të zbatohej në disa faza. Plani parashihte që nga 21 prilli i vitit 2023 “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS.

Ky vendim vetëm sa ashpërsoi më shumë tensionet e ngritura në veri të vendit, me ç’rast u shtua më shumë presioni ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për tensionet në veri përmes dialogut. Përderisa ishin duke vazhduar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje nëpërmjet dialogut, katër kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kishin dhënë dorëheqje, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa, Dorëheqje kishin dhanë edhe serbët e punësuar në gjyqësor, administratë, polici dhe dogana të Kosovës.

Në ndërkohë, Presidentja Osmani pas konsultimit me partitë politike, kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, por me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare, ato u shtynë vetëm dhjetë ditë para mbajtjes së tyre. Edhe pse dialogu në Bruksel prodhoi një marrëveshje sipas së cilës Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshonte më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës, kjo nuk ndikoi që serbët të riktheheshin në institucionet e Kosovës gjegjësisht të merrnin pjesë në zgjedhje. Mandej edhe ata që shprehën vullnetin për të garuar, u tha se kishin kërcënime nga serbët e tjerë. 

Josef Borell, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, pas marrëveshjes për target, ishte shprehur se me palët dialoguese janë dakorduar që të foksuohen në dialogun për normalizim të plotë të marrëdhënieve me fokus planin franko – gjerman që kishte filluar të qarkullonte si propozim që nga shtatori i vitit 2022.

Edhe pas dialogut të nivelit të lartë lidhur me një marrëveshje që do i paraprinte marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, që nga propozimi franko – gjerman, mori emrin plani evropian për normalizim, pala kosovare dhe ajo serbe patën dy takime të rëndësishme në muajin shkurt në Bruksel dhe në muajin mars në Ohër, ku siç u tha nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, palët u dakorduan mbi përmbajtjen e marrëveshjes dhe ankesit për zbatim të saj.

Edhe pas këtyre dy takimeve të nivelit të lartë, ndonëse data 23 prill për mbajtjen e zgjedhjeve po afron, duket që serbët në komunat veriore do të bojkotojnë procesin zgjedhor. KQZ ka deklaruar që vetëm një parti serbe kanë dorëzuar aplikimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje dhe disa kandidatë serbë të pavarur, ndërsa në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut nuk ka asnjë kandidat serb. Lista Serbe ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor. Përveç kësaj, pas dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhor të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, ata nuk kanë shfaqur interesim për të aplikuar sërish. Kjo vë në pah problemet që KQZ ka në terren në mungesë të stafit lokal serb atje. 

Lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në veri kanë reaguar edhe shtetet e QUINT-it, të cilat përmes një komunikate të përbashkët, kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të bojkotojnë këtë proces zgjedhor, përderisa kanë shprehur qëndrimin e tyre pro mbajtjes së zgjedhjeve në datën e paracaktuar. Ndër të tjera, ata bëjnë thirrje që zgjedhjet të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt, që të gjitha palët të shmangin dhunën.

Një mendim më ndryshe për këtë çështje kanë koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” që monitoron zgjedhjet. Në komunikatën e lëshuar për media, DnV ka analizuar situtatën në terren dhe ka konstatuar që “rrethanat e tanishme, nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta”.

Prej dhjetorit kur ishte paraparë të mbaheshin fillimisht zgjedhjet dhe deri më tani, në vazhdimësi në veri të vendit janë regjistruar incidente kryesisht djegje të makinave. Por gjatë javëve të fundit këto incidente janë shtuar, ku për pasojë qytetarëve serbë u janë djegur tetë vetura me tabela RKS, e lidhur me këto incidente Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar, arrestim ky që po ashtu ka nxitur reagim të serbëve lokalë atje.Ndërkohë, është diskutuar për një takim të mundshëm të nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë Vučić, më 22 prill, pikërisht një ditë para datës së mbajtjes së zgjedhje në katër komunat me shumicë serbe. Ndonëse është thënë që tema e këtij takimi do të jetë lidhur hapat e mëtutjeshëm për zbatimin e planit evropian, kjo mund të shihet edhe si mundësi për të ftuar serbët në komunat serbe që të marrin pjesë në zgjedhje.

© PRIZMA MEDIUM