Varianti Omicron
Në deklaratën e bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), një variant i ri i koronavirusit “B.1.1.529” u shpall si “alarmant” ashtu si variantet Delta, Alfa, Beta e Gamma dhe ky variant i ri u emërua “Omicron”.
Në deklaratën e bërë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), një variant i ri i koronavirusit “B.1.1.529” u shpall si “alarmant” ashtu si variantet Delta, Alfa, Beta e Gamma dhe ky variant i ri u emërua “Omicron”.
Nuk ka ende informacione të detajuara në lidhje me variantin e virusit B.1.1.529, të zbuluar në të dhënat e sekuencës së gjenomit nga Botsvana. Ajo që ne dimë është se për të hyrë në qelizë, ky virus përdor proteinën S, në të cilën ka shumë mutacione. Varianti përmban më shumë se 30 mutacione në proteinën S, e cila është proteinë e SARS-CoV-2 që njeh qelizat nikoqire dhe është objektivi kryesor i përgjigjeve imune të trupit. Këto mutacione të pranishme në Delta dhe Alpha, që rrisin përhapjen gjenden gjithashtu edhe në Omicron.
Aktualisht, nuk e dimë nëse ky variant do të ndryshojë efektin mbrojtës të vaksinave ose jo dhe nëse e ndryshon, ende nuk dihet se si. Megjithatë, duhet theksuar se në Afrikën e Jugut vetëm 24% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, gjë që do të nxisë përhapjen e shpejtë të variantit të ri. Përveç kësaj, nuk dihet se si do të përparojë ashpërsia e sëmundjes COVID-19, të shkaktuar nga varianti Omicron. E gjithë kjo do të bëhet e qartë brenda pak javësh me lajmet nga vendet ku qarkullon Omicroni.
Shumica e rasteve të raportuara deri më tani janë ende të përqendruara në rajonin e Afrikës së Jugut. Megjithatë, ardhja e raporteve të rasteve nga vende të tjera dhe prania e këtij varianti tregojnë se përhapja ka dalë jashtë kontinentit. Përveç Afrikës së Jugut dhe Botsvanës, raste të Omicron janë zbuluar edhe në Izrael, Hong Kong, Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në Evropë, varianti i parë Omicron është hasur në Belgjikë. Rasti Omicron i zbuluar në Belgjikë u pa tek një person i pavaksinuar rreth të 30-tave, i cili u kthye nga një pushim në Egjipt nëpërmjet Turqisë. Rastet e dyshuara të Omicronit u zbuluan edhe në Gjermani dhe Çeki. Zyrtarët në Gjermani thanë se varianti ishte Omicron dhe erdhi në Gjermani përmes një pasagjeri që u kthye nga Afrika e Jugut. Përveç kësaj, Gjermania është duke i ekzaminuar edhe dy raste të tjera të dyshuara të Omicron. Zyrtarët çekë të shëndetësisë thanë se po ekzaminonin një variant të dyshuar në një person që kishte kaluar kohë në Namibi, por ekzistenca e këtij varianti ende nuk është konfirmuar. Vendi tjetër është Italia, ku Instituti Kombëtar Italian i Shëndetësisë konfirmoi se varianti Omicron u zbulua tek një person që u kthye nga Mozambiku në Milano. Përveç këtyre vendeve, Danimarka, Spanja, Portugalia, Skocia dhe Kanadaja kanë raportuar zbulime të rasteve me variantin Omicron.
Përderisa Omicron vazhdon të përhapet, shumë vende, duke përfshirë Bashkimin Evropian, SHBA-të, Britaninë e Madhe, Australinë, Kanadanë, Brazilin dhe Japoninë, kanë vendosur ndalime të udhëtimit në Afrikën e Jugut që nga e premtja. Sigurisht që do të ketë shumë vende të tjera që do ta aplikojnë këtë vendim.Deri më tani, përveç disa rasteve, nuk ka asnjë informacion tjetër mbi variantin Omicron. Sikur çdo variant tjetër edhe ky i fundit mbetet të ndiqet. Ende nuk ka nevojë për reagime. Por është e nevojshme të merren masa paraprake derisa të kuptohen veçoritë e këtij varianti.
OBSH e kishte cilësuar variantin Delta si “alarmues” brenda dy muajve nga shfaqja e tij. Kurse, për variantin Omicron, kjo kohë ishte vetëm 72 orë. Fatkeqësisht, do të hasim shumë variante të tjera nëse nuk do të merren masa për parandalimin e përhapjes dhe nëse nuk arrihet shkalla e lartë e vaksinimit. Nuk duhet harruar se shfaqja e një varianti të ri nuk është befasuese. SARS-CoV-2 vazhdon të adaptohet me nikoqirin e tij (njerëzit). Në këtë rast do të ikin shumë variante që janë prezente dhe në jetën tonë do të hyjnë variante të reja. Në fillim të epidemisë erdhi varianti Alfa, tani po largohet. Ka ardhur varianti Beta, po largohet. Gama erdhi, dhe ajo po largohet. Varianti Delta aktualisht është më i përhapuri, por një ditë do të largohet dhe do të zëvendësohet nga një variant tjetër. Është shumë herët të thuhet nëse ky variant i ri do të jetë Omicroni apo një variant tjetër.
Por, pa marrë parasysh se cili është ky variant, ajo që duhet të bëjmë është të vaksinohemi plotësisht, të qëndrojmë larg ambienteve të mbyllura, të mbushura me njerëz ose t’i kushtojmë vëmendje masave të maskës / distancës. Aktualisht, shkalla e plotë e vaksinimit në botë është 43%, që do të thotë se më shumë se gjysma e popullsisë së botës është e pambrojtur ndaj virusit. Për njerëzit që nuk janë vaksinuar kurrë, vaksinimi duhet të ndodh shumë më herët para marrjes së një doze përforcuese (booster dose). Sigurisht, kjo nuk do të thotë se doza e tretë është e panevojshme. Por, derisa njerëzit e pavaksinuar qarkullojnë në kontinentin afrikan dhe shumë rajone të tjera për shkak të mungesës së qasjes, virusi do të vazhdojë të evoluojë dhe ta rrisë përshtatshmërinë e tij duke prodhuar mutacione të reja.
Nga Şeyma Celina Suroy