Foto: Qendra e mediave e zyrës së Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut

Open Ballkan njihet si një përpjekje për të krijuar një rajon politik dhe ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë bërë ende anëtare të Bashkimit Evropian. Kjo iniciativë, e cila ka nisur si Mini Zonë Shengen, ka përkrahësit por edhe kundërshtarët e saj. Aktualisht ka tre anëtarë: Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo gjithashtu ka tre anëtarë të mundshëm: Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe Malin e Zi.


Debati kryesor i ditëve të fundit ka qenë se i kujt është projekti Open Balkan. Megjithatë, çështja kryesore duhet të jetë se nëse kontribuon në integrimin në Bashkimin Evropian. Sepse, nëse do të kontribuojë në integrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, atëherë pse të mos krijohet Open Balkan? E nëse do të shkaktojë dublikime të koorporatave vetëm nën emrin e integrimit, atëherë pse të krijohet?


Qeveria e Albin Kurtit kundërshton fuqishëm pjesëmarrjen e Kosovës në Open Balkan. Duke qenë se objektivi përfundimtar është Bashkimi Evropian, cila është nevoja për krijimin e Unioneve të reja?! Nëse kjo është një zonë ekonomike atëherë si do të përshtatet me
CEFTA-n; në anën tjetër dimensioni politik është edhe më kompleks. Shumë çështje që janë parashikuar të rregullohen në kuadër të Marrëveshjeve për Open Ballkan tashmë janë rregulluar me marrëveshje dypalëshe. Pyetja kryesore është se si do të sigurohet përfaqësim i barabartë kur Serbia nuk e njeh Kosovën? Nëse pas kësaj pyetjeje qëndron përgjigja nga pala kosovare se “Ne jemi në Open Ballkan nëse përfaqësimi është i barabartë”, atëherë rruga e negociatave është e hapur.


Mirëpo retorika se “Kjo është loja e Serbisë” prodhon një gjuhë që bllokon edhe negociatat. Prandaj nuk ka dobi. Epo, çfarë përfitimi mund të pritet nga Open Balkan?
Në Ballkan, përpjekjet dhe iniciativat për të inkurajuar bashkëpunimin midis vendeve jo anëtare të BE-së, sigurisht që kanë ndodhur edhe më parë. Megjithatë, deklarata e parë konkrete për nismën, e cila sot quhet Open Balkan, u bë më 11 tetor 2019. Çështja ishte zyrtarisht në rendin e ditës kur liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut bënë një deklaratë në Novi Sad. Më vonë, në takimet e Ohrit dhe Durrësit, u arrit marrëveshje për krijimin e një zone të tillë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve kulturore. Më 29 qershor 2021, në Forumin Rajonal të Bashkëpunimit Ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Kështu u zyrtarizua Open Balkan.
Memorandumet e bashkëpunimit të nënshkruara ndërmjet tre vendeve parashikojnë përgatitjen ekonomike të vendeve të rajonit për Bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet tyre, njohjen reciproke të diplomave dhe zhvillimin e marrëdhënieve kulturore. Nga 1 janari 2023 është planifikuar heqja e kontrolleve kufitare dhe lehtësimi i kalimeve. Sipas presidentit serb Vuçiq, kjo për qytetarin do të thotë se askush nuk mund ta ndalojë të lëviz askënd nga Beogradi e deri në Tiranë.


Popujt ballkanik, që i përkasin të njëjtës gjeografi, kanë një mentalitet dhe kulturë të ngjashme, edhe nëse kanë identitete të ndryshme. Prandaj, është krejtësisht e natyrshme të vizitojnë njëri-tjetrin dhe të ndajnë një kulturë të përbashkët. Por, përkundër këtij natyraliteti, ndonjëherë procedura e vizave dhe kontrollet në pikat kufitare e bëjnë udhëtimin të padurueshëm. Sidomos kur bëhet fjalë për vendet e rajonit që nuk e njohin njëri-tjetrën apo aplikojnë viza…Sepse sot të shkosh nga Kosova në Bosnjë-Hercegovinë është më e vështirë sesa të shkosh në një skaj tjetër të botës; e njëjta vlen edhe për të ardhur tek ne nga Bosnja dhe Hercegovina… Procedura e vizave është një problem, ndërsa pyetjet që policia kufitare u bën njerëzve janë një tjetër problem. Për shkak se pyetjet e bëra (udhëtarët e dinë), nuk janë ato lloj pyetjesh që një person do t’i bënte një personi tjetër nëse nuk ka një akuzë të qartë për krim. Ne duam të jetojmë në vende ku askush nuk do t’i bëjë këto pyetje. Nëse Open Balkan lejon një liri të tillë në kufij, pse të mos jetë. Nëse kjo është vetëm për shfaqje, pse të jetë.


Meqë Kosova nuk e dëshiron këtë, cila është çështja? Sipas kryeministrit Albin Kurti, çështja është mungesa e vizionit. Kurti e përshkroi Open Balkan si një përpjekje të dëmshme përtej mungesës së vizionit. Barazia në anëtarësim nuk duket e mundur përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën. Nga ana tjetër, kryeministri malazez Dritan Abazovic është shumë më pragmatik, duke thënë se askush nuk kënaqet duke pritur në radhë në kufij. Mali i Zi nuk është ende anëtar, por sipas Abazovic, Open Balkan nuk është për gjysmë shtete, por është një vend ku secili pjesëmarrës përfaqëson veten dhe vendin e tij. Bosnja dhe Hercegovina, nga ana tjetër, ende mban distancë për shkak të çështjeve politike.


Ndër manipulimet që u përhapën në media, u pretendua se projekti Open Balkan u mbështet edhe nga ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov. Pas këtyre akuzave, ne pamë një rritje të mbështetjes amerikane. Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë këshilloi që kjo të merret parasysh. Edhe Bashkimi Evropian thotë PO. Mirëpo kur e pyetën kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili po vizitonte Kosovën, ai tha se prioritet i japin tregut të përbashkët rajonal. A nuk është tregu i përbashkët njësoj sikurse Bashkimi Evropian, synim i përbashkët i të gjitha nismave liberale? Megjithatë, Scholz deklaroi se synojnë të zbatojnë edhe procesin e Berlinit dhe po ashtu favorizon vendosjen e objektivave të arritshme.


Ekuacioni është kompleks. Serbia për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian mund të argumentojë se e ka ftuar Kosovën në këtë iniciativë për të përmbushur kërkesat e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Scholz, nga ana tjetër, thekson se anëtarësimi i dy vendeve që nuk njihen në BE është i paimagjinueshëm. Fakti që ekonomia e Serbisë është dy herë më e mirë se e dy vendeve të tjera na sjell në mendje parashikimet se përfituesja më e madhe do të jetë Serbia. A nuk është gjithsesi kjo një pasojë e natyrshme e të gjitha politikave ekonomike liberale? Por para kësaj, duhet parë se a do të shkaktojë Open Balkan dublikim, a do të sjellë përfitime të prekshme për vendet e rajonit apo do të kontribuojë në integrimin e Bashkimit Evropian.

✎ Esin Muzbeg

© PRIZMA MEDIUM