Foto: OSCE/ Yllka Fetahaj

Pse është dashur të hartohet një Strategji për Integrimin e Komuniteteve Rome?

Përfshirja e komuniteteve rome në shoqërinë kosovare është interes afatgjatë i pjesëtarëve të këtyre komuniteteve, por edhe i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përmes përfshirjes zvogëlohet hendeku ekzistues në mes të pjesëtarëve të komuniteteve dhe qytetarëve të tjerë në të gjitha fushat e jetës shoqërore, duke ndikuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e varfërisë që dominon tek këto komunitete.

Republika e Kosovës është e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhen komunitetet rome dhe për të treguar vendosmërinë e saj për të krijuar kushte sa më të përshtatshme për këto komunitete – në mënyrë që ata të mund të gëzojnë të drejta të barabarta me të gjitha komunitetet e tjera etnike në Kosovë pa asnjë formë të diskriminimit – ka filluar ta zbatoj praktikën e vendeve evropiane nëpërmjet miratimit të Strategjisë për Integrimin e komunitetit Rom (në rastin e Kosovës përfshirë edhe ashkalinjët dhe egjiptianët). Fillimisht ishe Strategjia dhe Plani i saj i Veprimit për periudhën 2009-2015 dhe vazhdimin me strategji të re – Strategjia për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021 dhe Plani i veprimit për zbatimin e saj. Si Strategjia e parë, ashtu edhe e dyta, tani edhe e treta (2022-2026), paraqesin masa afirmative që synojnë të zvogëlojnë dallimet sociale në të gjitha fushat, ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve rome në njërën anë dhe komuniteteve të tjera etnike në anën tjetër. Strategjia për përfshirjen e komuniteteve rome është e bazuar në tri parime kryesore, të harmonizuara me Kornizën evropiane për strategjitë nacionale për Integrimin e romëve: 1) Parimi i të drejtave të barabarta dhe mundësive të barabarta; 2) Parimi i mosdiskriminimit; si dhe 3) Parimi i eliminimit të dallimeve. 

Ta bëjmë një rikujtim kronologjik të strategjive

Në dhjetor të vitit 2008, Qeveria e Republikës së Kosovës aprovoi Strategjinë për Integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Republikën e Kosovës 2009-2015, si dhe Planin e Veprimit për zbatimin e saj, duke i identifikuar njëmbëdhjetë fushat e rëndësisë së veçantë për integrimin e të tri komuniteteve:

1. Arsimi; 2. Punësimi dhe fuqizimi ekonomik; 3. Shëndetësia dhe çështjet sociale; 4. Strehimi dhe vendbanimet joformale; 5. Kthimi dheri integrimi; 6. Regjistrimi; 7. Kultura, mediat dhe informimi; 8. Pjesëmarrja dhe përfaqësimi; 9. Siguria, shërbimi policor, drejtësia; 10. Kundër– diskriminimi dhe; 11. Barazia gjinore.

Secila nga fushat e identifikuara përmbante masa për arritjen e ndryshimit të kërkuar dhe për arritjen e qëllimeve dhe objektivave specifike. Sidoqoftë, për shkak të burimeve të pamjaftueshme financiare dhe burimeve njerëzore për monitorimin e progresit, koordinimit jo të mirë në mesin e ministrive dhe institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, përfshirë shfrytëzimin e pamjaftueshëm të ekspertizës së organizatave relevante të shoqërisë civile, zbatimi i strategjisë ka pasur ngecje ose më mirë të themi ka gjetur zbatim minimal. Zyra për Qeverisje të Mirë ka bërë raporte vjetore të progresit të zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit. Ndërkaq, Raporti i Progresit i vitit 2014 përqendrohet në kornizën e prioriteteve. Të dy raportet prezantojnë të dhëna të mangëta për shpenzime buxhetore, por edhe nga këto të dhëna mund të konstatohet që shpenzimi ka qenë dukshëm nën planifikimin që flet për probleme me zbatimin e Strategjisë dhe të Planit të Veprimit. Probleme të zbatimit janë vënë në pah edhe në raportet e njëpasnjëshme të progresit të Bashkimit Evropian, si dhe në raportin e monitorimit të zbatimit të Konventës Kornizë për Pakicat Kombëtare. Duke e pasur parasysh faktin se Plani i Veprimit përfundonte në fund të vitit 2015, Komiteti Drejtues ndërinstitucional i themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të bashkërenditur veprimet për zbatimin e Strategjisë, në vitin 2014 artikuloi nevojën për të pasur një dokument të ri politik për integrimin e dy komuniteteve, në përputhje me Kornizën e BE-së për strategjitë kombëtare për integrimin e romëve deri në vitin 2021. 

Hajde ta provojmë një Stretegji të re!

Grupe të ndryshme të interesit, në vitin 2017, nën udhëheqjen e organizatave të shoqërisë civile janë mbledhur përsëri, nën përpjekjen e bërjes së një strategjie më konkrete. Tani, nga njëmbëdhjetë fusha të interesit, për periudhën 2017-2021 janë përcaktuar vetëm katër fusha prioritare për integrimin e komuniteteve rom dhe ashkali:

1. Qasja në arsim; 2. Qasja në punësim; 3. Qasja në përkujdesje shëndetësore; 4. Banimi dhe qasja në shërbimet esenciale

Pikërisht këto katër fusha janë përfshirë në dokumentin e ri të Strategjisë, të zhvilluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Përpjekje të konsiderueshme janë bërë për të siguruar që Strategjia për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë kosovare 2017-2021 është në përputhje me politikat, iniciativat dhe strategjitë e tjera përkatëse. Në nivel kombëtar është konsideruar e domosdoshme për të harmonizuar këtë Strategji me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, e cila është përgatitur nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës. Ndërlidhja kryesore e kësaj Strategjie dhe SKZh-së realizohet përmes kapitullit të parë – Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor. Edhe kjo Strategji, si ajo e kaluara shkoi pa ia pa hajrin populli. Saktësisht, si mungesë e moskoordinimit të duhur dhe mos komunikimit të duhur, ndikimi i vazhdimit të Strtetegjisë nuk ka lënë gjurmë të drejtpërdrejta duke vënë në pah edhe një herë mungesën e komunikimit dhe bashkëpinimit midis nivelit lokal dhe qendror 

Pse me pasë Strategji kur ata që duhet ta marrin për bazë as që e dijnë që ekziston?

Është e vërtetë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të sigurojnë pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare. Por, ky përkushtim kërkon edhe zbatim në vepër të asaj çka është shkruar në letër, që në shumicën e rasteve, kur është fjala për komunitetet rome, haset në hezitim të vullnetit politik apo në mosinteresim për të trajtuar seriozisht situatën e këtyre komuniteteve në Kosovë. 

Përkundër përpjekjeve të deritanishme të shkruara në letër, komunitetet rome vazhdojnë të jenë në pozitë të pavolitshme në të gjitha sferat e jetës në Kosovë, e sidomos në katër fushat e përcaktuara më sipër. 

Strategjia dhe Plani i saj i Veprimit janë dokumente politikash që synojnë integrimin e plotë të komuniteteve rome në Kosovë bazuar në parimin e barazisë. Megjithatë, zbatimi i tyre, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, mbetet prapa angazhimeve të përcaktuara në Planin e Veprimit. Me vetëm një arritje modeste nga ministritë përkatëse, mund të themi se korniza institucionale e vendosur për të siguruar zbatimin e Planit të Veprimit nuk ka qenë në gjendje të kryejë plotësisht rolin e tij koordinues dhe mbikëqyrës. Deri më sot është punuar më së shumti në informimin e zyratrëve për ekzistimin e këtyre strategjive. Në kohën kur pothuajse të gjithë akterët e përfshirë informoheshin për një dokument të tillë, periudha e zbatimit të Strategjisë kalonte. Kjo ka hapur dyer për OSHC-të që menjëherë të dalin me punëtori, analiza, hulumtime dhe sygjerime për diçka që nuk është punuar, dhe përsëri të njejtit të ulën dhe ta bëjnë një Strategji me afat tjetër. Pra, përsëri është dashur të hulumtohet, analizohet, gjendja e një populli që është më se e qartë se është e brishtë dhe kërkon intervenim të menjëhershëm pa pasur nevojë për studim paraprak. Në fakt, sa herë janë bërë hulumtime dhe studimet për gjendjen e këtyre komuniteteve gjithçka ka mbetur tek ai studim dhe ai hulumtim, pas asaj po pason një periudhë e heshtjes deri në skadimin e afatit të strategjisë aktuale. Shpesh, mekanizmat përkatës të koordinimit kanë dështuar në sigurimin e komunikimit formal ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal. Rrjedhimisht, komunat mbeten të painformuara për përgjegjësitë e tyre për shkak të mungesës së udhëzimeve të nivelit qendror që përvijojnë procedurat dhe caktojnë përgjegjësi të qarta. Pra, hendeku kryesor, përveq aprovimit të buxhetit për zbatimin e strategjive komëtare për integrimin e komuniteteve rome në shoqërinë kosovare, është edhe mungesa e komunikimit dhe mungesa e qartësimit të obligimeve dhe detyrave ligjore për secilin akter të përfshirë në këto strategji. 

Një Strategji e re me një afat të ri?

Pas gjithë këtij mos-koordinimi dhe dështimi për të zbatuar një dokument gjithpërfshirës që do siguronte integrimin e komuniteteve më të prekura në Kosovë, tani është hartuar Strategjia e re që përfshin periudhën 2022-2026. Sa do të zbatohet kjo Strategji? A ka pasur nevojë për dokument të ri strategjik me të ditur se dokumentet paraprake me qëllim të njejtë si ky nuk janë zbatuar? Besoj, përsëri do të shohim vetëm analiza, hulumtime, raporte, rekomandime dhe shumë pak nga përmbushja e nevojave elementare për popullin për të cilin nuk duhen hulumtime, analiza dhe diskutime të mëdha për ta vlerësuar gjendjen mjeruese me të cilën ballafaqohen në përditshmëri në fusha të ndryshme, e sidomos në arsimim, punësim, shëndetësi dhe banim. 

Edis Galushi

Edis Galushi u lind më 06.03.1989 në Prizren ku edhe kreu shkollën fillore dhe të mesme. Është
ndër shkrimtarët e rrallë romë në Kosovë që kontribuon në trashëgimin e kulturës dhe letërsisë
rome përmes poezisë dhe shfaqjeve teatrale, shumicën e të cilave i shkruan vetë. Nga viti 2007-
2014 ka punuar si gazetar në Radio Televizionin e Kosovës. Studimet themelore për gjuhë dhe
letërsi angleze i ka kryer në Universitetin e Prishtinës (Kosovë) dhe Universitetin e Vilniusit
(Lituani), ndërsa studimet diplomike në Universitetin e Zagrebit. Aktualisht punon si
mësimdhënës i gjuhës angleze në Gjimnazin “Loyola” por edhe si përkthyes për shqip, anglisht,
serbisht dhe romisht.
© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”