Mehdi Shabani, regjisor dokumentarësh, gazetar dhe aktivist. Ai shkruan veçanërisht për lëvizjen e majtë të viteve ’80. Shabani shkruan në fushën e historisë, shkrimet e të cilit botohen në gazeta dhe revista si BBC, BBC Turke, BBC Persiane, DW Persiane, Aasoo, Radio Zamanie etj. Biseduam me Mehdiun, i cili ka luftuar që nga vitet ’80 (edhe pse nuk e miraton përdorimin e fjalës aktivist), për protestat që nisën pas vdekjes së Mahsa Amini dhe luftën e grave në Iran. 

Mehdi, që nga vitet 1890, ne gjithmonë kemi parë gra në çdo protestë, qofshin ato protesta në shkallë të gjerë, protesta në shkallë më të vogël apo protesta që nuk lidhen drejtpërdrejt me të drejtat e grave. Cila është lufta e gruas iraniane?

Gjatë periudhës së lëvizjes Konsitucionale (1905-1907), në Iran u krijuan shumë shoqëri sekrete dhe gjysmë sekrete. Në këtë periudhë u krijuan në mënyrë të fshehtë shoqatat e grave pjesëmarrëse në lëvizjen kushtetuese, dhe më vonë, në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, u krijuan organizata që i kushtonin rëndësi të drejtave të grave. 

Para kësaj, gjëja kryesore ishte hapja e një shkolle për vajza. Gradualisht, në qytete si Teherani dhe Tabrizi, shkollat ​​e grave filluan të përhapen, pavarësisht mosmiratimit të konservatorëve. Me fjalë të tjera, mund të themi se lufta e grave fillon me hapjen e një shkolle. Në kongresin e dytë ndërkombëtar të Grave Lindore (Nasvan Sharq), të mbajtur në Teheran, në vitin 1932, gratë aktiviste kërkuan të drejtën e votës së grave. 

Një nga reformat më të rëndësishme gjatë sundimit të Reza Shahut ishte ndalimi i hixhabit. Gjatë kësaj periudhe femrat fillojnë të mos dalin më me shami. E shohim efektin e këtij hapi të Shahut edhe në Revolucionin Islamik. Pasi po flasim për një vend mysliman, që i përmbahet traditave të tij. Marrja e këtij vendimi në atë kohë ishte një mënyrë për t’i bërë presion grave. Gratë kundërshtuan edhe në këtë periudhë, por kundërshtimet u shtypën me dhunë. Represioni përcaktoi disi fatin e grave dhe lëvizjeve të grave.

Për mendimin tim, ky vendim lë një ndikim shumë negativ. Sepse, familjet konservatore kanë filluar të mos i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë. Sepse në atë kohë një konservator nuk donte që vajza e tij të dilte me kokë të pambuluar. Kur Irani u pushtua në vitin 1941, Reza Shah u arratis dhe djali i tij u shpall Sulltan si trashëgimtar. Në atë mjedis kaotik, shfaqet Partia Komuniste Iraniane. Lëvizjet moderne të grave mund t’i shohim në këtë periudhë. Pas arratisjes së Reza Shahut, fillon një epokë e re.

Në vitin 1944, organizatat e grave të lidhura me Partinë Tudeh (Partia Komuniste iraniane) organizuan qindra konferenca në qytete të ndryshme për të mbështetur të drejtën e votës së grave. 

Nëse ju kujtohet, bota u befasua me Lëvizjen e Gjelbër në 2009 sepse më shumë ishin në pah gratë. U shpërndanë fotografitë. Mihrab Sultandi u qëllua në kokë dhe u bë simbol… Këto protesta ndodhën gjatë mandatit të dytë të Mahmud Ahmadinexhadit. Vazhdoi dhe sot para nesh shfaqet në një formë krejt tjetër.      

Ka gra iraniane që protestojnë në rrugë kundër ndalimit të hixhabit, që është marrë para Revolucionit, ka gra që protestojnë për detyrimin e hixhabit pas-revolucionar. Natyrisht, gratë nuk e duan këtë imponim nga shteti. Pra, mund të themi se ato duan t’i marrin vetë vendimet për veten e tyre. A mund t’i vlerësojmë protestat dhe arritjet para dhe pas Revolucionit Islamik? 

Ne i shohim gratë në një mënyrë tjetër gjatë epokës Pahlavi, pra para revolucionit. Meqë, laicizmi ishte një nga çështjet kryesore në epokën Pahlavi. Me “Reformat e Bardha” që tha Shahu, fillojnë reformat e tokës dhe një nga reformat më të rëndësishme – të drejtat e grave. Rregullat familjare po ndryshojnë, po modernizohen. Por presioni politik ende ekziston. Në atë kohë kishte gra deputete, kishte ministra, por lëvizjet e grave nuk i hasnim shumë. 

Roli i gruas në revolucion është i madh. Gjatë revolucionit, nëpër rrugë shohim gra konservatore, laike, revolucionare dhe të majta. Madje, në mesin e grave konservatore i shohim edhe të tilla që marrin armë në dorë dhe dalin në rrugë. Megjithatë, një nga gjërat e para që u bë në vitin 1979 kur erdhi regjimi islamik ishte shpallja e hixhabit të detyrueshëm. Menjëherë më pas nisën protesta shumë të rëndësishme të grave dhe zgjatën për 6 ditë. Sa më shumë që regjimi konsolidonte pozicionin e tij, aq më shumë rriti shtypjen ndaj grave. Çfarë thuhet sot në rrugë është kjo: Pas vendosjes së regjimit islamik në Iran, ajo që vërtetë u tjetërsua, ishte vetë gruaja. 

Në atë kohë ka pasur edhe masakra politike, por në aspektin social, armiku i vërtetë është gruaja. Me fjalë të tjera, lindi ideja për të kontrolluar trupin e gruas, si në aspektin politik ashtu edhe në apektin fetar. Protesta për të cilën po flas është protesta e madhe, e fundit në 20 vitet e ardhshme.

Deri në mesin e viteve ’90, ne jetuam në një periudhë shumë të errët, në shumë presion dhe shumë të heshtur. Gratë në burg, të vrara, e të gurëzuara deri në vdekje. Rregullat e sheriatit filluan të vinin një nga një dhe presioni ndaj grave u shtua. Në mesin e viteve ’90, fillon një reformë me Mohammed Khatamin. Bashkë me këtë, shohim shfaqjen e lëvizjeve të ndryshme si ‘feministet myslimane’. Ato fillojnë të edokuhen në mënyra të ndryshme. Pas revolucionit, e vetmja gjë që fitonin gratë jo vetëm në qendra, por edhe në qytete, provinca dhe fshatra (për shkak se regjimi islamik ishte dominues), ishte se vajzat mund të shkonin në shkollë.

Nëse shikojmë numrin e atyre që kanë përfunduar edukimin universitar në Iran që nga vitet e ’90-ta, gratë janë shumë më tepër se burrat. Në cilindo universitet që të shkoni në Iran, do të shihni më shumë gra. Sepse, pikërisht ky ishte shpëtimi i grave. Pra, gratë duhej të arsimoheshin për të qëndruar e pavarur, për të dalë nga presioni i familjes dhe për t’u bashkuar me shoqërinë. Teoria e feministeve islame ishte gjithashtu shumë e fortë në atë kohë. “Është e vërtetë, ka shtypje, gratë janë të privuara nga të drejtat e tyre, por ato janë më të përfshira në shoqëri”, thonin. Sepse, tashmë ekziston një regjim islamik dhe thuhet se gjithçka është islame. Edhe sot, ne mund ta shohim këtë. Vajzat e familjeve konservatore nuk janë konservatore dhe nuk duan të mbajnë shami. Ne mund t’i shohim farat e këtyre në lëvizjen e vitit 1979. 

Në kohën e reformës kishte reformistë myslimanë dhe filloi një fushatë me një milion nënshkrime. U përpoqën t’i mbledhin një milion nënshkrime për të fituar të drejtat e grave. Është interesante, në atë kohë u shkruan libra, postera për të drejtat e grave, çfarë duan dhe kontakti me publikun, por shoqëria nuk ishte gati. Dhe kjo fushatë nuk arriti shifra të mjaftueshme. Unë isha vetë në të, me të vërtetë nuk mori shumë mbështetje. Fushata me një milion nënshkrime është një pikë shumë e rëndësishme. 

Në Iran, ekziston një departament policie i quajtur policia morale ose policia udhërrëfyese, a mund ta shpjegoni këtë?

Pas revolucionit, u krijuan “Komitetet e Revolucionit Islamik”. Shumica e tyre përbëheshin nga punëtorë të ashpër të lagjeve. Pas revolucionit, ai komitet për të cilin folëm del si milicia e regjimit, një komitet, për të bërë presion mbi qytetet dhe për t’i kontrolluar ato. Filloi që në vitin e parë. Në fillim nuk kishte gjë të tillë si polici morale.

Pra, çfarë po bënin ata? Ata bllokonin rrugët, shikonin portofolët e familjes së njerëzve, nëse burrë dhe grua ishin jashtë, lidhja e tyre merrej nën pyetje, burri dhe gruaja që shiheshin jashtë së bashku dënoheshin me burg nëse nuk ishin të martuar. E tillë ishte atmosfera e viteve të 80-ta. Me fjalë të tjera, ishte krim që një burrë dhe një grua të shkonin në park dhe të uleshin pranë njëri-tjetrit gjatë kësaj periudhe. Të mos jesh i martuar ishte krim, kishte dënime të mëdha, e kështu me radhë. Deri në reformimin e mesit të viteve të ’90-ta, pikërisht këtu mund të shohim origjinën e Policisë Morale. 

“Objektivi kryesor i Policisë Morale
është të kontrollojë trupin e femrës”

Mehdi Shabani

Pas luftës Irak-Iran, u shfaq një ‘Polici e Moralit’, e ligjshme, ku komitetet e futën këtë grup në drejtorinë e përgjithshme të sigurisë së shtetit. Qëllimi i saj fillestar ishte të kujdesej për martesën e burrave dhe grave, por qëllimi kryesor ishte të kontrollonin trupin e femrës. Policia është në çdo cep të lagjeve, kontrollon veshjet e grave, nëse është e nevojshme, i çon në stacione të veçanta të policisë. Më pas veprohet sipas vendimit të gjyqtarit. Në varësi të situatës ata kërkojnë një premtim që do të jetë hera e fundit. Megjithatë, ky presion gradualisht u rrit. Në katër vitet e fundit regjimi ka përfunduar reformën dhe është bërë edhe më agresiv. Nëse femrat që vozisin shihen pa shami, fotot e tyre merren nga kamerat e trafikut, gjobiten dhe është shumë e zakonshme të thirren në stacionin policor. 

Kjo ishte liria ime e fshehtë në një pikë dhe pika e fillimit të Lëvizjes së mërkurave të bardha, mendoj?

Ndërkohë, nisi një fushatë, fillimisht me çarçafë të bardhë, më pas lëvizja e së Mërkurës së Bardhë, ku gratë bënin foto dhe video pa shami dhe e tregonin veten. Por më e rëndësishmja, dy vite më parë u shfaqën vajzat e Sheshit Inkilap (Sheshi Inkilap është sheshi më i rëndësishëm në Teheran). Prej aty, një grua e quajtur Vida Muvahhid u ngjit mbi një kuti postare në shesh, hoqi mbulesën e kokës, e mbështolli në një shkop dhe e tundi atë. Nga këtu filloi një sekuencë protestash. Mirëpo, protestën e ndodhur për herë të parë në këtë mënyrë, të gjithë e kanë parë të habitur. Ka dy pikëpamje të ndryshme për Lëvizjen e së Mërkurës së Bardhë, njëra është vazhdimi me entuziazëm i kësaj lëvizjeje dhe tjetra është qasja dyshuese se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ose shtetet e jashtme kanë ndikim. Përkundrazi Vajzat e Sheshit Inkilap, dolën nga vetë shoqëria. Kjo krijoi një atmosferë krejtësisht ndryshe. Krahas kësaj, ka filluar një fushatë e re, ‘arma jonë është kamera jonë’. Me fjalë të tjera, kur gratë dolën, panë ndonjë reagim dhe filluan të bënin video dhe t’i shpërndanin ato. Bile, u zhvillua një aplikacion që tregon se në cilin rajon ka polici morali. Duhet të dimë se: Një grua iraniane është në luftë, sapo të dalë nga shtëpia. 

Je duke luftuar çdo ditë, çdo sekondë, jo vetëm kur të dalësh nga shtëpia,por në fakt edhe kur je në shtëpi.

Mehdi Shabani

Po flasim për një vend ku gratë nuk mund të dalin jashtë ashtu si duan. Nëse ajo shkon në gjykatë, katër dëshmitare gra konsiderohen të barabarta me një dëshmitar mashkull në gjykatë. Gratë mund të trashëgojnë vetëm 25 për qind të trashëgimisë. Ato nuk mund të hyjnë në disa departamente në shkolla. Si për shembull sporti… Nga cilido aspekt, gratë janë gjithmonë nën presion dhe të diskriminuara. 

Pra, kur vijmë tek protestat aktuale, shohim një lëvizje revolucionare. Sepse ky nuk është vetëm zemërimi i grumbulluar prej 43 vitesh, por rezultat i luftës së përditshme. Kjo është arsyeja pse gratë iraniane domosdo bëhen luftarake dhe revolucionare. Sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Sapo dilni, jeni në luftë! Ne vijmë këtu me këto procese. Gratë ishin gjithmonë përpara. Gjithmonë ajo që kundërshtonte e para ishte gruaja. Pas lëvizjes së gjelbër, pati kryengritje të ndryshme të mëdha. Kur i shohim këto, mund të themi se kjo ishte e ditur tashmë. 

Çfarë efekti kanë mediat sociale? 

Së fundmi, protestat në rrjetet sociale janë kritikuar. Ka pasur kundërshtime se nuk mund të protestohet përmes etiketimit. Në fakt, kohët e fundit ka pasur kritika si: “Jeni në rrjete sociale, po ku jeni ndërkohë që na arreston policia e moralit, pse jeni të heshtur?”. 

Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për mediat sociale dhe brezin e ri. Sepse mosha mesatare në protesta është gjithashtu shumë e rëndësishme. Mediat sociale kanë qenë gjithmonë të fuqishme. Filloi Iran ‘Me Too’. Mendoj se lëvizja Iran ‘Me Too’ishte një nga lëvizjet më aktive ‘Me Too’ në botë. Një lëvizje shumë e mirë ka filluar dhe lëvizjet e grave po flasin për të drejtat e grave dhe fjalën e gruas, qoftë përmes uebfaqeve, aplikacioneve apo rrjeteve sociale. Nëse kthehemi dhjetë vjet pas, kemi dëgjuar për çështjen e grave kryesisht nga burrat në Iran… Brenda dhjetë vjetësh, gratë i kishin marrë të gjitha këto në duar të tyre. Tani gratë flasin vetë për problemet e tyre, thonë se nuk keni të drejtë të flisni për ne. Ato thonë, është zgjedhja jonë, është jeta jonë, dhe nëse dikush duhet të flasë, do të jemi vetë ne. Kjo është arsyeja pse unë në fakt hezitoj të flas ndonjëherë për gratë. Them le të tregojnë gratë.

Si mund të shpjegohet se protestat e nisura pas vdekjes së Mahsa Aminit kishin një atmosferë ndryshe nga protestat e mëparshme?

Protestat që nisën me vrasjen e Mahsa Aminit janë një histori krejt tjetër. Këto protesta janë padyshim protesta shumë të ndryshme në historinë iraniane, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Mahsa është një grua kurde që fitoi universitetin dhe shkoi në Teheran nga një qytet i vogël për t’u regjistruar. Këtu duhet të nënvizojmë se ka shumë vdekje në burgjet në Iran. Policia morale e merr vajzën. Vajza bërtet se nuk jam nga këtu, mos më merrni. Por ata e rrahën për vdekje. Sipas policisë, ky nuk është shkaku i vdekjes, transmetuesit publikë iranianë thonë se pati sulm në zemër. Por të gjitha detajet janë aty. Babai i saj doli dhe i tregoi të gjitha detajet. 

Janë një familje kurde dhe në varrim ishte prezent slogani “Jin, Jihan, Azadi” (Gruaja, Jeta, Liria). Ndoshta disa aktivistë e kanë përdorur rrallë, por nuk e kam dëgjuar kurrë këtë slogan kaq fort në Iran deri më sot. Por kjo u përdor në funeral. Aty është edhe një fjali tjetër, e cila është shumë e rëndësishme: ‘Emri Mahsa është simbol’.

Për herë të parë mund të them se njëqind për qind gratë po ecin përpara me sloganet e grave. Një pikë tjetër e rëndësishme është që nëse i hedhim një shikim sloganeve dhe shohim se, pas tyre nuk ka asnjë parti apo media, me pak fjalë asgjë, një protestë që vjen direkt nga populli. Asnjë prej tyre nuk është i organizuar. Pra, të gjitha konceptet u zhdukën në një çast. Për ta kuptuar këtë, duhet të kërkojmë koncepte të reja. Sloganet janë radikale, por për gratë. Gratë i dinë të drejtat e tyre dhe i duan ato. Kërkesat nuk janë vetëm të mos ketë policë ose reforma. Gratë nuk e duan këtë rend. Ato thonë se ky sistem është një sistem i bazuar në trupin e femrës dhe se ky sistem duhet të shkatërrohet plotësisht. 

E shohim moshën mesatare të tyre, një brez shumë progresiv mes moshës 22-25 vjeç që ne as nuk i njohim. Pra, i shohim sloganet, mendojmë, këtu nuk ka diskriminim. Çështja e parë në slogane është “Azadi” (Liri). 

Ne e dimë se në një vend mysliman, shumica myslimanë, një grua të heqë hixhabin, ta djegë atë dhe të duartrokitet nga burrat, është diçka krejtësisht ndryshe që nuk mund as ta imagjinojmë. Mund të flasim për ‘Pranverën Arabe’, si dhe për protestat e kaluara në Iran, por e gjithë kjo dukej e pamundur. Tani ka lindur një mundësi e re.

Foto: Dafrash/CC

Sa herë që ka një protesta në Iran, ka një polarizim. Por, tani çështja e Amerikës është e dukshme, embargot, etj. Askush nuk flet më për asgjë. Ka mbështetje të pandërprerë. Ato thonë se ky sistem, ky regjim nuk na hyn në punë, na janë marrë të gjitha të drejtat për 40 vjet dhe do ta rrëzojmë këtë. Madje ka nga ato që tallen protestat e vjetra.

Për herë të parë që nga viti 1979, mund të them se fjala revolucion vlen në Iran. Kështu që tani ne mund t’i quajmë njerëzit në rrugë revolucionarë. Detajet janë shumë interesante. Mes protestave nuk ka asnjë parti opozitare dhe kjo ka krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër.

Regjimi është gjithashtu në një periudhë shumë të ngushtë. Çdo dekadë, që nga vitet e 80-ta, kishte një kryengritje të madhe. Një kryengritje e madhe ka nisur çdo vit në pesë vitet e fundit. Këtë herë, ne shohim protesta të përhapura në të gjithë vendin. Në protestat e mëparshme, ne pamë klasën e mesme në rrugë, teksa protestat zhvilloheshin në qendër. Në këto protesta, lagjet e varfra, dhe qytezat janë në protestë. Kësaj radhe, si shtresa e mesme ashtu dhe e varfra u ngritën së bashku. 

Ne shohim protesta në qytete që nuk i prisnim kurrë, siç është qyteti Kum. Pasi, Kum është Vatikani i Shiitëve në Iran. Është qytet i errët, kudo me medrese. Të gjithë janë mulla dhe ne pamë gra që digjnin shamitë sot në Kum. Kjo është diçka ndryshe. Në video shohim rezistencë ndaj policisë me molotovë edhe atje. Për shembull, ‘Mashhab’ është një qytet shumë konservator ku ndodhet tyrbja e Imam Gazaliut. Një qytet i madh, ku nuk lejohen as koncertet. Ne shohim protestë në të gjitha lagjet atje. Të gjitha këto detaje tregojnë se ka një atmosferë krejtësisht të ndryshme.

Pas revolucionit të vitit 1979, Azerbajxhani, grupet etnike të Kurdistanit gjithmonë mbeteshin të ndara nga qendra. E regjimi e përdorte këtë. Në të kaluarën, nëse do të kishte një protestë në Teheran, kurdët nuk merrnin pjesë, e as azerët. Sepse çështja kryesore këtu është çështja kombëtare, çështja e gjuhës amtare… Është hera e parë që kanë filluar kontaktet. Filloi në rajonin e Kurdistanit, gruaja e vrarë është një grua kurde. Edhe ashtu, që në ditën e parë ka pasur një slogan të rëndësishëm që thotë se Kurdistani është koka dhe syri i Iranit dhe ky slogan ka krijuar një entuziazëm të madh. E dini, ka gjithmonë një ftohtësi mes azerëve dhe kurdëve. Ata po hedhin slogane azere në Tabriz të Azerbajxhanit. Me fjalë të tjera, është formuar një organ opozitar. Ka një bashkim dhe doli vetëvetiu. Mungesa e mbështetjes për regjimin është gjithashtu shumë e rëndësishme. Në 15 vitet e fundit ka pasur edhe embargo, edhe varfëri. Regjimi iranian po vepron si një regjim shumë mafioz. Ekonomia, parlamenti dhe gjithçka është në dorën e ‘Gardës Revolucionare’.

Regjimi i fundit nuk i lejoi reformistët në zgjedhje, i la mënjanë ata, krijoi një unitet brenda vetes dhe rrezikoi shumë. Pseudonimi i Presidentit Ibrahim Reisi është ‘Ajatollah i Masakrës’. Sepse ka pasur një masakër të madhe kundër të majtëve në Iran në vitet e ’80-ta. Masakër në burg. Në këtë masakër, rreth 5000 disidentë u ekzekutuan fshehurazi nëpër burgje. Ibrahim Raisi është një nga gjykatësit e atij Sheriati.

Në institucione publike si IRNA u shpërndanë foto nga rrugët e zbrazëta dhe shkruhej se protestat kishin përfunduar. Megjithatë, nuk është më e vështirë t’i qasesh imazheve të shpërndara nga rrugët duke hyrë në Twitter. Gjithashtu shkruhej se të nesërmen do të nisnin protestat për të mbështetur policinë. Si po e trajton regjimi situatën?

Regjimi ende nuk e di se si nisën protestat. Presidenti ishte në Nju Jork kur nisën protestat, gjë që ishte fatkeqësi për regjimin. Nga ana tjetër nuk kanë analiza. Diçka që nuk e prisnin. Ka shumë presion, por ata ende nuk e kanë bërë lëvizjen përfundimtare. Një vit e gjysmë më parë pati protesta në Iran, interneti u ndërpre për 10 ditë dhe 1500 njerëz u masakruan në tre ditë. Këtë herë ende nuk ka arritur deri në atë pikë. Për shkak se kjo protestë nuk ishte një protestë e pritur nga regjimi, ata nuk e prisnin këtë dinamizëm. Pritja ishte protestë për aspektin e varfërisë ekonomike. Gjithçka do të ishte nën kontroll.

Unë ndjek faqet dhe botimet pranë Gardës Revolucionare, ata të gjithë janë habitur, ka kërcënime, ka njerëz që e humbën jetën nëpër rrugë, zyrtarisht deri më tani u vranë dhjetëra persona. Por, teksa vijnë këto lajme, nuk ka frikë në publik, nuk ka dhimbje. Derisa një baba po vendoste kufomën e djalit të tij të vrarë në varr, po thoshte se mjaft, ne të moshuarit duhet të dalim dhe të luftojmë kundër këtij regjimi. Dhe ai e tha këtë pa qarë. Pra, ka detaje në çdo foto, çdo video. Ne shohim gjëra shumë të ndryshme në këto detaje.

Iranianët tani thonë, tashmë është e mundur, ky regjim mund të shkojë, ne jemi shumicë dhe ata do të shkojnë, nuk kanë zgjidhje tjetër. Asnjë dorëheqje në rrugë. E premtja është një ditë shumë e rëndësishme. Pas namazit të xhumasë, regjimi planifikoi një protestë në mbështetje të policisë, kjo u shpërnda në televizion dhe në reklama. Ishte një rrëmujë. Edhe uebfaqja e tyre nuk ka gjë tjetër përveç disa fotove. Atë natë protestat filluan të ashpërsoheshin dhe u përhapën. Kjo është një shenjë. Pas kësaj dhuna e protestave u shtua edhe më shumë. Nuk ka asgjë më shumë për të humbur tani.

Duhet të flasim edhe për çështjen ekonomike. Irani është tani një vend në prag të falimentimit. Po flasim për një vend që, ndoshta ka pasur varfëri deri në vitet e ’90-ta pas revolucionit, por gradualisht na u mor gjithçka nga duart. Të gjitha fabrikat kombëtare u privatizuan nga Garda Revolucionare dhe grupe mafioze pranë tyre. Jemi në një kohë kur regjimi është shumë i ngushtuar. Ka një regjim shumë të dobët. Ai nuk merr dot asnjë mbështetje nga shoqëria dhe vetëm me arme tenton të krijoj presion. Megjithatë, një tjetër gjë interesante që pamë në fushë është se është një masë e të rinjve, aktive në publikun e përgjithshëm dhe gruaja është në qendër.

Për herë të parë, pas masakrimit të Aminit, më shumë se dhjetë aktore hoqën shaminë para kamerës. Kjo do të thotë pika e fundit në karrierën e tyre. Madje, ministri i Kulturës deklaroi se aktoret që heqin shaminë duhet të largohen nga ky sektor. Më pas erdhi një përgjigje më e fortë, ato thanë: “Nuk duam të aktrojmë më në këto situata, duam një botë tjetër”. Pastaj disa persona të tjerë hoqën shamitë e tyre. Kombëtarja e futbollit po jep një mbështetje radikale. Burrat gjithashtu po japin mbështetje të mahnitshme. 

Çështja e përbashkët: Gruaja

Këtu dua të jap një sqarim tjetër. Nëse shikojmë jashtë vendit, ka pasur protestë edhe para konsullatës iraniane në Stamboll. Edhe kjo është ndër të parat pas revolucionit. Për shkak se iranianët që jetojnë në Stamboll janë të ndryshëm, ata vijnë e shkojnë. Mund të flasim për ekzistencën e një inteligjence iraniane në Turqi. Një turmë erdhi dhe hodhi slogane radikale dhe bashkuese. Nëse e shikojmë nga një këndvështrim politik, në njërën anë shahistët dhe në anën tjetër të majtët, kurdët, azerët dhe nacionalistët, të gjithë janë dakord se çështja e përbashkët është gruaja.

Vërtet ndjehet fryma e revolucionit të grave në botë. Nuk dëgjoni sharje nga njerëzit që luftojnë me policët në rrugë, ka një shpirt. Dhe mbështetja nga shtetet e jashtme është e rëndësishme. Grupi Anonymous jep mbështetje, Roger Waters jep mbështetje. Gratë iraniane duan që zëri i tyre të dëgjohet jashtë vendit, ato e duan këtë nga të gjithë dhe veçanërisht nga popujt, jo nga shtetet. Me fjalë të tjera, nuk thonë le të bëj diçka Amerika dhe Franca, ato thonë a na shohin dhe a na mbështesin njerëzit në mbarë botën.

Prej frikës për të qenë si Irani, tek entuziazmi për të qenë të guximshëm si gratë iraniane

Kam lexuar një tweet këto ditë, deri dje Irani u tregua si një shembull i keq. Dikur dëgjonim shqetësimet si: “Shiko, mund të jesh si Irani”. Kësaj radhe përkundrazi dëgjojmë fjalët “Ne mund të jemi të guximshëm si gratë iraniane”. Gratë iraniane po ndryshojnë imazhin e vendit dhe nuk po e ndryshojnë  këtë imazh vetëm ndaj botës.

Me këdo që të flas nga Irani, e ka një lumturi, një komb që krijon një imazh të ri për veten. Gjithçka që u fol deri javën e kaluar ishte pyetja “Si të iki nga Irani?”. Kësaj radhe është e kundërta, thonë, nuk ikim, luftojmë, jemi të lumtur, krenohemi. Mbi këtë lumturi, janë këto fjalë që dëgjova nga miqtë që shkuan këto ditë në protesta: “Ka vdekje në protesta, por të gjithë janë të lumtur, buzëqeshjet mbizotërojnë, kërcejnë dhe performojnë kudo”. 

Sa i përket protestave të përbashkëta në mbështetje të policisë dhe regjimit, ka organizata të grave të krijuara nga qeveria e Iranit. A janë nga këto organizata, ato që morën pjesë në këtë protestë?

Në media sociale po tallen me këtë. Sepse nuk mund t’i mblidhim as gati 100 vetë në një shesh. Pasi, me krizën ekonomike, regjimit nuk i ka mbetur gjë, vetëm forca e armës. Nëse kjo është strategjia e tyre, ata ende nuk e kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. 

Ka organizata të grave të themeluara nga shteti, si Basij (Dega Rinore e Gardës Revolucionare), por ato janë të pakta në numër. Mirëpo, bëhet fjalë për vdekjen e një vajze të pafajshme 22-vjeçare. Është një atmosferë ndryshe. Ata mund të kenë armë, por ka edhe frikë brenda regjimit. Sidomos në qytetet e vogla, të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Ata gjithashtu kanë frikë se mos njollosen duke iu thënë “Dje shkove dhe vrave njerëz”. Për herë të parë, ata gjithashtu filluan të kenë frikë nga revolta.

Ka zëra që vijnë edhe nga brenda regjimit. Në ditët e fillimit të protestës, një ministër shkroi në Twitter se nëse bëjmë lëshime ndaj një vullneti të shoqërisë, nuk do të thotë se regjimi do të bjerë si domino. Mund të flasim për një konflikt edhe brenda regjimit. Policia është e lodhur. Sepse teksa dilte me furnizime të mëdha dhe me tentime të ndërhynte në të gjitha lagjet, edhe policia u lodh. Edhe policët janë oficerë diku, ndaj nuk kanë dëshirë t’i godasin njerëzit. Mes tyre duket se ka shumë konflikte. 

Universitetet kanë qenë të heshtur më parë, por ka komente se kanë qenë aktive në këto protestat e fundit, a kanë qenë të heshtur universitetet më parë?

Universitetet nuk heshtën. Këto kritika i konsideroj disi të padrejta. Shkollat ​​kanë qenë gjithmonë luftarake, gjithmonë radikale dhe përparimtare. Ekziston një detaj shumë i bukur, bashkë me protestat ka dalë edhe një deklaratë nga gjimnazistet progresive. Në deklaratë ato thanë se “Do të nisin shkollat, që nga dita e parë do të shkojmë pa shami, do të hedhim slogane”. E dini, duke filluar nga klasa e parë në Iran, shkollat ​​janë të ndara për djem dhe vajza. Ato thanë se ne e kërkuam këtë edhe nga shokët tanë. Dhe ato i hodhën edhe sloganet. Kjo do të thotë se edhe 15-vjeçarët do të jenë më aktivë.

E si reagojnë intelektualët? Ndonjë reagim nga shkrimtarët, regjisorët, artistët iranianë?

Siç e thashë që në ditën e parë, reagimet nisën nga aktoret gra dhe nuk munguan reagimet nga disa regjisorë dhe shkrimtarë që njohim. Një deklaratë është bërë nga Shoqata e Shkrimtarëve iranianë. Shoqata e Shkrimtarëve është shumë progresive. Pjesa më e madhe e kinemasë iraniane është nën kontrollin e rojeve revolucionare dhe të shtetit… 

Asghar Farhadi bëri deklaratë sot, një deklaratë shumë e pastër. Ekziston një thënie në farsisht që thonë ‘luan në mes’. Asghar Farhadi ishte pak regjisor i tillë, por njerëzit nuk e lejojnë më këtë. Në reagime thuhej se ky është shansi juaj i fundit. Nuk luhet më në mes, ose je në atë anë ose nga kjo anë.

Mesut Kimyayi, një nga regjisorët legjendarë, që nisi valën e re të Iranit, mbështeti publikun dhe tha se nuk ka më të luhet në mes. Tani të gjithë ndihen të detyruar të vendosin për anën e tyre.

Së fundi, dua të shtoj sërish se gratë iraniane presin mbështetje nga të gjithë. Nuk u thonë shteteve të ndryshme ejani dhe na shpëtoni. Ato mendojnë se thjesht e kanë shpëtuar imazhin e tyre dhe duan që kjo të shihet edhe nga popujt e tjerë anembanë botës.

Intervistë: Suer Celina

© PRIZMA MEDIUM