Foto: Ferdi Limani

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ofron mundësinë për të ndryshuar status-quonë aktuale ndërmjet dy vendeve dhe për të vendosur një fazë të re të marrëdhënieve. Një nga karakteristikat kryesore të kësaj faze të re të marrëdhënieve është se Serbia njeh ose i pranon atributet kryesore të shtetësisë së Kosovës dhe krijon një mjedis të favorshëm për Kosovën duke forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar drejt integrimeve rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare. 

Marrëveshja përmirëson marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një nivel më të lartë simetrie, ku me fjalë të tjera, Serbia e pranon Kosovën si fqinj dhe pranon të zhvillojë marrëdhëniet mbi bazë të të drejtave të barabarta. Disa nga veçoritë e rëndësishme të marrëveshjes së ‘re historike’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nisin me titullin, i cili i referohet marrëveshjes mes “Kosovës dhe Serbisë” dhe jo “Prishtinës dhe Beogradit”. Ky ndryshim simbolik, por i rëndësishëm, shënon tranzicionin e Serbisë, por edhe të BE-së, drejt një shkalle më të lartë të njohjes së atributeve shtetërore të Kosovës. 

Nga ana tjetër, në nenin 4 të Marrëveshjes, Serbia pranon të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Për më tepër, në preambulën e marrëveshjes thuhet se palët kontraktuese duhet të “respektojnë integritetin territorial dhe sovranitetin dhe mbrojtja e pakicave kombëtare është kusht themelor për paqen”, që në fakt do të thotë se Serbia e njeh sovranitetin dhe territorin e Kosovës. 

Gjithsesi, zbatimi efektiv i marrëveshjes dëmtohet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë faktin se marrëveshja nuk është nënshkruar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar konfuzion politik dhe ligjor. 

Një nga faktorët kryesorë që pengon implementimin efektiv të marrëveshjes është krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Përderisa në Serbi dominon narrativa politike që marrëveshja mund të implementohet vetëm me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku një  qasje e tillë është përkrahur nga disa shtete të BE-së, qeveria e Kosovës insiston që marrëveshja të implementohet në tërësi. 

Testi i parë për përkushitmin e Serbisë ndaj marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëveshjes erdhi më 25 prill 2023, ku votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshill të Evropës (KE), madje u zotua se do të “dënojë” shtetet që abstenuan nga votimi. Edhe pse pas votimit të Serbisë kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KE, zyrtarët e BE-së shmangën pyetjet e gazetarëve nëse votimi kundër anëtarësimit të Kosovës ë përbën një shkelje të marrëveshjes.

Për më tepër, një ndër sfidat më të mëdha të marrëveshjes mbetet nëse marrëveshja nuk çon në ndryshime të pozicionit të pesë shteteve mosnjohëse të BE-së ndaj njohjes të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh, ka shumë të ngjarë që çfarëdo momentumi që kanë arritur të ndërtojnë BE dhe SHBA në procesin e dialogut, mund të minohet ndjeshëm. Megjithatë, nëse pesë shtetet mosnjohëse të BE-së lëvizin drejt një angazhimi më afirmativ me Kosovën, përmes një kombinimi të njohjeve formale nga disa shtete, si Greqia, Sllovakia dhe Rumania dhe me njohje joformale nga të tjerët (Spanja dhe Qipro), atëherë është një mundësi e madhe që marrëvshja të sjellë ndryshime domethënëse si brenda Kosovës ashtu edhe në procesin e integrimit euro-atlantik. 

Për fund, por jo më pak e rëndësishme, gjendja e re e marrëdhënieve (status-quon e re), varet nga zbatimi efektiv i marrëveshjes. Pa zbatim efektiv, marrëveshja do të bëhet një mjet tjetër për menaxhimin e konflikteve, në vend që të jetë një instrument për normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve. Tendencat aktuale nuk janë optimiste për zbatimin dhe sugjerojnë që të dyja palët, dhe veçanërisht në Serbi, janë të fokusuara në minimin e marrëveshjes dhe ndikimit të saj. 

Dr. Ramadan Ilazi dhe Dr. Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM