Protestat të cilat kishin filluar për 1 Maj ranë ndeshë me një projekt për ndërtimin e një kompleksi në vendin ku ndodhet parku Gezi. Kjo zgjoi zemërim të gjërë mes grupeve për mbrojtjen e mjedisit dhe mblodhi me vete një numër të madh protestuesish të cilët pushtuan hapësirat e parkut dhe qëndruan aty në tenda.

Pasi që isha vendosur në banesën e një miku zemërgjërë nga Prizreni, mora metronë për në Taksim. Ndoqa shenjën e daljes për në Parkun Gezi dhe e gjeta veten në mes të një turme që bënin kamping dhe brohorisnin parulla kundër qeverisë. Nuk e imagjinoja kurrë që muajt në vijim do t’i kaloja duke fotografuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit.
Çdo ditë ishte ndryshe nga ajo e mëparshme, grupe të reja njerëzish mblidheshin në qarqe për të kënduar dhe kërcyer. Ishte si një karnaval gjigant i cili kishte dalë jashta kontrollit, ndërsa policia ishte ulur dhe po shikonte.

Pas disa ditësh fotografimi kuptova se më duhej një drejtim tjetër i dritës pasi të gjitha fotografitë kishin diellin në të njëjtën anë, kështu që u zgjova shumë herët dhe mora autobusin e parë për në Taksim. Me të mbërritur ndjeva një zbrazëti, sikur të kishte një heshtje para stuhisë. Nuk do ta kisha menduar kurrë se do të ishte dita kur forcat e policisë do të rimerrnin kontrollin e sheshit. Me qindra policë që vinin nga të gjitha drejtimet hynë në sheshin i famshëm Taksim dhe filluan ti heqin flamujt dhe pankartat të vendosura në monumentin e Republikës.

Asgjë nuk shkoi në heshtje pasi filluan përleshjet dhe ajri u mbush me gaz lotsjellës, një gaz lotsjellës jo aq miqësor sa ata që jemi mësuar këtu. Pa një maskë gazi mendova se mushkëritë po më lëviznin brenda kraharorit. Një kanaqe e gazit lotsjellës më qëlloi në këmbë dhe ma bëri një plagë të cilën e mbajë edhe sot. Sytë mu mbushën me pluhur baruti të cilat mi kujtojnë ato ditë sa herë që e shikojë qiellin.

Për ditë e javë policia u përplas me grupe të vogla protestuesish jo vetëm në shesh, por edhe në rrugët e vogla të lagjes Beyoglu. Mbaj mend që isha në tarracën e një lokali me një mik vizitor kur gazi lotsjellës doli papritur dhe mbrëmja mbaroi shumë shpejtë.

Si gazetar duhej të isha i pa anshëm, por nuk mund ta kontrolloja xhelozinë ndaj këtyre njerëzve që mbronin të drejtën e tyre për protestë.

Foto storje dokumentare nga Ferdi Limani

© PRIZMA MEDIUM