Si rezultat i këtyre zgjedhjeve të cilat u bojkotuan nga komuniteti serb, në këto katër komuna të veriut u zgjodhën katër kryetarë të rinj, të cilët vijnë nga komuniteti shqiptar. Si rezultat i bojkotit të zgjedhjeve nga komuniteti serb, përqindja e pjesëmarrësve në këto zgjedhje ishte më pak se 3 %. Ndërkaq, pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2021 ishte mesatarisht 72.38%. 

Rezultati i këtyre zgjedhjeve ka zbehur legitimitetin e katër kryetarëve të zgjedhur. 

Zgjedhja e këtyre katër kryetarëve të rinj ka prodhuar protesta të dhunshme, në kohën kur katër kryetarët kanë tentuar të hyjnë në objektet e tyre komunale. Protestuesit ulta – nacionalistë, të nxitur nga presidenti i Serbisë, kanë përdorur dhunë kundër policisë së Kosovës, paqeruajtësve të KFOR-it si dhe gazetarëve që mbuluan ngjarjet në veri të vendit. 

Politikat shoveniste të presidentit të Serbisë, pa dyshim mbeten një nga kërcënimet më të mëdha për paqen dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës por edhe në rajon. Madje një hetim i detajuar i New York Times për presidentin e Serbisë tregon se ai është i zhytur thellë në krimin e organizuar. 

Protestat e dhunshme në veri të Kosovës u shfaqën në kohën kur po organizoheshin protestat masive të ardhura nga poshtë, kundër pushtetit të Aleksandër Vuçiq. Mirëpo protestat e organizuara në Beograd, nuk duken të kenë ndonjë ngjashmëri me ato të dhunshmet të organizuara në veri të vendit. Sidomos nëse kujtojmë dhunën e përdorur nga grupet radikale në pjesën veriore drejtuar policisë së Kosovës dhe paqeruajtësve të KFOR-it. 

Përderisa veriu i Kosovës në vazhdimësi ka shërbyer si vend i krizave sa herë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka hasur në ndonjë bllokadë, mbetet shqetësuese se si ne si shoqëri nuk kemi ndërtuar një “hapësirë të sigurt shoqërore”, ku paralelisht mund të vazhdojmë dialogun shoqëror për ndërtimin e një paqeje alternative.  

Tensionet dhe dhuna e shfaqur në veri, përdorimi i gjuhës së urrjetjes dhe sidomos kërcënimet e Beogradi zyrtar, tregon se nuk mjafton vetëm mirëmbajtja e stabilitetit në pjesën e veriut. Na duhet një paqe e qëndrueshme, ku në vete duhet të mishërojë një lloj mekanizmi për menaxhimin e çdo konflikti apo forme dhune në veri. 

Për më tepër, nëse nuk arrijmë të ndërtojmë një paqe të qëndrueshme në pjesën veriore të Kosovës dhe ajo vazhdon të trajtohet si konflikt i ngrirë, kjo do të ndikojë në rritjen e ndikimit të Rusisë në Kosovë. Siç mund ta shohim nga strategjitë e politikës së jashtme të Rusisë, ndikimi i saj në vendet e ish Bashkimit Sovjetik shtrihet përmes krijimit të konflikteve të ngrira. Një politikë e tillë tentohet të përdoret edhe nga Serbia në Kosovë dhe në Republika Srpska të Bosnje Hercegonivës. Prandaj, zgjidhja e problemit të veriut varet nga hapat që do të ndërmerren në të ardhmen, ku në epiqendër duhet të jetë paqja e qëndreshme përtej vetëm stabilitetit politik. SHBA-ja dhe BE-ja duhet të insistojnë në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes palëve që nuk ofron vetëm stabilitet, por një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për pjesën veriore të Kosovës. 

Përderisa themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është ‘elefanti në dhomë’, ku të dyja palët, Kosova dhe Sebia, i referohen në mënyra të ndryshe dhe kanë pritshmëri të ndryshme kur flasim për Asociacioni, kjo temë asnjëherë deri më tani nuk ka qenë pjesë e një diskutimi të gjërë shoqëror. Të një diskutimi se si do të jetë bashkëjetesa në mes të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Nëse një strukturë e tillë, tentativisht do ta mundësonte integrimin e serbeve të Kosovë, rritjen  e bashkëpunimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, promovimin e qytetarisë civile, angazhimin e përbashkët për tema sociale e ekonomike, etj. Dhe për këtë, na duhet një përpjekje e përbashkët dhe e qëndrueshme për paqe, e cila kundërshton narrativat nacionaliste, dhe që vie nga të dyja palët, pra nga shqiptarët dhe serbët. 

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, është jetike që Kosova të vazhdojë të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtar në Kosovë, veçanërishtë kur përballet me kërcënime të vazhdueshme nga shteti i Serbisë. Ndërsa gjuha e urrejtjes së presidentit të Serbisë ndaj kryeministrit të Kosovës mbetet shqetësuese; gjuhë e cila minon marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. Në anën tjetër, liderët Kosovarë dhe veçanërisht kryeministri i Kosovës duhet të shtojnë përpjekjet për të dërguar mesazhe afirmative komunitetit serb në Kosovë. Duhet të fokusohemi në zgjidhje që ofrojnë paqe të qëndrueshme për veriun e Kosovës – që krijojnë ura lidhëse ndërmjet qytetarëve serb dhe shqiptarë – dhe ky duhet të jetë një angazhim i vazhdueshëm që vjen nga të dyja palët. Promovimi dhe këmbëngulja e përbashkët për një paqe të qëndrueshme shoqërore është arma më e fuqishme për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimit të ndikimeve hegjemoniste të drejtuara nga Serbia dhe Rusia.

✎ Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM