Foto storje dokumentarë
nga Ferdi Limani

Fshati Tanushë shtrihet në një zonë të madhe kodrinore të maleve të Karadakut, në Maqedoninë e Veriut, në pjesën veriperëndimore. Pasi Maqedonia e Veriut (që në atë kohë emri i saj ishte ‘Maqedonia’) shpalli pavarësinë nga Jugosllavia, në vitin 1991, popullsia etnike shqiptare e fshatit u detyrua të ndërpresë lidhjet tradicionale me komunitetin shqiptar të Kosovës dhe me qytetin më të afërt, Vitinë, disa qindra metra larg kufirit me Kosovën. Kur filloi konflikti i armatosur në Kosovë në vitin 1997, shumë nga burrat e fshatit ranë dëshmorë duke luftuar së bashku me vëllezërit e tyre shqiptarë në Kosovë, para se provinca të çlirohej në vitin 1999. Dy vjet më vonë, shpërtheu rebelimi i armatosur pasi veteranët e Tanushës që u bashkuan në luftën e Kosovës, i bënë thirrje Qeverisë maqedonase që t’i njihte të drejtat e shumicës shqiptare. Konflikti i vitit 2001 u zgjidh me një marrëveshje paqësore, të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht, por Tanusha, për shkak të reputacionit të saj si një bastion i rebelëve, u la pas dore, deri në vitin 2010. Pas dy dekadash frike dhe izolimi, popullata e Tanushës tani ka filluar ta rindërtojë komunitetin e saj. Ata shpresojnë për një rrugë të re për në qytet dhe presin një pikë kufitare që mund t’i lidh me fqinjët e tyre në Kosovë. Me ndihmën e një udhërrëfyesi vendas, e kalova kufirin ilegalisht në Maqedoninë e Veriut, për të dokumentuar stilin e jetesës së disa prej fshatarëve. Xhemal Jakupi jep mësim në kushte të vështira në shkollën lokale, ku tre mësues ndajnë dy klasa, duke i mësuar fëmijët e grupmoshave të përziera. Energjia elektrike është problem i vazhdueshëm dhe shkolla ngrohet me dru. Xhemali zgjohet herët çdo ditë për të punuar në fermën e tij, para se t’i përgatisë mësimet për shkollë. Refki Serani jeton me gruan dhe pesë djemtë e tij në një shtëpi me dy dhoma, e cila gjendet në një kodër të pjerrët, në Tanushë. Refki-u e përshkruan gruan e tij si një grua të guximshme, e cila dikur u rrah nga policia maqedonase dhe u tërhoq zvarrë nga shtëpia e saj. Tani ajo kujdeset për familjen dhe pjek bukë çdo ditë, pa energji elektrike dhe ujë të rrjedhshëm. Si të gjithë në Tanushë, Xhemali dhe Refki-u janë në një pikë kthese. Me përfundimin e izolimit të tyre në dukje, fshatarët po përgatiten të zënë vend, në botën moderne ballkanike.

© PRIZMA MEDIUM