Foto: Atdhe Mulla

Nëpërmjet programit Hapësira, Shtatëmbëdhjetë ka mbështetur të menduarit ndërdisiplinor dhe të veprimit, të cilat janë qendra që ndërthurin aspektet intelektuale dhe krijuese. Ato ofrojnë një platformë për t’u përfshirë në një dialog konstruktiv duke krijuar pyetje që priren të shtyjnë dhe sfidojnë përgjigjet konvencionale. Shatëmbëdhjetë ka krijuar burime ku njerëzit bashkohen spontanisht dhe diskutojnë çështje dhe probleme të përbashkëta sociale, të cilat kultivojnë një kulturë të integrimit të hapësirave të përbashkëta në aktivizmin kulturor.

Për të marrë më shumë informacion rreth aktiviteteve dhe programeve të Shtatëmbëdhjetë realizuam një intervistë me dy themelueset e Fondacionit Shtatëmbëdhjetë, të cilat kanë nxitur një transformim të rëndësishëm në aktivizmin kulturor dhe në përceptimin e hapësirave të braktisura dhe të neglizhuara – duke vendosur komunitetin në epiqendër të këtyre diskutimeve. 

Si filloi rrugëtimi juaj në Shtatëmbëdhjetë? 

Nita Zeqiri: Para se të regjistohemi si organizatë, une dhe Ajetja kemi punur në organizata të ndryshme joqeveritare, ndërsa nga viti 2015 kemi filluar të diskutojmë për krijimin e një platforme që ndërthur artin dhe temat sociale që në fokus kanë komunitetin. Dhe këto kanë qenë pjesë e diskutimeve shumë të gjata dhe na u deshën tre vite për të menduar dhe ndërtuar strategjinë dhe programin. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme pjesa e edukimit, ku së bashku me artin mund të përdoret për të trajtuar çështjet sociale. Megjithatë, ne e kemi konsideruar shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me organizatat vendore që merren jo vetëm me çështje të artit dhe kulturës, por edhe me çështje gjinore, rinore dhe mjedisore. Të gjitha këto ishin si ide fillestare, duke parë pamundësinë sociale dhe apatinë shoqërore që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në shoqërinë tonë, në mungesë të hapësirave kulturore, të cilat tashmë janë aktive dhe plotësojnë jetën shoqërore. Nisma erdhi si përgjigje ndaj pyetjes se si mund ta thyejmë apatinë sociale.

Ajete Kërqeli: Nisma filloi si përgjigje ndaj nevojave shoqërore, duke parë mungesën e hapësirave alternative që kontribuojnë  në mirëqenien sociale. Për një kohë shumë të shkurtër në vende të ndryshme të Kosovës, kanë filluar të shfaqen nisma të ndryshme – që ka qenë një pasqyrim i apatisë sociale dhe nevojës për ta tejkaluar atë. 

Rivitalizimi i hapësirave publike ka një rol të rëndësishëm në punën dhe programet tuaja. Si mendoni që lidhet apatia sociale me mungesën e hapësirave alternative publike?  

Ajete Kërqeli : Hapësirat e përbashkëta publike të cilat nuk janë përjashtuese dhe mundësojnë pjesëmarrjen e gjitha komuniteteve – ndihmojnë edhe në ndërtimin e një kohezioni social që çon edhe në mirëqenie më të madhe e cila thyen apatinë shoqërore. 

Ndjeja e përkatësisë në një vend të caktuar, në një grup të caktuar e mundëson tejkalimin e ndjenjës së izolimit dhe pavullnetit për me qenë aktiv për me bë diçka të mirë për veten dhe të tjerët. Hapësirat e tilla na mundësojnë me kriju ndenjën e përkatësisë, me pa që çkado që është publike është edhe e jona, me pa që janë burime të përgjithshme dhe të gjithë kemi qasje në ato dhe bëjmë më të mirën të mundshme me to.  E këto saqo që të vogla, munden me qenë të tilla, që nuk janë domodoshmërisht publike po e luajnë funksionin e hapësirës publike – që e lejojnë daljen nga apatia dhe izolimi duke krijuar kontaktin e parë me njerëz të ndryshëm, duke nxitur formësimin e një ideje, një komuniteti, një ndjesie që mundemi dhe duhemi me marrë veprime për çështje të ndryshme. 

Ndjenja e përkatësisë në një vend të caktuar, në një grup të caktuar mundëson tejkalimin e ndjenjës së izolimit dhe mungesës së vullnetit për të qenë aktiv/e dhe për të bërë diçka të mirë për vetën dhe të tjerët. Hapësira të tilla na mundësojnë të krijojmë ndjenjën e përkatësisë, pasi gjithçka që është publike është edhe e jona dhe ne të gjithë kemi qasje në to dhe bëjmë më të mirën që mundemi me to. Dhe këto, sado hapësira të vogla, që nuk janë domosdoshmërisht publike, po luajnë funksionin e hapësirës publike – lejojnë daljen nga apatia dhe izolimi. 

Foto: Atdhe Mulla

Kur flasim për hapësira publike dhe pjesëmarrje në jetën publike, lidhet edhe me pjesën se sa janë të sigurta këto hapësira për të diskutuar tema të ndryshme. Ju i jepni një vëmendje të veçantë promovimit të hapësirave të sigurta, duke promovuar idenë e krijimit të një komuniteti të qëndrueshëm dhe zhvillimin e mendimit kritik. A mund të na tregoni se si i konceptoni hapësirat e sigurta? 

Nita Zeqiri: Kjo ka qenë teme e diskutimit gjatë tre viteve të fundit, kur edhe kemi vërejtur se forma e pjesëmarrjes në ngjarje të caktuara  është e standardizuar. Shumë shpesh kemi diskutuar se sa ne arrijmë me qenë vetvetja, me shpreh mendimin tonë kritik apo me nda aspektin tonë kreativ – qoftë edhe një poezi në hapësira të ndryshme publike. Gjitha këto na kanë nxitur  të mendojmë se si të krijojmë një ambient të sigurt ku jemi vetvetja dhe ndihemi të lirë me shpreh atë që mendojmë. 

Ajete Kërqeli: Çka e bën një hapësirë të sigurt është një diskutim që na përcjell vazhdimisht, ku përpiqemi të reflektojmë në çdo fazë që ndodhemi. Kjo ndërlidhet edhe me idenë e programit tonë ‘Hapësira’ që ka të bëjë me ushqimin e mendimit të lirë që mundëson përfshirjen e komunitetit në formë aktive. 

Një pjesë e madhe e punës suaj fokusohet në avokimin për rivitalizimin dhe rifunksionalizimin e hapësirave të braktisura apo neglizhuara, të cilat dikur ishin pjesë e jetës së komunitetit dhe që tani rrezikohen të shkatërrohen. Përmes projektit tuaj Metamorfoza ju keni ngritur një diskutim të rëndësishme për rivitalizimin e hapësirave të braktisura, duke dokumentuar kujtesën kolektive dhe duke i kthyer ato në shërbim të komunitetit. Projekti ka kontribuar edhe në promovimin e aktivizmit kulturor për rikthimin e Kino Rinisë në shërbim të komunitetit. A mund të na tregoni më shumë për këtë?

Nita Zeqeri: Metamorfoza ka filluar si nevojë për të  rikthyer vëmendjen në hapësirat publike dhe  rivitalizuar hapësira të braktisura në Prishtinë, sidomos duke qenë kureshtare se çfarë roli kanë pasur këto hapësira në të kaluarën dhe pse  nuk po bëhet bën asgjë për këto hapësira. Këto ishin pyetjet bazë në nivele individuale që na shtynë të mendojmë se çfarë mund të bëjmë për rivitalizimin e hapësirave të braktisura. Nismat fillestare si Termokiss, Lumbardhi, Jusuf Gërvalla kanë qenë forca shtytëse për të parë që mund të bëhen ndryshimet pozitive duke shpëtuar një objekt, apo thjesht me u njoftu me objektin se çfarë funksioni kishte në të kaluarën. Kështu filluam të identifikonim objektet, të merrnim informacione për objektin dhe më pas të merrnim hapa konkret për rikthimin e vëmendjes në këto objekte dhe diskutimin për rifunksionalizimin e tyre. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me komunitetin e lagjes dhe komunitetin artistik për hapat konkret që janë bërë për ndërhyrjet që janë bërë në këto objekte.

Edicioni i katërt i Metamorfozës ishte rikthimi i vëmendjes në  Kino Rini, për të parandaluar shkatërrimin e një hapësire kulturore. Pas njoftimit të AKP-së për shfrytëzimin e hapësirës së sallës kryesore të Kino Rinisë, filluam menjëherë të ndërmarrim disa hapa – ndoshta  jo shumë mirë të menduar për momentin atëherë – për ta ruajtur këtë hapësirë kulturore nga tjetërsimi e që të vazhdoj të mbetet në shërbim të komunitetit. Po themi hapa jo shumë të menduar mirë sepse ishte e pamundur të realizohej një projekt i tillë me një numër të vogël njerëzish që ishin të përfshirë në ekip. Megjithatë, bashkëpunimi me organizata dhe akterë të ndryshëm, si dhe pjesëmarrja e institucioneve publike/shtetërore si partnerë ka qenë  ndihmesë dhe mbështetje e rëndësishme në gjithë këtë rrugëtim. Partneriteti ka qenë i rëndësishëm sepse kur flasim për hapësira publike nuk ka kuptim me ekzistu dy kampe si – ne dhe ata… Megjithatë, motivimi dhe besimi se ka shumë aktivizëm kulturor brenda skenës së pavarur kulturore e ka lehtësuar barrën e rrugëtimit të këtij projekti dhe për rikthimin e vemendjes në Kino Rini, tani më me potencialin e një hapësire kulturore që do të jetë në shërbim të qytetarëve/eve. 

Ajete Kërqeli: Përmes Metamorphosis kemi synuar që përpjekjet për kthimin e hapësirave publike të shihet si një përpjekje e përbashkët – duke marrë parasysh format e reja të bashkëpunimit jo vetëm me organizatat joqeveritare, por edhe me institucionet lokale dhe qendrore. Kino Rinia është një shembull i mirë që tregon se kur bashkohet komuniteti, organizatat dhe institucionet mund të arrihen ndryshime të mira. Kino Rinia ka qenë gjithashtu edhe një moment i mirë i reflektimit sesi aspekti i interesit publik tejkalon interesat ekonomike. Ajo tani është e qasshme për të gjithë komunitetin dhe nëse vazhdon të konservohet si hapësirë kulturore, mund të sjellë më shumë përftime sesa nëse do të ishte komercializuar…  

Nita Zeqiri: Këtu është e rëndësishme të fillojmë të mendojmë se arti dhe kultura kontribojnë dhe janë pjesë e zhvillimit ekonomik… 

Foto: Atdhe Mulla

Po ndalem se si aktivitetet kulturore dhe artistike ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos duke u fokusuar në faktin që Shtatëmbëdhjetë ka decentralizuar aktivitetet kulturore nga qendra e qytetit apo nga disa institucione strandarte – në një lagje që gjendjet në margjinat e qytetit dhe që nuk frekuentohet pothuajse nga askush që nuk jeton aty. Si mendoni që kjo qasje ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit, duke sfiduar idenë që jo gjithçka ndodhë vetëm në qendër të Prishtinës? 

Ajete Kërqeli: Vendi ku ndodhen Galeria 17 dhe Project Space 17 është në zonën më të vjetër të qytetit, dhe kjo lidhet me idenë se sa shumë potencial kanë zonat e ndryshme të qytetit që mbeten jashtë vëmendjes tonë, dhe i gjithë fokusi është në qendrën e qytetit. Ideja e aktivizimit kulturor të Shtatëmbëdhjetë ka qenë e ndërlidhur edhe me gjetjen e një lokacioni që nuk është në qendër të qytetit, por mundëson decentralizimin e jetës kulturore në Prishtinë, duke nxitur një dinamikë të re në qytet. Dhe pastaj gradualisht me pa se si gjithë këto aktivitete munden me u përkthy në një zhvillim ekonomik dhe social të vendit. 

Si është pritur hapja e Galerisë 17 nga skena e pavarur e kulturës në Prishtinë?  

Nita Zeqiri: Në hapësirën tonë Project Space, kemi pas kërkesa të shumta nga artistët për me ekspozu punën e tyre, por hapësirën që e kemi këtu asnjëherë nuk është mendu me u përdor si një hapësire ekspozuese sepse nuk i plotëson kushtet, nuk është e përshtatshme. Prandaj edhe kemi mendu që në momentin që e krijojmë Galerinë të paktën me i plotësu disa kushte bazike që një artistë/e, kolektive munden me punu dhe me prezantu punën e tyre. Prandaj edhe kemi menduar të krijojmë një Galeri që të paktën plotëson kushtet elementare ku artistët/et e kolektivi mund të punojnë.  Pra të shërbej si një hapësirë për edukim, aktivizëm dhe eksperimentime artistike të guximshme.  Të jetë një galeri për lagjen, qytetin dhe gjithë komunitetin artistik.

Ajete Kërqeli: Pa mobilizimin, përfshirë mbështetjen financiare të komunitetit artistik dhe komunitetit  për rifunksionalizimin e Galerisë 17, do të ishte e pamundur si përpjekje për krijimin e një hapësire të tillë. Pra Galeria 17 – si hapësirë komunitare në një lokacion të tillë ka ardhur si kërkesë e vetë komunitetit artistik – si nevojë për diversifikim. Komuniteti është gjithmonë një hap përpara nesh në nevojën për të mbështetur nisma të tilla. Dhe ne vazhdimisht theksojmë se kjo është një Galeri e komunitetit dhe nuk do të ekzistonte as si Galeri nëse nuk do të kishte përfshirje të komunitetit në krijimin e saj.

Intervistë: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM