Foto: Kryeministri

27.09.2021 – Prishtinë

Me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Kryeministri Albin Kurti, ka pritur Kryeministrin e  Shqipërisë, Edi Rama.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, pas marrjes së mandatit të ri, kryeministri i Republikës së Shqipërisë,  Edi Rama është pritur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave dhe anëtarëve të kabineteve qeveritare, u diskutua për mundësitë dhe potencialin për rritje të bashkëpunimit për më shumë drejtësi, barazi e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në të gjithë rajonin.

Foto: Kryeministri

U bisedua për hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve. Janë rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, të nënshkruara nga viti 2014, në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive. U dakorduan për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilin do ta udhëheqë Gentian Sala.

Sipas kumtesës së lëshuar nga ana e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, në këtë takim u diskutuan hapat konkret për projekte të përbashkëta të cilat lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, për lehtësira doganore dhe lehtësira në kalimin e pikave kufitare si dhe shfrytëzimit të objekteve të përbashkëta për konsullata e ambasada.

Po ashtu, u pajtuan që të fillohet me përgatitjet nga dy kabinetet për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që pritet të mbahet në fund të muajit nëntor.