Foto: Ferdi Limani

✎ Esin Muzbeg

Shkaqet e krizës globale të energjisë 

Epidemia e Covid – 19 për një kohë të shkurtër bëri që në botë disa industri të ndalen ose të ngadalësohen. Njerëzit fillaun të udhëtonin më pak, kështu që konsumohej më pak energji. Por më e rëndësishmja është se disa industri u ngadalësuan dhe kishte më pak nevojë për energji. Në botë pati ndalesa në furnizimin me energji elektrike. Pas epidemisë ose pavarësisht epidemisë, kur ekonomitë u hapën vendet me popullsi më të madhe u përpoqën të plotësonin nevojat e tyre për energji – për përgatitje për dimrit – kështu edhe nevoja për energji u bë befas e paplotësuar. Për më tepër, ndryshimet klimatike globale patën gjithashtu një ndikim negativ në krizën energjetike. Ngrohja globale solli me vete nevojën për më shumë ftohje, gjë që rezultoi në më shumë konsum të energjisë. Në anën tjetër, ngrohja globale ka bërë që energjia e erës të jetë joefikase dhe ka ulur kapacitetin prodhues të hidrocentraleve. Kështu, përderisa nevoja për energji u rrit, prodhimi i saj u ul. Përveç këtyre, si pasojë e rritjes së presioneve në botë, është rritur kërkesa për tu orientuar drejt energjive me zero karbon ose më pak karbon. Kur ekonomitë e mëdha kufizuan përdorimin e burimeve të energjisë që lëshojnë sasi të larta të karbonit si qymyri, kërkesa për burime alternative të energjisë u rrit. Kështu edhe gazi natyror ishte i pari që u rrit në çmim.

Imazhi i krizës energjetike

Nëse veprojmë sipas të dhënave të përpiluara nga eksperti i energjisë Mühdam Sağlam, do të kemi mundësi të shohim më qartë tabelën e krizës energjetike në botë. Për vitin 2021, në mbarë botën është vlerësuar se nevoja për gaz natyror do të ishte 40 miliardë metra kub.  Megjithatë, gati gjysma e këtij parashikimi nuk rezultoi e vërtetë për shkak të problemeve të ndryshme. Për shembull, zjarri në Hammerfest të Norvegjisë la jashtë përdorimiti 6 miliardë metra kub gaz natyror. Po ashtu, për shkak të problemeve në Trinidad dhe Nigeri, 12 miliardë metra kub gaz natyror nuk u furnizuan nëpër tregje. Përderisa, oferta për gaz natyror ka rënë, nga ana tjetër kërkesat ka vazhduar të rritet. Ndërkaq, në përputhje me zotimet që bëri Kina në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ajo filloi të reduktojë energjinë elektrike që prodhon me qymyr dhe u kthye në gaz natyror. Paralelisht me këtë, janë rritur kërkesat për gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga vendet si India, Pakistani dhe Bangladeshi. Kina, 70% të nevojave të saj për energji elektrike i furnizoi nga impiantet e qymyrit; për të shkuar drejt reduktimit. Nga ana tjetër, Brazili 60% të nevojave për energji i siguronte nga hidrocentralet, mirëpo nuk mund të merrte efiçencë të mjaftueshme për shkak të stinëve të thata. Në Brazil kërkesa për LNG u rrit në 56%. Kështu, përderisa nevoja për gaz natyror u rrit në të gjitha këto vende me popullsi të madhe, furnizimi me gaz natyror u ul. Në këtë situatë, çmimet u ngritën në qiell dhe kërkesat për të gjitha llojet e burimeve të energjisë që mund të përdoren si alternativë u rritën. Kjo situatë rezultoi në rritje të të gjitha çmimeve të energjisë.  

Si e priti Kosova krizën energjetike?

Përballë një krize të tillë globale energjetike, Kosova në fakt nuk kishte shumë për të bërë. Ndoshta do të kishte një mundësi për të prioritizuar mirëmbajtjen e termocentraleve dhe për të vlerësuar mundësitë e punës me kapacitet të plotë. Ngase prodhimi kryesor i energjisë elektrike në Kosovë sigurohet nga termocentralet. Edhe pse në vitet e fundit ka pasur investime pjesërisht në energjinë e rinovueshme, ajo nuk është në gjendje të plotësojë nevojat e veta. Një situatë e veçantë për Kosovën është se kërkesa për energji elektrike ndryshon shumë ndërmjet muajve të verës dhe dimrit. Duke qenë se kapacitetet aktuale prodhuese të Kosovë nuk mund të plotësonin kërkesat e konsumatorëve, ka shkaktuar që energjinë elektrike ta importojë me çmime të larta. Në fillim, qeveria vendosi të mbahej me subvencionime për të shmangur ndërprerjet e mëdha të energjisë elektrike gjatë muajve të dimrit dhe për të mos reflektuar në faturat e qytetarëve. Por qeveria e pa që subvencioni nuk mund të ishte i qëndrueshëm. Prandaj, preferoi rritjen e tarifave.

Por në fund, siç u shpreh kryeministri Albin Kurti në disa fjalime të tij, dikush do të duhet të mbulojë rritjen e çmimit të energjisë. Kjo përballje do të reflektohet drejtpërdrejt ose tërthorazi tek qytetarët. Megjithatë, në politikën e brendshme, më shumë se dimensionet dhe reflektimet e krizës globale të energjisë, diskutimet u zhvilluan në nivel ligjërimi të pavarur nga ky realitet. Ndërkohë që opozita fajësoi qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, qeveria kritikoi opozitën se prej 20 vitesh nuk ka zhvilluar dhe zbatuar një politikë të duhur energjetike. Debatet parlamentare, të cilat kaluan me akuza të ndërsjella, mbetën larg prodhimit të një politike të qëndrueshme energjetike për të ardhmen.

© PRIZMA MEDIUM