Illustrim: Transparency International

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (Corruption Perceptions Index – CPI) për vitin 2021 ka vënë në pah, se niveli i luftës kundër korrupsionit është në një ndalesë mbarëbotërore. CPI, rendit 180 vende dhe territore në mbarë botën sipas niveleve të perceptimit të korrupsionit në sektorin publik. 

Për të diskutuar më shumë rreth raportit të publikuar nga TI për perceptimin e korrupsionit, metodologjinë e vlerësimit si dhe problemet kryesore ku duhet të fokusohen institucionet e Kosovës në luftën kundër korrupsion, kemi intervistuar Arben Kelmendin, Menaxher i Programit për Transparencë dhe Kundër Korrupsion në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI). 

Indeksi i Perceptimit të të Korrupsionit për vitin 2021 të Transparency International (TI) tregon se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit. A mund të na tregoni se çfarë do të thotë kjo për Kosovën dhe luftën kundër korrupsionit?

Sipas vlerësimit të Transparency International, Kosova pas 3 vitesh stagnimi në fushën e anti-korrrupsionit sivjet është vlerësuar me 39 pikë duke rikthyer tre pikët e humbura. Në këtë mënyrë, Kosova rikthehet në nivelin e vlerësimit në të cilën ishte në vitin 2017 duke shënuar ngritje në tabelën e klasifikimit për 17 pozita (në pozitën e 87-të nga pozita 104 në të cilën ndodhej vitin e kaluar).

Pavarësisht përmirësimi prej tre pikësh, Kosova ka ende shumë për të bërë për të arritur mesataren globale prej 43 pikësh, apo atë evropiane prej 65.

Çfarë ka ndikuar që Kosova të jetë më mirë në luftën kundër korrupsion në krahasim me vitete e kaluara? 

Raporti i Transparency International thekson dy momente të rëndësishme gjatë vitit 2021 të cilat kanë ndikuar në rankimin më të mirë të Kosovës. E para është organizimi i zgjedhjeve qëndrore dhe lokale me standarde të larta demokratike transferi paqësor i pushtetit dhe e dyta, Kosova është i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që, gjatë periudhës së pandemisë, nuk i ka bartur kompetencat vendim-marrëse tek ekzekutivi por i mbajti në organin më të lartë legjislativ. Fakti që janë bërë përpjekje për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve edhe në kohët më të vështira, është një vendim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë dhe për mendimin tonë është shumë e rëndësishme që edhe në rrethana të jashtëzakonshme institucionet të vazhdojnë të ushtrojnë rolet e tyre kushtetuese.

Si bëhet vlerësimi i shteteve nga Transparency International në luftën kundër korrupsionit? Çfarë metodologjie përdoret gjatë vlerësimit?

Në fillet e saj, Transparency International pat angazhuar profesorin Johann Graf Lambsdorff të Universitetit të Passau-t për të dizajnuar metodologjinë e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Indeksi aktualisht merr parasysh 16 burime te ndryshme (sondazhe, raporte dhe vlerësime) që 12 institucione të ndryshme ua bëjnë shteteve dhe të cilat përmbajnë indikatorë rreth sundimit të ligjit, krimit dhe korrupsionit. Disa nga këto institucione janë: Banka Afrikane e Zhvillimit, Fondacioni Bertelsmann, Njësia e Inteligjencës Ekonomike, Freedom House, Global Insight, Instituti Ndërkombëtar për Zhvillimin e Menaxhimit, Forumi Ekonomik Botëror, Banka Boterore, Projekti Global për Drejtësi etj.

Pasi secili institucion përdor shkallë të ndryshme të vlerësimit, të dhënat kuantitative nga këto raporte së pari standardizohen nga ekipi hulumtues i Transparency International duke përdorur një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero deri në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë shoqëri pa korrupsion e pastaj të dhënat e standardizuara mbledhen për të dhënë rezultatin për shtetet veç e veç. Vendet duhet të vlerësohen nga të paktën tre burime për t’u paraqitur në Indeks.

Cila është situata e vendeve të rajonit në luftën kundër korrupsionit?

Në nivel rajonal, shihet se se bashkë me Kosovën edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë shënuar progres, me 4 respektivisht 1 pikë. Serbia dhe Bosna e Hercegovina nuk kanë shënuar ndryshim, kurse Shqipëria është vendi i vetëm në “gjashtëshen” e Ballkanit Perëndimor që e ka humbur një pikë.

Cilat duhet të jenë prioritetet e institucioneve të Kosovës në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit?

Fokusi i institucioneve tona duhet të jenë veçanërisht te vazhdimi i procesit të reformës gjyqësore, luftimi i korrupsionit dhe ngritja e transparencës dhe llogaridhënies gjatë procedurave të prokurimit publik dhe emërimeve publike nëpër borde. 

Instituti Demokratik i Kosovës ka përsëritur disa nga rekomandimet të cilat duhet të merren në konsideratë për t’u vazhduar progresi në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit:

  • Institucionet duhet të vazhdojnë me zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të ngritjes së besimit të publikut tek organet e rendit dhe ligjit, duke minimizuar ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë. Reforma duhet të jetë gjithpërfshirëse, e koordinuar mirë mes të gjithë akterëve relevantë dhe të mos përjashtojë asnjë nga faktorët relevantë.
  • Lufta kundër korrupsionit të intensifikohet në drejtim të fuqizimit të masave parandaluese. Ligji i ri për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit duhet, jo vetëm të ndërrojë emrin e Agjencisë, por të sjellë një frymë të re në efikasitetin dhe përkushtimin e stafit profesional brenda Agjencisë në parandalimin e korrupsionit përmes një procesi më efikas të grumbullimit dhe kontrollimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë dhe adresimin më të shpejtë të kërkesave për vlerësimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interesit. Agjencia gjithashtu duhet të fuqizohet edhe në trajtimin e rasteve të sinjalizimit të jashtëm si autoritet kompetent kombëtar.
  • Në fushën e prokurimit publik, kërkohet ngritje e transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit. Vëmendje të veçantë duhet kushtruar menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratave publikeduke ngritur nivelin e përgjegjësisë së zyrtarëve publik për mënyrën e shpenzimit të parasë publike.
  • Sa i përket procesit të të emërimit dhe përzgjedhjes të anëtarëve të bordeve kërkohet të ndryshohet dhe plotësohet korniza ligjore me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbikëqyrjes së procesit duke eliminuar njëkohësisht tendencat për politizim të Bordeve dhe ofrimin e mundësisë për emërimin e profesionistëve të fushës, të paanshëm nga ngjyrimet partiake.

Intervistë: Adelina Hasani 

© PRIZMA MEDIUM