Foto: Suer Celina

✎ Tevfik Rada, Bengi Muzbeg

Zhvillimi dhe institucionalizimi i kinemasë në Kosovë ka ndodhur me ndryshimet që ka pësuar kinemaja dhe me zhvillimet politike në Kosovë. Përhapja e masmedias pas Luftës së Dytë Botërore dhe shfaqja e një sistemi të ri politik nën Jugosllavinë Socialiste është një nga këto ngjarje. Në periudhën 20-vjeçare e cila zgjati deri në fund të viteve 1960, kinemaja zuri vendin e saj si art masiv. Politikisht, sistemi socialist i ka dhënë kinemasë një prioritet që nuk i është dhënë kurrë më parë – për ta përhapur këtë mjet masiv në të gjitha zonat e vendit dhe për të krijuar infrastrukturë të duhur. Sigurisht që nuk mund të anashkalohet përdorimi i kinemasë si mjet propagande brenda këtij sistemi.

Nëse shikojmë lajmet dhe kritikat e kinemasë në shtypin kosovar gjatë këtyre viteve, shihet se kinemaja është trajtuar si mjet ideologjik dhe industrial (krijimi i infrastrukturës së kinemasë, shpërndarja e kinemasë nëpër fshatra etj.). Zhvillimi dhe përhapja e kinemasë si dhe “zhvillimi” i vendit kanë ndodhur me hapa paralele. Fundi politik i kësaj narrative euforike u soll nga dy ngjarje të rëndësishme simbolike politike në fund të viteve 1960: shkarkimi i  Aleksandar Ranković në vitin 1966 dhe protestat e vitit 1968. Paralelisht me këtë, ndryshimet ndodhin në kinema si një medium masiv në shkallë globale: me përhapjen e televizionit dhe më vonë me përhapjen e videosteknologjia e kinemasë dhe format e prodhimit hyjnë në një fazë të re. Në vitin 1962 në Kosovë funksiononin 42 kinema me kapacitet të përgjithshëm prej 14785 ulësesh. Në vitin 1979, numri i përgjithshëm i kinemave u ul në 33. Kjo statistikë tregon se më e rëndësishme se prodhimi i filmit dhe audienca ishte ndërtimi i sallave të filmit. Siç e përmendëm në artikullin e mëparshëm, me ndryshimet në ligjin për kinemanë në fund të viteve 1960, u krijua një institucion autonom i prodhimit dhe shpërndarjes së kinemasë në Kosovë. Kjo është një nga ndryshimet që po ndodh në rajon. Në vitet 1970, në Kosovë u krijua një zonë e re diskutimi. Filluan të dalin publikime si: Fjala, Dituria, Bota e Re. Po ashtu, shtëpia botuese Rilindja filloi përkthimin e botimeve teorike kritike. Nga fundi i viteve 1970, rreth këtyre botimeve u formua një rreth i ri intelektual, si Gani Bobi dhe Ali Podrimja, të cilët përgatitën infrastrukturën e viteve 1980. Midis tyre, Gani Bobi mori drejtimin edhe në prodhimin e filmave vendas në fund të viteve 1970 dhe fillim të viteve 1980.

Shkelzen Maliqi, në një artikull për shtypin kosovar gjatë periudhës së Jugosllavisë Socialiste (Monopoli Informativ Kosovar, 1987), flet për stilin e përbashkët të të shkruarit të shkrimtarëve të fshehtë disidentë, të rritur në mjedisin shtypës të periudhës së Rankovicit. Sipas Maliqit, këta autorë zhvilluan një stil narrativ të fshehtë, simbolik dhe metaforik për të ruajtur një distancë të caktuar kritike me regjimin. Lexuesi, i cili është i vetëdijshëm për këtë, duhet të ketë gjithashtu një aftësi deshifruese gjatë leximit të këtyre artikujve. Në të njëjtin shkrim, Maliqi thotë se edhe filmat e prodhuar në Kosovë në vitet 1980 e kanë këtë gjuhë mistike dhe konfuze. 

Mirëponë vitet 1980, nuk ishin më represionet e Rankovićit, por ishte nacionalizmi, i cili u ndje gjithnjë e më shumë sidomos pas kryengritjeve të 1981-shit. Interesante është se shumë prodhime të kësaj periudhe të Kosova Filmit lidhen me periudhën e Rankovićit dhe përdorin gjuhë metaforike në kinematografinë e kësaj kohe. Qosja në vitet 1980 krijon një shembull paradigmatik të këtij fenomeni me dy filmat e tij të prodhuar në kuadër të Kosova Filmit. Proka, i cili u takua me publikun në vitin 1985, është një përshtatje e tregimit të shkurtër të Filip Papajanit të shkruar në vitin 1936. Qosja në film duke paraqitur një ndjenjë të fshehtë të kohës dhe hapësirës, lë bosh historikun e tregimit. Filmi, i cili mbart elemente të kritikës sociale, humb fuqinë e tij në këtë mjedis metaforik dhe të përjetshëm. Filmi ‘Rrojet e Mjegulles’, prodhim i vitit 1988, flet për një shkrimtar të izoluar nën presionet e regjimit të Rankovićit. Rrëfimi i errët dhe i përzier i filmit është në fakt si një rrëfim metaforik i viteve dhe presioneve në të cilat u prodhua filmi. Siç tha edhe Qosja, ky film u ndalua pas një kohe të shkurtë të publikimit. Këtu pra është një detaj që duhet theksuar. Që nga vitet 1980, në çdo republikë dhe rajon metafora bartëse e nacionalizmit në Serbi është Kosova dhe Ranković. Diskursi nacionalist serb, i cili reagoi ashpër ndaj protestave të nisura në Kosovë në vitin 1981, për pak sa  nuk e ktheu funeralin e Rankovićit në vitin 1983, në një përballje me ideologjinë e Jugosllavisë. Në ceremoninë mortore ku morën pjesë rreth 100 mijë vetë, fjalimet e autoriteteve jugosllave u ndërprenë me parulla, madje disa fjalime nuk patën mundësi të mbaheshin.

Pas vitit 1999, kinemanë e priste një realitet krejt tjetër, i cili u shty në ilegalitet dhe i mungonte mbështetja institucionale në vitet e 90’ta. Ndryshimi i shpejtë i teknologjisë dhe reflektimi i saj mbi kinemanë dhe botën e imazheve lëvizëse në përgjithësi (më e rëndësishmja në vitet 1980, u bënë eksperimentet me video në shumicën e pjesëve të botës) ndikimin e plotë në Kosovë e patën të mundur vetëm pas viteve shtypëse të 1990’tës. Gjatë kësaj kohe, pas rënies së sistemeve socialiste, procesi dhe diskursi i globalizimit u bënë dominues. Kjo situatë përcaktoi lëvizjen e sistemit dhe kulturën e kinemasë në tregun botëror. Me hapjen e Kosovës në tregun botëror pas vitit 1999, është parë se kinemaja ka hyrë në një strukturë në stilin e vendeve perëndimore. Ligji i ri për kinemanë, i cili nuk ka pasur përpjekje të konsiderueshme për të ringjallur Kosovafilmin, është pranuar nga Kuvendi i Kosovës më 14.10.2004 dhe është miratuar nga UNMIK-u. Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) u themelua në vitin 2008 dhe filloi të mbështesë prodhimin e filmit. QKK gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe FAMU për arsimimin e studentëve të Kosovës duke filluar nga kalendari akademik 2014-2015.

Zhvillimet në kinemanë e shekullit të 21-të në Kosovë dhe kalimi nga periudha shtypëse e viteve 1990 në mjedisin liberal të tregut të viteve 2000 kanë shkaktuar ndryshime të mëdha në infrastrukturën dhe vizionin e kinemasë. Një shembull paradigmatik për këtë mund të gjendet në kinemanë Lumbardhi në Prizren. Ekipi i kinemasë Lumbardhi u rigrupua pas luftës për të rikthyer kinemanë e ndërprerë për një kohë (kinemaja deri atëherë quhej Bistrica), por e kuptuan se sa e vështirë ishte funksionimi i një kinemaje në rendin e ri politik dhe kushtet e reja të tregut, dhe shpejt u tërhoqën nga kjo punë. Mirëpo, një festival i filmit dokumentar luajti rolin më të rëndësishëm në parandalimin e privatizimit dhe shembjen e objektit të kinemasë. Dokufest ishte një festival i nisur nga disa filmdashës në vitin 2002 për t’i dhënë funksion kinemasë Lumbardhi. Duke u rritur me kalimin e viteve dhe duke përfshirë degë të tjera përveç shfaqjes së filmave (siç janë programet tematike, seminare, panele, ekspozita, programe edukative, programe muzikore) festivali u bë faktori më i rëndësishëm në popullarizimin e një mode të re kinemaje në vend. Sot, kultura e kinemasë është larg thjeshtësisë dhe përkohshmërisë që mund të portretizohet me një objekt kinemaje.


Së fundi, le ta mbyllim artikullin duke folur për vështirësinë e një vështrimi retroaktiv në kinema. Siç e përmendëm në fillim të artikullit, ndërtimi i historisë së kinemasë varet nga zhvillimi i praktikave të reja arkivore dhe zhvillimeve interpretuese. Për të dhënë një shembull të thjeshtë, edhe institucioni Kosovafilm ka një pjesë shumë të kufizuar të filmave dhe materialeve të tjera vizuale dhe të shkruara. Një studiues apo adhurues i filmave që dëshiron t’i shikojë këta filma sot, duhet ta provojë fatin e tij në arkivin e cinematek-ut në Beograd, i cili pretendon të drejta për këta filma dhe mban shumë nga kopjet e tyre. Nga ana tjetër, është shumë e vështirë të arrihen filmat e prodhuar nga RTP (Radio Televizioni i Prishtinës). Arkivi ende nuk është kategorizuar, një pjesë e materialeve janë të dëmtuara dhe pjesa tjetër përdoret jashtë institucionit në varësi të lejeve dhe procedurave të ndryshme. Prandaj, qasja në materialet bazë është e mundur vetëm përmes negociatave, marrëveshjeve të caktuara institucionale dhe ndonjëherë politike, domethënë përmes një sërë procesesh që shpesh tejkalojnë përpjekjet individuale të studiuesit.

Marrja me arkivin, përveç vështirësive teknike, sjell me vete edhe vështirësi teorike dhe politike. Të jesh në gjendje të bësh një analizë historike kritike kërkon të shkosh përtej koordinatave shtetërore dhe nacionaliste që përcaktojnë arkivin. Siç theksojnë shumë historianë kritikë, krijimi i një arkivi nënkupton edhe interpretimin e tij: ai që krijon arkivin ka të drejtën ta interpretojë atë. Nuk është e mundur të kesh një arkiv të pafajshëm dhe neutral. Kjo pikë është veçanërisht e dukshme në vendet që karakterizohen si “post-socialiste”, siç është Kosova. Duke qenë se sot jetojmë në koordinata krejtësisht të ndryshme politike dhe shoqërore, interpretimi i materialeve arkivore kërkon edhe mbajtjen e distancës nga ideologjia e sotme dominuese.

© PRIZMA MEDIUM

*Kjo përmbajtje është përgatitur me mbështetjen financiare të  CHwB Kosova dhe platformës GërrGërr. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrime të CHwB Kosova dhe platformës GerrGerr.