Programi i OKB-së për mjedisin ka theksuar se ndotja e mjedisit ka ndikime më të mëdha negative te gratë sesa te burrat. Gjithashtu, në Konferencën Botërore për Gratë e mbajtur në Pekin në vitin 1995, u theksua se nuk i kushtohet vëmendje e mjaftueshme luftës së grave në mbrojtjen e burimeve natyrore. Në mbarë botën ka lëvizje për mbrojtjen e mjedisit të udhëhequra nga gratë, në këto lëvizje janë përfshirë edhe gratë e Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, veçanërisht për çështjen e mbrojtjes së lumenjve.

Protesta e grave në Krusçicë të Bosnje dhe Hercegovinës, kundër ndërtimit të hidrocentraleve; protestat e grave në zonat rurale të Turqisë si rasti i Rize Ikizdere; mobilizimi i grave në Bitinë e Poshtme në komunën e Shtërpcës kundër ndërtimit të hidrocentralit; iniciativat “Pravo na vodu” në Serbi dhe “Fondacija za drustvene promjene” në Bosnje dhe Hercegovinë, të udhëhequra nga gratë, po ofrojnë një qasje të re brenda diskutimeve ambientaliste. Mobilizimi dhe aktivizimi i grave për mbrojtjen e mjedisit në botë dhe rajon, na jep mundësinë të analizojmë se si ndotja e mjedisit ndikon në mirëqenien e grave dhe përbën një kërcënim serioz për situatën e tyre sociale dhe ekonomike, veçanërisht për gratë që jetojnë në zonat rurale.

Përderisa në shumë vende të rajonit dhe botës gratë po udhëheqin luftën për mbrojtjen e mjedisit, ka shumë pak diskutime thelbësor rreth asaj se çfarë gratë po përpiqen të tregojnë përmes protestave të tyre kundër ndërtimit të hidrocentraleve, mbrojtjes së lumenjëve dhe mbrojtjes së jetës në përgjithësi. Çfarë po mbrojnë gratë, ose më thjesht, si gërshetohet përvoja e grave në shkatërrimin e mjedisit brenda lëvizjes feministe?

Brenda mendimeve ekofeministe problemi i shkatërrimit të natyrës trajtohet përmes kornizave të dominimit ose pushtetit – duke krijuar analogji me pushtetin patriarkal të burrave mbi gratë. Pra, shkatërrimi i natyrës dhe pushtit mbi gruan vjen si pasojë e shtrirjes absolute të pushtetit partiarkal në të gjitha celulat e shoqërisë. 

Duke iu referuar leximeve të Mies, ngjashmëria midis gruas dhe natyrës nuk mund të bazohet në atë që është riprodhuese apo e shenjtë; por duhet të trajtohet përmes këndvështrimit të punës së prodhuar dhe punës së papaguar të grave, brenda sistemit patriarkal dhe kapitalist. Andaj nuk është rastësi që revolta më e madhe për mbrojtjen e mjedisit vjen nga zonat rurale, ku gratë janë aktive në bujqësi dhe një nga përgjegjësitë e tyre kryesor është sigurimi i ushqimit për anëtarët e familjes. Kjo pjesë e punës së grave – sigurimi i ushqimit – është aq e normalizuara brenda shoqërisë (sikurse punët e shtëpisë) sa që është e padukshme. Prandaj edhe kauza e grave për mbrojtjen e mjedisit – që është e ndërlidhur me pjesën ekzistenciale të grave – bëhet e padukshme.

Për më tepër, shkatërrimi i mjedisit po kërcënon më shumë shëndetin e grave sesa të burrave. Ndotja e ajrit është ndër shkaqet e shtimit së infertilitetit tek gratë dhe burrat. Ndërkaq, ekspozimi afatgjatë ndaj ajrit të ndotur në Ballkanin Perëndimor mund të zvogëlojë fertilitetin e grave me më shumë se 10 përqind; periudhat e niveleve të larta të ndotjes zvogëlojnë  shanset për shtatzëni dhe rrisin rrezikun e abortit. Ndërkohë, pakësimi i ujit të pijshëm si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve, veçanërisht në zonat rurale, ka rritur ngarkesën e punëve të grave në shtëpi, pasi punët e shtëpisë vazhdojnë të konsiderohet si punë të grave, ashtu si dhe kujdesi për të moshuarit dhe fëmijët. Me rritjen e numrit të sëmundjeve si pasojë e ndotjes së mjedisit, ka shumëfishuar diskriminimin e “normalizuar” ndaj grave. 

Megjithatë, lëvizjet mjedisore të udhëhequra nga gratë dhe lëvizjet feministe nuk kanë arritur ende të kenë një qasje të përbashkët politike dhe të jenë në qendër të diskutimeve politike. Për më tepër, duket se ekofeminizmi ende trajtohet si një temë periferike brenda diskutimeve mjedisore. 

Së fundi vlen të theksohet se gratë e vendeve të ndryshme po bashkohen kundër shkatërrmit të natyrës. Edhe pse lufta e grave për mbrotjen e mjedisit po zhvillohet në forma më të fragmentuara dhe në vende të ndryshme; mobilizimi i tyre ende nuk ka arritur të fitojë fuqi politike. Mirëpo, kërkesa e grave vazhdon të jetë e përbashkët dhe shumë fundamentale, me thirrjen: “Duam të jetojmë”. 

✎ Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM

Ky lajm është prodhuar me mbështjetjen financiare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.